Loading…
Katër thikat që Kosova ia nguli në shpinë ‘hajnit të pulav’
  • Nga

  • SHKUMBIN B. KAJTAZI

  • 17/09/2018 | 15:53

...

Pyetja që Blakaj do t’ua bënte kolegëve, duhet të thuhet me tonin e Jul Cezarit: Edhe ti Reshat? Edhe ti Lekë? Edhe ti Afrim?

Kosova, jo rrallë, ka ditur të dhurojë suksese me efektin trampolinë, madje pa qenë i vetëdijshëm as vetë përfituesi. Si shembull mund të merren lista e veteranëve, emrat e të cilëve janë rreshtuar me dhjetëra nga një person i vetëm. Kështu e tha sot edhe Prokuroria, të cilët kishin evidentuar ‘shkrim të njëjtë në aplikacione’.

Por, në kohën kur është treguar kaq zemërgjerë me dikë, Kosova dhe njerëzit që udhëheqin me të, kanë ditur të rrëzojnë përtokë edhe shumë njerëz të tjerë. Si shembull mund të merret ish-prokurori Elez Blakaj, i cili u shty të largohet nga kërcënimet, më pas u denigrua nga fyerjet, e në fund ndaj tij u përgatit edhe komprometimi.

Këto janë tri thikat që shteti dhe shoqëria kosovare ia dhuroi një ish-prokurori. Por, ç’është puna e këtyre thikave, dhe si u ngulën në shpinën e njeriut që u vë kundër ‘rrjedhës së ujit’ – kështu cilësohet veprimtaria jashtë radarëve të interesit të krerëve shtetërorë?

Shpina e dikur prokurorit Blakaj iu prek për të parë ku mund t’i ngulet një thikë, në kohën kur nisën kërcënimet dhe presionet ndaj hetimeve që kishte nisur. Po kërkohej me ngulm ai vend i dëshirueshëm pasi, në kokat e atyre që ngulin thika, po të funksionojë thika e parë – kërcënimi, nuk ka nevojë për të tjera. Shoqëria kosovare deri diku doli në mbrojtje të ish-prokurorit, mirëpo turrin e fundit të thikës gjysmë të ngulur nga kërcënimet, e dhanë pushtetarët dhe kolegët e Blakajt: Të parët ngritën duart në sulm, e të dytët ngritën duart nga  kolegu.

Një thikë tjetër në shpinën tashmë ‘të marrë flakë’ të ish-prokurorit, po bëhej gati të futej me vrull. Kryeministri Haradinaj e kryeparlamentari Veseli i nisën fyerjet, e njerëzit rreth tyre mundësuan që thika të gjejë vendin e duhur. Fyerjet, linçimet e frikësimet deri aty sa ta bindin Blakajn se nuk ka ku të kthehet në Kosovë, ishin thika e dytë. Unë do thoja më e dhimbshmja.

Thika e tretë mori kohë. Shpina e Blakajt ishte mësuar tashmë dhe spektatorëve nuk do t’u dukej e jashtëzakonshme çfarëdo thike qoftë e radhës. Kështu, njerëzit e angazhuar rreth patronëve që po prekeshin nga listat, nisën strategjitë. Cila u vendos si më e mira? – Eh po, e lehtë: Të futen në listat e rrejshme njerëz që e dinte bota mbarë se kishin luftuar. Kështu do të komprometohej Blakaj, çka ishte edhe qëllim i thikës së tretë.

Mirëpo, thika e tretë që është më aktuale, akoma rrjedh gjak. Kështu, është mirë të sqarohet më gjatë. Mendoj se komprometimi që po i bëhet Blakajt, me këtë fabrikim listash(Prokuroria e pranoi se janë shtuar 1178 persona pasi u largua Blakaj), është fatal për drejtësinë, Kosovën por edhe Prokurorinë, dhe tregon se kushdo që s’u shkon përshtat atyre për të cilët kryeprokurori Lumezi duhet të dijë kur intervistohen, e gjen veten kështu me plagë.

E nën rënkimin e një plage, po marr kompetencën për ta cituar ish-prokurorin Blakaj pa autorizim. Dhe, pyetjet e mia që do të mund të ishin të Blakajt, lidhen me njerëzit që gjithmonë i kishin qëndruar afër.

*Pse nuk u ngrit aktakuzë menjëherë, por u prit një muaj?
*Mirë, qenka dashur të plotësohet. Atëherë, pse nuk kërkoni përgjegjësinë edhe diku tjetër për këto ‘huqjet potenciale’?
*A nuk duhet të marrë përgjegjësi prokurori që e ka nënshkruar aktakuzën nëse kjo lëndë paska gabime? Pse Prokuroria s’po flet publikisht për njeriun që e mori lëndën e veteranëve?

Dhe pyetja e fundit e Blakajt që tingëllon e dhimbshme po aq sa plagët, do të thuhej me tonin e Jul Cezarit: Edhe ti Reshat? Edhe ti Lekë? Edhe ti Afrim?

Me shumë të drejtë jeni duke pyetur veten se ç’u bë me thikën e katërt. Mbase po kërkoni në shpinën e Blakajt. Në fakt, as që do të gjeni aty. Njerëzit e njëjtë, duke therur Blakajn, kanë gjakosur Kosovën – aty është thika tjetër. Kjo thikë e katërt është e ngulur në mes të sistemit kosovar të drejtësisë, e cila do të pamundësojë që ky proces të shkojë ndonjëherë deri në fund. Po, s’do të kryhet asnjëherë…

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë