Ish drejtori i arsimit Nexhat Çoçaj dhe drejtori i gjimnazit Shaip Buduri u shpallën të pafajshëm në akuzat për keqpërdorim të detyrës nga Gjykata Themelore në Prizren.
Ata akuzoheshin se i mundësuan mikut të drejtorit të gjimnazit, Besnik Krasniqi, lidhje të kontratës së punës pa shpallur konkurs për vendin e punës.
Në muajin maj të vitit 2016, Nexhat Çoçaj, ishte shpallur i pafajshëm, ndërsa Shaip Buduri, ishte dënuar me një vit burg pasi u gjet fajtor në akuzën e njëjtë. Pas apelimit të rastit në Gjykatën e Apelit, kjo lëndë është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Të hënën, gjykata pas rishqyrtimit të rastit morri aktgjykim me të cilin dy të akuzuarit i liroi nga akuza duke i shpallur të pa fajshëm.
“Trupi gjykues ka gjetur se të akuzuarit Nexhat Çoçaj dhe Shaip Buduri lirohen nga akuza pasiqë nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen”, tha kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi.
Prokurori i Krimeve të Rënda Mehdi Sefa, tha për KALLXO.com se kundër këtij vendimi të gjykatës do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shaip Buduri, avokati Esat Gutaj, tha Gjykata Themelore në Prizren ka evituar gabimet në bazë të vërejtjeve të dhëna nga Apeli dhe është vërtetuar pafajësia e klientit të tij.
“Sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore në Prizren ka vendosë duke i eliminuar të gjitha ato vërejtje dhe me të vërtetë është vërtetuar se Shaip Buduri nuk është përgjegjës për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, tha avokati Gutaj.
Nexhat Çoçaj tha se u rikonfirmua pafajësia e tij, duke deklaruar se çdo veprim të ndërmarrë e ka vepruar në bazë të ligjit për arsimin parauniversitar.