Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka kujtuar ish-ministren dhe aktivisten e njohur të kësaj partie, Nekibe Kelmendi, në gjashtëvjetorin e vdekjes së saj.
Mustafa në Facebook ka thënë se Nekibe Kelmendi është nënë heroinë dhe Kosova krenohet deri në përjetësi me të.
Ky është postimi i tij:
Të nderuar miq,
Është vështirë të përkujtojmë njerëzit që i dhanë shumë këtij vendi, sepse ata meritonin të jenë me ne. Të përkujtojmë Nekibe Kelmendin. Nënën heroinë, nënkryetaren e LDK-së, ministren dhe veprimtaren e shquar të shtetndërtimit të Kosovës.
Nekibe Kelmendi e mundi dhimbjen e saj për të bijtë dhe bashkëshortin që ia ekzekutuan hordhitë serbe. Mbi dhimbjen e saj kultivoi idealin e shtetit, dëshirën që bijtë dhe bijat e këtij vendi të jetojnë në paqe dhe të lumtur.
Kosova krenohet deri në përjetësi me Nekibe Kelmendin. IM
Në përvjetorin e vdekjes, Nekibe Kelmendin e ka kujtuar edhe Avdullah Hoti, kandidati i LDK-së për kryeministër.
“Sot është përvjetori i ndarjes nga jeta të znj. Nekibe Kelmendi. E kujtoj me respekt të thellë këtë zonjë dhe veprimtare të madhe të LDK-së. I përjetshëm kujtimi për të dhe për burrin dhe dy djemtë e saj”, ka shkruar Hoti.