Ambasadori i ri SHBA’ve në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur sot për korrupsionin në Kosovë, duke deklaruar se lufta ndaj korrupsionit nuk është e lehtë, por duhet të jemi të vendosur që ta luftojmë këtë dukuri.
Kosnnet ka deklaruar se ka shumë mënyra për luftimin e korrupsionit, por inovacioni dhe kreativiteti janë ndër përbërësit kyç në luftimin e korrupsionit në të gjitha format, njofton gazetametro.net.
Po ashtu ambasadori amerikan ka thënë se nuk duhet të pranojmë dhe të qëndrojmë anash duke mos e luftuar korrupsionin dhe të presim që individët e korruptuar të ndryshojnë sjelljen e tyre, e as që të presim që të tjerët ta luftojnë këtë dukuri në emrin tonë.
“Ka shumë mënyra për të luftuar korrupsionin. Inovacioni, kreativiteti janë ndër përbërësit kyç në luftimin e korrupsionit në të gjitha format. Në Kosovë ka persona që tashmë janë kyçur në këtë punë thelbësore….Duhet ta pranojmë se nuk duhet të qëndrojmë anash e nuk mund të presim që individët e korruptuar të ndryshojnë sjelljen e tyre. Por, nuk mund të presim që edhe të tjerët ta luftojnë korrupsionin në emrin tonë”, tha Kosnnet.
Ambasadori amerikan ka thënë se luftimi i korrupsionit nuk është punë e lehtë, por disa individë të vendosur mund të bëhen shkaktarë që kjo dukuri të luftohet, njofton gazetametro.net.
“Zbulimi dhe burgosja e të korruptuarve nuk është punë e lehtë. Por, në komunitetet si Chikago, New York drejtësia mbizotëroi për shkak të disa individëve që ishin të vendosur për të luftuar këtë dukuri”, tha ai në fjalimin e tij në premierën e dokumentarit “Korrupsioni, askush mbi ligjin”, prodhim RTV Dukagjinit në bashkëpunim me ambasadën e SHBA në Kosovë./gazetametro.net