Loading…
Kosova – zemra e Serbisë në mes të mitit dhe infarktit
  • Nga

  • VELIMIR ILIC

  • 30/10/2017 | 12:00

...

Bëhet pyetja, se sa jemi ne, në mënyrë kolektive apo individuale, të vetëdijshëm se Serbia në Kosovë ka histori, por po e humb gjeografinë.

Kosova është….

Dhe tani, pas tri pikave të vëna pas fjalës Kosovë, mund të shtoni një sërë faktesh historike nga e kaluara kombëtare dhe shpirtërore, nga disfata dhe fitore, kriminelë dhe viktima, tragjedi dhe pasoja…

Kam takuar, duke raportuar kah fundi i viteve të nëntëdhjeta nga Kosova, njerëz të cilët betoheshin se nuk do ta braktisin tokën e Kosovës. Disave atë tokë ia kanë qitë përjetësisht mbi gjoks. Por, më shumë ka prej atyre që rrahin gjoks për tokën e Kosovës. Mirëpo, për shumicën kështu fillon dhe përfundon patriotizmi i tyre.

Duke shikuar nga Beogradi dhe rrethana e tij nacional-patriotike dekadave të fundit, Kosova në ndërkohë, përveç “krahinës jugore serbe”, u bë “fjala më e shtrenjtë  serbe”, “zemra e Serbisë”, “shpirti, themeli dhe vatra” e saj, “djepi i serbizimit dhe i shpirtit serb”…

Kosova është “plaga e pashërueshme serbe” e shumicës të cilët pasurinë e stërgjyshërve në “vendin e shenjtë të Kosovë-Metohisë” kaherë e kanë shitë dhe kohë pas kohe nëpër kafenetë në “Serbinë e ngushtë” deri në fajron vajtojnë me nostalgji, “duke porositur edhe një raund pije”, me repertor nga Prizreni dhe Zhupa e Siriniqit. Kosova gjithashtu është edhe pjesë e hordhive të simpatizantëve, edhe pse së paku një e treta e tyre nuk dinë t’i numërojnë as pesë qytete apo manastire të Kosovës.

Për fat të keq, Kosova u shndërrua në monedhë të çmueshme për pazaret e politikanëve të sotëm dhe pjatëlëpirësve të tyre nga Beogradi dhe Prishtina. Kosova, tani si një top ping pongu, kohë pas kohe gjuhet nga zotëruesit nga Uashingtoni dhe Moska.

Me muaj të tëra Kosova është topi i bardh të cilin nëpër bilardon ballkanike, çdonjëri me takun e vet po e shtyjnë dhe godasin, edhe Kremlini, edhe Shtëpia e Bardhë edhe Brukseli, varësisht se kur dhe si i ngrihet Krimea, dhe ditëve të fundit edhe Katalonja. Dhe tani, Beogradi, nëpërmes të folk-diplomacisë së Dacic’it, me shumë kënaqësi i porositë Brukselit: ja pra, po kërcen arusha edhe para dyerve tuaja, ju dyfytyrësh!

Për shkak të pozitës së vet gjeografike, politike dhe të kaluarës luftarake, Kosova është  shndërruar në një lojë pokeri në të cilën çdokush ka, apo mendon se ka nga një as në mëngë.

Pyetja është se sa jemi, në të vërtet, të vetëdijshëm, në mënyrë kolektive apo individuale, se Serbia në Kosovë ka histori, por po e humb gjeografinë? Përgjigje ose nuk ka ose ende askush nuk po e thotë me zë. Vetëm se aty këtu ndonjëherë përmendet vetë sa të mbahet vëmendja në brengosjet shtetërore dhe kishtare për “vatrat shekullore kosovare”.

Kështu, pasi javën e kaluar delegati i autorizuar amerikan e tronditi Beogradin me porosinë se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige, u paraqitën patriarku Irinej dhe shefi Vucic dhe i kumtuan kombit se në lidhje me pozitën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, “janë të nevojshme investimet e mëtutjeshme “për t’i mbrojtur monumentet më të rëndësishme kulturo-historike”, dhe shtojnë se shteti serb “duhet të mbrojë pavarësinë dhe lirinë e vet”, dhe se “duhet të marr vendime për veti dhe për ardhmërinë e saj pa përzierje nga jashtë”.

Në ndërkohë Beogradi mburret me preambulën e Kushtetutës se “Kosova dhe Metohia” janë pjesë e territorit të Serbisë, në paratekstin e kësaj Kushtetute  shkruan se si Prishtina dhe rreth dyzet komuna përreth janë nën “obligimet kushtetuese të gjithë organeve shtetërore të cilët i përfaqësojnë dhe i mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë dhe Metohi”.

Pra, Kosova është pjesë e Serbisë në letër, dhe letra duron gjithçka.

Dhe çfarë po ndodh në ndërkohë? Çdo ditë po ndërrohet fjalori politik… Në fjalorin e përditshëm po futen atributet të cilët  po e definojnë Kosovën si një realitet ndryshe në të ardhmen.

Kryetari serb Aleksandar Vucic, në mënyrë indirekte ka paralajmëruar se faqja e historisë ngadalë po sillet. E kjo duket se është përgatitje për ndryshime të cilat herët a vonë do të ndodhin.

Është fakt se Serbia kurrë nuk ka thënë: “E pranojmë pavarësinë e Kosovës”, dhe kështu, në mënyrë eksplicite me siguri edhe nuk do të thotë kurrë. Mirëpo, në ndërkohë përditshmëria në terren dhe në praktikë tregojnë gjendjen de iure dhe de facto, sepse “kalimet administrative” tashmë janë bërë kufij në të dy anët e të cilëve policia dhe dogana i pranojnë njëra tjetrës dokumentet dhe vulat. Beogradi me shtetësinë e vet nuk i lejon Prishtinës hyrje në institucionet kyçe ndërkombëtare siç janë KB, dhe nëpër takime dhe konferenca kërkon fusnotën afër emrit të Kosovës, por në ndërkohë duke marrë pjesë në zgjedhje, në mënyrë të pakontestueshme i pranon jo vetëm zgjedhjet por edhe pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv të Kosovës.

Përndryshe, disa javë më parë, Lista Serbe (e cila është parti simotër e përparimtarëve të Vucic’it) i mundësoi me votat e veta “armikut më të madh” të paradokohshëm të Serbisë, Ramush Haradinajt që ta merr pushtetin në Kosovë.

Më pas, me pak dramë dhe vonesë strategjike, Vucic me autoritetin e vet gjykoi që gjykatësit dhe prokurorët serb mund të japin betimin si pjesëtarë të drejtësisë kosovare.

“Sa më përket mua, unë kam dhënë leje si kryetar”, ka thënë Vucic, duke përkujtuar se edhe qeveria ka thënë leje.

“Ne jemi të gatshëm, çfarë premtojmë dhe nënshkruajmë, atë edhe e bëjmë… Ndërsa këtyre, të cilët janë garantues të plotësimit bë detyrimeve (Brukselit), as 1.643 ditë nuk do t’iu shkojë ndërmend që t’iu japin vërejtje (Prishtinës), ka thënë Vucic.

Duke komentuar pranimin e mundshëm të Kosovës në UNESCO, shefi i diplomacisë serbe Ivica Dacic, më 21 shtator e përdori sintagmën deri tani të padëgjuar: “Kosova nuk mund ta mundë Serbinë”. Më pas më 14 tetor, në tekstin autorial për tabloidin “Alo”, e quajti Kosovën “të ashtuquajtur”. “E shoh se shumica flasin se e ashtuquajtura Kosovë do të fitojë karrigen  në KB, por këto tregime janë sipas parimit “qenët lehin, era i bartë”.

Kosova nuk mund ta mund Serbinë? E ashtuquajtura Kosovë? “Emocionet e tepërta”, “një hap para me të cilën nga mitologjia kalohet në ardhmëri”, “duart e përlyera nga kompromiset…” Çfarë ka ndodhur në ndërkohë me “zemrën e Serbisë”?

Disa ndryshime janë të qarta, por, popullata nuk e dëgjon apo nuk e regjistron, i ngarkuar me luftë për ekzistencë dhe i hipnotizuar me lirinë vulgare të medieve të kontrolluara.

Ndoshta nuk kam të drejtë, por me dëshirë do të dëgjoja çdokënd i cili me argumente ma heq prej mendjes se në ndërkohë edhe Kosova është bërë një sandviç  për masat popullore i cili iu shërbehet derisa të hipnotizuar i ngulin sytë në prostitucionin “reality” nëpër ekrane të vogla me frekuenca kombëtare. Apo është strategji që njerëzve kështu çdo ditë iu vritet realiteti, njolloset vetëdija dhe i fyhet mendja e shëndosh, ndoshta, një ditë më lehtë do të pranojë se “zemra e Serbisë” është në kufi të infarktit dhe se për një kohë “duart do të përlyhen nga kompromisi”. (Ky opinion është shkruar nga Velimir Ilic për Aljazzera Balkans, përkthyer nga gazetametro.net)

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë