Loading…
Këto janë ndeshjet që do të zhvillohen sot në Ligën e Kampionëve
  • 06/11/2018 | 12:03

...

E marta e Ligës së Kampionëve do t’i sjellë dy ndeshje mjaft interesante për futbolldashësit. Në Milano Interi do ta presë Barcelonën, që i ka fituar të tria takimet e para dhe kërkon kualifikimin më tutje që prej kësaj ndeshjeje. Ndërkohë, në “San Paolo” Napoli do të ndeshet me gjigantin francez Paris Saint-Germain në një përballje direkte për një pozitë që dërgon në fazën tjetër.

“Giuseppe Meazza” do të mirëpresë sonte ndeshjen mes Interit dhe Barcelonës në grupin B të Ligës së Kampionëve. Gjigandi spanjoll kryeson tabelën e grupit me nëntë pikë të arkëtuara nga tri ndeshje, derisa Interi gjendet në pozitën e dytë me gjashtë sosh. Me një fitore eventuale Barcelona vetëm do të siguronte kualifikimin më tutje në fazën e së tetës së finales.

Luciano Spalletti pritet t’i ketë të gjithë futbollistët në dispozicion në këtë sfidë, derisa Ernesto Valverdes do t’i mungojë Thomas Vermaelen. Lionel Messi është kthyer në stërvitje pas një lëndimi që kishte pësuar në krah në sfidën ndaj Sevillas më 20 tetor, por mbetet të shihet nëse ylli argjentinas do të shfrytëzohet nga Valverde. Në ndeshjen e xhiros së kaluar të zhvilluar mes tyre në “Camp Nou” Barça kishte triumfuar lehtësisht me rezultatin 2:0. Katalonjasit i hyjnë takimit ndaj Zikaltërve pas fitores me përmbysje 3:2 në udhëtim te Rayo Vallecani, derisa Interi triumfoi me rezultatin e thellë 5:0 ndaj Genoas.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Tottenhami do të kërkojë fitoren ndaj PSV Eindhovenit, në mënyrë që të mbetet në garë për pozitën e dytë në grup, e cila dërgon më tutje në rundin tjetër.

“Nxehtë” në “San Paolo”

Ndeshje mjaft interesante të martën pritet të zhvillohet në grupin C, që njihet edhe si “grupi i ferrit”. Napoli dhe Paris Saint-Germaini do të luajnë mes vete në “San Paolo”, sfidë e cila mund të tregojë shumëçka për ekipet që mund të kualifikohen më tutje nga ky grup. Në takimin e xhiros së kaluar në “Parc des Princes” klubet kishin ndarë pikët, një barazim spektakolar me rezultatin 2:2. Napoli i hyn këtij takimi pas fitores me rezultatin e thellë 5:1 ndaj Empolit, derisa Paris Saint-Germaini iu gëzua fitores 2:1 ndaj Lilles. Ndeshja pritet të jetë mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat, pasi që është një përballje direkte për një pozitë që dërgon më tutje në fazën eliminatore të kompeticionit më prestigjioz evropian për klube.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Liverpooli do të udhëtojë drejt Beogradit për t’u ndeshur me Crvena Zvezdan. Në këtë sfidë Liverpooli do të jetë pa yllin shqiptar Xherdan Shaqirin, i cili nuk është ftuar nga trajneri Jurgen Klopp.

Liga e Kampionëve

E martë

Grupi A

18:55 Monaco – C. Brugge

21:00 A. Madrid – B. Dortmund

Grupi B

21:00 Inter – Barcelona

21:00 Tottenham – PSV

Grupi C

18:55 C. Zvezda – Liverpool

21:00 Napoli – PSG

Grupi D

21:00 Porto – L. Moscow

21:00 Schalke – Galatasaray

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë