Loading…
Jahjaga qëndron drejt – në opinion dhe kauzë
  • Nga

  • FLUTURA KUSARI

  • 08/02/2018 | 17:21

...

Padia që vjen nga Suhareka kundër ish-Presidentes Jahjaga, që është ligjërisht lehtë e mposhtshme, është paqëllimshëm e dobishme: ajo e mban në publik temën e vuajtjes së gruas nga patriarkalizmi dhe na tregon sa mund të bëjë në Kosovë sot një politikane – që sado me fuqi të vogël – ka kredibilitet dhe përfaqëson kauzë të rëndësishme.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 20 mars 2017 kishte mbajtur një fjalim me rastin e hapjes së Javës së Gruas të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Fjalimin e kishte botuar edhe në Facebook.

Ndër të tjera, ish-Presidentja kishte thënë: “Si mundemi, ne, respektuesit e kuotës së tridhjetë përqindshit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që një grua të hiqet zvarrë nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve…asaj është duke iu mohuar e drejta mbi pronën, bashkëndërtuese e së cilës ishte…dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar përjetë nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave, të burrnisë, të traditës”.

Presidentja po i referohej Shyhrete Berishës e cila u bë e njohur në betejen e saj ligjore për të marrë pronësinë mbi shtëpinë ku kishte jetuar në Suharekë. Aty kishte jetuar me burrin dhe katër fëmijët, të cilët i qenë vrarë në luftë. Ajo kishte mbijetuar me shumë plagë në trup pasi kishte kërcyer nga kamioni me të cilin forcat serbe po i bartnin trupat e pajetë të familjarëve të saj.

Kunati i mbijetuar kishte pretenduar të drejtën e pronësisë së shtëpisë ku ajo kishte jetuar me familjen. Por, pas një beteje të gjatë ligjore, gjykata i dha asaj të drejtë. Në proces, Shyhrete Berisha u bë e njohur në mesin e aktivistëve dhe në publik – meqë rasti i saj sfidonte diskriminimin patriarkal të gruas.

Tani, Xhelal dhe Arben Berisha nga Suhareka, familjarë të burrit të Shyhrete Berishës, po e sfidojnë për shpifje Presidenten Jahjaga. Me padi të ushtruar jashtë afatit ligjor, më 8 shtator 2017, ata kanë kërkuar 250,000 euro kompensim dëmi në emër të dëmtimit të reputacionit, masë mbrojtëse për ndalimin e shpifjes, si dhe tërheqjen e informacionit shpifës. Gjykimi pritet të fillojë më 14 shkurt 2018.

Ky blog ofron argumente që favorizojnë hedhjen poshtë të padisë për kompensim dëmi si e pas-afatshme. Nëse paditësit, megjithatë, kanë argumente bindëse për dorëzimin e padisë  me vonesë, ajo duhet të refuzohet prapë – si e pabazuar. Fjalimi i Jahjagës gëzon mbrojtje ligjore ngase trajton çështje me interes të lartë publik dhe përmban metaforë, ekzagjerim dhe opinion të bazuar në fakte publikisht të njohura dhe të vërtetuara.

Padia kundër ish-presidentes është ushtruar gjashtë muaj pas publikimit të fjalimit të kontenstuar. Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes parasheh afatin prej tre muajsh për të parashtruar kërkesë për kompensim dëmi. Afati llogaritet nga dita kur personi që pretendon të jetë i dëmtuar është vënë në dijeni të dëmit; në asnjë rast ankesa nuk duhet të shtrohet më vonë se një vit. Anëtarët e familjes Berisha do ta kenë të vështirë ta argumentojnë para gjykatës që asnjëri nga ta nuk është informuar për fjalimin e Jahjagës përmes televizionit, shtypit, radios ose mediave online brenda afatit prej tre muajsh.

Por, përtej aspektit procedural, e drejta e grave për trashëgim në pronë është temë me interes publik sepse ka të bëjë me trajtimin e pabarabartë ligjor të grave karshi burrave. Vetëm rreth 15 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave, që përbën shifrën më të ulët në Ballkan. Rasti gjyqësor i Shyhrete Berishës ka ndikuar që kjo tematikë – diskriminimi i grave karshi burrave në gëzimin e të drejtës së pronës – të debatohet aktivisht në qeveri, parlament, shoqëri civile dhe në publik. Në këtë kontekst, Jahjaga me të drejtë ia kishte kushtuar fjalimin e saj të drejtës së gruas për trashëgim në pronë.

Fjalia “…një grua të hiqet zvarrë nga shtëpia e saj” duhet të kuptohet si metaforë dhe ekzagjerim me qëllim të shprehjes së solidaritetit. Njëjtë duhet të kuptohet edhe fjalia “…do t’i mbyllen në emër të normave, të burrnisë, të traditës” që është përdorë për të simbolizuar dominimin e pakontestueshëm të burrave në secilën sferë të jetës në Kosovë. Të dyja këto shprehje bien në fushëveprimin e të drejtës së opinionit dhe nuk mund të konsiderohen si fakte.

Jahjaga nuk e akuzon asnjë person me emër dhe mbiemër për “tërheqje zvarrë” në emër të  “burrnisë” prandaj prentendimet për dëmtim të reputacionit janë të paqëndrueshme. Për më tepër, metafora mund të jetë e insipiruar nga ngjarja që kunata e Shyhretes, Vjollca Berisha, ia kishte përshkruar gazetës The Guardian për të cilën kishte deklaruar se serbët e kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin hedhur mbi kamion mbi kufomën e nënës së saj. Ajo nuk e meritonte edhe një trajtim të pamëshirshëm.

Po ashtu, fjala “bashkëndërtuese”, e cila kontestohet nga paditësit, është opinion i bazuar në fakte. Kjo fjalë nuk duhet të lexohet fjalëpërfjalshëm, pra si person që fizikisht e ka bashkëndërtuar atë shtëpi, por duhet të kuptohet si përshkrim i kontributit të një gruaje që së bashku me bashkëshortin e kanë ndërtuar jetën dhe familjen e tyre në atë shtëpi. Gjykata e Suharekës ka vërtetuar se Shyhrete Berisha vërtet ishte bashkëpronare e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe gjysmës së paluejtshmërisë së pronës së kontestuar në Suharekë.

Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes është në favor të Jahjagës sepse parasheh mbrojtje të opinioneve. Sipas nenit 8, që është neni kryesor relevant në rastin konkret, “askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje për një deklaratë të cilën gjykata e ka vlerësuar të jetë një deklarim i opinionit, me kusht që opinioni të jetë shprehur me qëllim të mirë dhe të jetë bazuar në ndonjë fakt”.

Edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në një ndër rastet më të rëndësishme të saj, sa i përket opinioneve në Lingens k. Austrisë kishte vendosur se “ekzistimi i fakteve mund të dëshmohet ndërsa vërtetësia e opinionit nuk mund të jetë provë e vërtetimit”. Rasti kishte të bënte me kritika të ashpra të shkëmbyera në mes të politikanëve në Austri. Pra, praktika e GjEDNj nuk kërkon që (në këtë rast) Jahjaga të ofrojë prova dhe fakte për të vërtetuar opinionin e saj. Në të kundërten do të krijohej efekt frenimi në të shprehur nga frika se duhet të vërtetojnë secilin opinion meritor me fakte.

Themelorja e Prishtinës duhet ta hedhë poshtë edhe kërkesën për masë mbrojtëse. Është tejet problematike që masa mbrojtëse është kërkuar në shtator të vitit të kaluar dhe gjykata ende nuk ka vendosur për të. Qëllimi i saj është që në raste kur ka argumente (në rastin konkret nuk ka argumente) të ndalohet përhapja e informacionit shpifës sa më parë. Ambasadorja Vlora Çitaku në shenjë mbështetjeje për Jahjagen, nën hashtagët #mePresidenten dhe #meGratë, me sukses kërkoi nga mijëra ndjekës të saj në Facebook që të rishpërndanin fjalimi e ish-presidentes. Po ashtu, dhjetëra media online patën ripublikuar fjalimin e Jahjagës; kjo e ka bërë kërkesën për masën mbrojtëse të padobishme.

Procedura gjyqësore kundër Jahjages është, pra, tentativë e pas-afatshme dhe e mposhtshme për të kufizuar të drejtën e fjalimit politik e cila gëzon mbrojtje të madhe ligjore nën të drejtën e lirisë së shprehjes.

Ajo mund të ketë vetëm një të mirë, të paqëllimshme. Duke e ndjekur bindjen e tyre të gabuar, burrat nga Suhareka po i kontribuojnë shpërfaqjes dhe diskutimit publik të formave më brutale dhe shpirtngushta të ushtrimit të pushtetit patriarkal.

Ndërsa Presidentja Jahjaga po tregon sa mund të bëjë sot një politikane në Kosovë – sado me fuqi reale të vogël – kur ka kredibilitet dhe përfaqëson një kauzë me rëndësi publike.

Presitentja Atifete Jahjaga, sikur Shyhrete Berisha, qëndron drejt në të drejtën dhe kauzën e saj. Kurse historia e tmerrshme e luftës e Shyhrete Berishës dhe beteja e saj e pasluftës, duhet të shërbejë për të rikujtuar sa pak është bërë që nga atëherë për të drejtat tona si njerëz të lirë e të mbrojtur.

(Opinioni është shkruar për blogun sbunker)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë