Loading…
Hoxhaj kërkon nga ndërkombëtarët reagim dhe dënim të kriminelëve serbë
  • 12/10/2017 | 17:53

...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur i shqetësuar nga mungesa e reagimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj lartësimit të kriminelëve të luftës nga ana e liderëve të Serbisë.


Në një postim në Twitter, Hoxhaj thotë se duke i mbrojtur kriminelët e luftës dhe duke i ikur fajësisë për krimet e kryera, Serbia po provokon tensione që e dëmtojnë pajtimin shoqëror në Ballkan.

“I shqetësuar nga lartësimi dhe rehabilitimi në rritje i kriminelëve të luftës nga qeveria e Serbisë dhe mungesa e reagimit/dënimit nga komuniteti ndërkombëtar. Duke mbrojtur kriminelët e luftës dhe duke i ikur fajësisë për krimet e kryera, Serbia po provokon direkt tensione që do t’i kushtojnë pajtimit në Ballkan”, ka shkruar Hoxhaj.

Nga kabineti i Hoxhajt thonë se ky reagim i zëvendëskryeministrit vjen pasi që ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin ka lavdëruar ish-gjeneralin, Vlladimir Llazareviq, i cili është i dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në Kosovë, për mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë goditjes kundër shqiptarëve në vitin 1999.

Po kështu thuhet se ndaj këtij veprimi ka reaguar vetëm ambasadori amerikan në Beograd, të cilin pastaj e ka kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke i thënë të mos përzihet në punët e brendshme të Serbisë.

“Vulin, i cili ka qenë edhe pjesë e kabinetit qeveritar të qeverisë së Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, së bashku me presidentin e tanishëm të Serbisë, Vuçiq, si dhe kryediplomatin Daçiq, është i njohur për veprime të tilla. Vetëm disa muaj më parë, ai ka vendosur kurora lulesh tek përmendorja e Millosheviqit në Serbi. Vulin e ka quajtur gjeneralin Llazareviq ‘njeri i nderuar dhe trim dhe nuk ka ushtri në botë, që do të hiqte dorë nga ai’”, thuhet në këtë artikull të stafit të zëvendëskryeministrit Hoxhaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë