Se institucionet nuk kanë kurrfarë kontrolli mbi pjesën veriore dëshmohet në mënyra të ndryshme çdo ditë.
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka asnjë informacion se kompania nga Kanadaja “Altair Resources” ka blerë aksionet e kompanisë “A.GJ.A.” Sh.p.k., së cilës i ka dhënë licencë KPMM-ja.
Përfaqësuesit e kompanisë kanadeze kohë më parë kishin realizuar disa fotografi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe me ish-ministrin e Ambientit, Ferid Agani, por nuk e kishin njoftuar se kanë blerë aksionet.
Në KPMM është ngritur alarmi pas interesimit të KTV-së lidhur me këtë kompani, e cila kishte njoftuar në faqen e internetit rreth planeve që i ka për investime në Crepuljë të Zubin Potokut.
Zyrtarë të “Agja shpk”, i kanë thënë KTV-së se të njëjtit ia kanë shitur 90% të aksioneve kompanisë kanadeze dhe të gjitha këto zhvillime kanë ndodhur për shkak të një keqkuptimi.
Kohavisioni ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë kanadeze, por i vetmi që është përgjigjur është inxhinieri shqiptar Alaudin Kodra. Ai ka shprehur habi me deklaratën e KPMM-së sepse thotë se ky institucion është njoftuar për blerjen e aksioneve nga kanadezët.