Loading…
“Kali i Trojës” së Erdoganit në Maqedoni
  • 14/06/2018 | 21:52

...

Shumica e shqiptarëve në Maqedoni identifikohen së pari si myslimanë dhe më pas nga identiteti shqiptar. Krahasuar me shtetet e tjera ballkanike ku jetojnë shqiptarët të cilët nuk e konsiderojnë fenë si një faktor dominues në jetën e tyre, shqiptarët në Maqedoni janë mbështetësit më të vendosur të Erdoganit dhe agjendës së tij islamike.

Presidenti turk Erdogan nuk mban sekret ambicien e tij për të përhapur krahët e tij neo-osmanë në tgjithë Ballkanin. Ai e sheh Maqedoninë si një satelit tjetër turk në arritjen e këtij plani, të cilin fatkeqësisht qeveria maqedonase i ka përqafuar për interesat ë saj pa i vlerësuar me kujdes pasojat e dëmshme afatgjate.

Janë pak zëra shqiptarë në Maqedoni që kanë guximin ta kritikojnë publikisht Erdoganin, të frikësuar se mund të bëhen objekt i kërcënimeve dhe ofendimeve nga një makinë e madhe propaganduese e drejtuar nga shumë aleatë tëErdoganit në Maqedoni. Ai ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në ndikimin e shumicës së shqiptarëve në vend, shumë prej të cilëve e konsiderojnë atë si udhëheqësin e tyre të vetëm dhe të besuar.

Për më shumë se një dekadë, Erdogan ka investuar në përhapjen e ndikimit të tij në mesin e shqiptarëve; përmes ndërtimit të xhamive dhe shkollave turke, financimit të medias, institucioneve fetare dhe së fundmi edhe partive politike, të cilat kontrollohen drejtpërdrejt nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe kanë rritur në mënyrë dramatike ndikim mbi komunitetin shqiptar.

Kushdo që guxon të kritikojë Erdoganin ose të diskutojë ambiciet e tij personale në Maqedoni, sulmohet publikisht nga “brigada e internetit” si një islamofob apo tradhtar.

“Unë personalisht isha target i këtyre sulmeve dy herë”, thotë Xhelal Neziri, një gazetar me përvojë hulumtuese nga Maqedonia. “Ata nuk mund të më ndalojnë të them të vërtetën, por është një fakt që shumë nga kolegët e mi nuk duan të flasin për këtë temë, për shkak të kërcënimeve dhe linçimit që ata marrin”, shton Neziri.

Shumica e shqiptarëve në Maqedoni identifikohen së pari si muslimanë dhe më pas nga identiteti shqiptar. Ka zëra brenda këtyre grupeve fanatike fetare që thonë se shqiptarët nuk duhet ta njohin Nënë Terezën si shenjtore, edhe pse ajo ishte shqiptare nga Maqedonia, sepse sipas tyre ajo nuk ka bërë asgjë për shqiptarët e posaçërisht muslimanet.

Numri i atyre që besojnë se heronj të tjerë shqiptarë si Gjergj Kastrioti ‘Skënderbeu’, i cili udhëhoqi rebelimin kundër Perandorisë Osmane në vitet 1400, nuk duhet të njihet si hero, sepse janë të krishterë, po rritet dita ditës mes shqiptarëve të Maqedonisë.

Krahasuar me shtetet e tjera ballkanike ku jetojnë shqiptarët të cilët nuk e konsiderojnë fenë si një faktor dominues në jetën e tyre, shqiptarët në Maqedoni janë mbështetësit më të vendosur të Erdoganit dhe agjendës së tij islamike. Strategjia e Erdoganit për rivendosjen e ndikimit të Turqisë në Ballkan, e ngjashme me atë që dikur kishte Perandoria Osmane, pati sukses të hershëm me shqiptarët e Maqedonisë.

Gati dy të tretat e popullsisë në Maqedoni janë maqedonas etnikisht të krishterë ortodoksë, dhe një e treta e popullsisë janë shqiptarë të besimit Islam. Në vitin 2001, tensionet midis dy grupeve u përshkallëzuan në një konflikt të armatosur ndërmjet forcave qeveritare të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Konflikti ishte jetëshkurtër dhe përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, një traktat paqeje që panë komandantët e UÇK-së të riemëruar si politikanë legjitimë, duke u premtuar të drejta të zgjeruara sociale dhe politike shtetasve shqiptarë të Maqedonisë. Edhe pse armiqësitë e armatosura përfunduan rreth 17 vjet më parë, marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve janë ende jo të mira.

Shqiptarët janë të privuar nga shumë të drejta elementare, të neglizhuar nga shteti, dhe vazhdojnë të vuajnë nga pabarazia. Maqedonia i mohon të drejtat themelore të tyre. Gjuha shqipe nuk u njoh deri në mars të vitit 2018, kur parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin që njeh zyrtarisht gjuhën shqipe, ndërkohë që mbaheshinprotesta masive nga maqedonasit e krahut të djathtë që kundërshtonin një vendim të tillë.

Sllavët dhe shqiptarët në Maqedoni jetojnë akoma të ndarë dhe nuk gëzojnë të drejta të barabarta. Erdogan ka përdorur problemet etnike dhe politike midis maqedonasve dhe shqiptarëve si një “mundësi të artë” për ta portretizuar veten si mbrojtësin më të madh të shqiptarëve. Ndërkohë, të gjitha investimet ekonomike dhe marrëveshjet tregtare të Turqisë janë të përqendruara në pjesë ku jetojnë maqedonasit.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2016 eksportet e Turqisë në Maqedoni arritën në 378 milionë dollarë dhe importet arritën në 82.6 milionë dollarë. Instituti i Statistikave Turke (TÜİK), njofton se rreth 100 biznesmenë turq aktualisht kanë investime me vlerë 1.2 miliardë euro ($ 1.47 miliardë) në Maqedoni. Këto investime janë të përqendruara në pjesët ku jetojnë maqedonasit, ndërsa në anën shqiptare Erdogan ka investuar në institucione fetare, kryesisht ndërtimin e xhamive për të promovuar agjendën e tij islamike.

Erdogan i ka përdorur shqiptarët si kartë, duke pretenduar të garantojë stabilitet për shtetin maqedonas me konvertimin e nacionalizmin shqiptar, (të cilin nuk e durojnë maqedonasit), në një identitet të fortë islamik.

Ndërkohë që në fjalimet publike, Erdogan ka flirtuar vazhdimisht me zyrtarë të korruptuar të qeverisë maqedonase. Ai ka deklaruar se Turqia dhe Maqedonia ndajnë një lidhje vëllazërie dhe se “Turqia gjithmonë do të jetë në anën e Maqedonisë”.

“Për ne, Ankaraja dhe Shkupi nuk kanë dallim dhe nuk do t’i lëmë kurrë vëllezërit tanë, ne do të jemi gjithmonë me ta, dhe gjithmonë do të iu ndihmojmë dhe qëndrojmë prapa tyre”, tha Erdogan në shkurt 2018.

Në një bisedë me Artan Grubi, deputet në Parlamentin e Maqedonisë i cili përfaqëson partinë më të madhe politike shqiptare (Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI), deklaroi se “Ndikimi i qeverisë aktuale turke në mjedisin politik në Maqedoni është pa dyshim serioz dhe i pranishëm”.

Erdogan e bën këtë “duke ndihmuar financiarisht qeverinë, shkëmbimin kulturor, dhe duke shërbyer si një shembull [për të frymëzuar] partitë politike dhe politikanët si Lëvizjën e sapoformuar “BESA”, tha Grubi, duke shtuar se partia që ai përfaqëson nuk do të lejojë ndikimet margjinale për largimin e shqiptarëve nga rrugëtimii projektuar drejtë integrimit në NATO dhe BE.

Lëvizja BESA është një parti politike në Republikën e Maqedonisë e themeluar në nëntor të vitit 2014 nga Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibrahimi, ish- kryeredaktor i revistës “Shenja”, e cila është një nga mediat më pro-erdoganiste në Maqedoni.

Krerët e kësaj partie mohojnë lidhjen e drejtpërdrejtë me Turqinë, por ata ndjekin haptazi linjën e Erdoganit. Ata iu futen garës në zgjedhje tre vjet dhe fituan pesë vende në Parlament. Ne u kemi dërguar pyetje drejtuesve të BESA-së, por ata nuk janë përgjigjur.

Profesori Ymer Ismaili, një nga kritikuesit me aktiv në Maqedoni, deklaroi publikisht gjatë zgjedhjeve të fundit në vitin 2016 se, “Lëvizja BESA është një sekt fetar me një mision të hapur për shpërndarjen e agjendës islamike të Erdoganit në mesin e shqiptarëve në Maqedoni”.

Në një bisedë me ne, Ismaili tha se shqiptarët në Ballkan (veçanërisht ata në Maqedoni) janë “target” të preferuar të Erdoganit për shkak të arsimit të dobët, të varfërisë dhe të analfabetizmit. “Erdoganizmi do neo-pushtimin e Ballkanit,” jo me mjete ushtarake, por me mjete financiare dhe fetare për të minuar Evropën ‘e krishterë’! Në këtë ‘udhëtim’ në situata të caktuara, aleati i tij politik-gjeostrategjik është Rusia e Putinit. Të dy janë bashkuar në misionin e tyre të përbashkët: Të dy janë ‘diktatorë’ dhe anti-perëndimorë “, tha Ismaili.

Shumë emigrantë shqiptarë, pas Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të regjimit komunist, ikën në vendet e Evropës Perëndimore ose në SHBA për të gjetur punë ose për të kërkuar azil politik. “Pothuajse çdo familje shqiptare ka një anëtar në Perëndim dhe mund të dallojë qartë mes asaj që Perëndimi ka për të ofruar, në aspektin kulturor, politik dhe në të drejtat e njeriut- dhe atë çfarë Erdogan mund të ofrojë”, tha Neziri. Megjithatë, ata vazhdojnë të manipulohen nga Erdogani.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), agjenci kjo e qeverisë turke, mban një zyrë në Shkup me personel me koordinator të vendit e cila përfundoi pothuajse 600 projekte në Maqedoni deri në fund të vitit 2017.

“Yunus Emre”, agjencia e promovimit kulturor të qeverisë turke, është gjithashtu aktive në Maqedoni. Sipas gazetës turke “Minut”, “Është e qartë se Erdogan po i shtyn të gjitha agjencitë qeveritare të përqendrohen në [Maqedoni] me të gjitha llojet e skemave, duke filluar nga ndërtimi i xhamive në themelimin e shkollave fetare, si pjesë e një dizajni madhështor për të krijuar një shtet vasal që do të jetë besnik ndaj sundimit të tij islamik “.

“Sulmi paqësor” i Erdoganit mbi Maqedoninë ka vetëm një qëllim: të dominojë vendin nën maskën e një historie të gjatë të “marrëdhënieve vëllazërore”. Ky është “Kali i Trojës” i kohës moderne i Erdoganit, dhe shqiptarët në Maqedoni duhet të kuptojnë se atajanë duke rënë në kurthin e tij.

Nga Alon Ben-Meir & Arbana Xharra

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë