Sislej Xhafa, i cili po e përfaqëson Kosovën me instalimin Lost and Found (Të humbur dhe të gjetur), thotë se arti është shpresa e demokracisë së vërtetë.
Artisti kosovar Sislej Xhafa u paraqit në Bienalin e Venedikut, në ngjarjen më të madhe të artit modern, me veprën minimaliste, e cila në mënyrë të fuqishme shpreh respekt ndaj personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në manifestimin artistik më spektakolar të këtij lloji, prezantimi i Xhafës “Lost and Found” në pavijonin e Kosovës merret me çështjen e cila një kohë të gjatë e tronditë atdheun e tij.
Lufta ka përfunduar më 1999, por 1.664 njerëz ende janë të regjistruar si të humbur. Për artistin, kjo çështje nuk është i kufizuar me kufijtë gjeografikë, por ka të bëjë me të humburit gjithkund.
Puna e prezantuar në hapësirën ekspozuese “Arsenale” është mbi bashkëveprimin, heshtjen dhe prezencën. Përbëhet nga hapësira e cila në shikim të parë është e zbrazët, përveç një kabine të vogël.
Kabina është e ndërtuar nga paletat e drurit dhe najlonit, të cilët janë përdorur për kthim të tre mijë mbetjeve mortore të të zhdukurve në luftën e kaluar, të gjetur nëpër varreza masive në Kosovë dhe Serbi.
Telefoni kurrë nuk cingëron
Mbishkrimi në kabinë është “Lost and Found”, ndërsa një telefon i zi i vetmuar kurrë nuk cingëron. Libreza e cila duket si numërator telefonik, është lista me emrat e 1.644 njerëzve të zhdukur. Në ditët e hapjes së ekspozitës, “tellalli” endej jashtë Giardin’it, kohë pas kohe duke i thirrur emrat e personave të zhdukur. Në katalogun kryesor, pas emrave të personave të zhdukur, janë shkruar vargjet e Ali Podrimjës: “Nganjëherë dua të jem lumë – të rrjedh nëpër damarët e tu, gemb ëndrre dua të jem nganjëherë – dita e nata jonë të pushojnë n’mua, nganjëherë duat të jem ti oj – heshtjet e shirat e kohëve t’i ndiej, dua të jem atje nganjëherë – ujrat e tua deri n’pikë t’i pi, Kosovë – zjarr në damarët e mi”.
Xhafa thotë se ishte i kapluar me ndjenjat e forta me rastin e ekspozimit në Bienal. Duke e përshkruar veprën, ai thotë: “Nëpër aeroporte dhe stacione hekurudhorë zakonisht kanë kabina “Lost and Fonud”, por kjo është e kundërta e tyre. Ekzistojnë 1.664 njerëz të cilët janë të zhdukur, dhe aq familje ende presin. Ky është problem i madh dhe i dhimbshëm”.
Instalacionin e ka bërë pasi që ka dëgjuar tregimin mbi babanë i cili ka pasur tre djem të zhdukur. Duke pritur lajme, një natë i ka cingëruar telefoni. Si është lajmëruar, lidhja ishte ndërprerë. Nga ajo natë, ai ka jetuar në pritjet thirrjes tjetër. Katër vite, derisa ka vdekur, ky baba ka pritur telefonin të cingëroj.
Xhafa, i njohur si artist konceptual bashkëkohor, e sheh artin si shpresë. Është i interesuar për elementin njerëzor në kushte johumane.
Projekti “Lost and Found” hap shumë pyetje mbi lirinë, jo baraspeshën shoqërore dhe padrejtësinë si problemet kryesore të njerëzimit në këtë moment.
Xhafa i cili është i lindur në Kosovë në vitin 1970, hulumton përmes artit realitetin e përditshëm, shoqëror, politik dhe ekonomik, të lidhur me kompleksitetin e shoqërisë moderne.
I sfidon stereotipet
Duke folur për ndikimin e artit në shoqëri moderne, Xhafa thotë: “Arti mund të stimulojë dhe të sqarojë. Arti nuk jep përgjigje, dhe kur jep përgjigje, nuk është art. Dizajni mund të jep përgjigje, por jo edhe arti. Roli i artist është që, në planin individual, njeriu të përjetojë “dimensione të ndryshme”. Arti nuk mund të ndryshojë, sepse nuk ka forcë për ndryshime. Ky është proces i gjatë politik dhe ekonomik. Besoj që arti është proces i vetëm demokratik i cili sot ekziston. Arti është shpresa e demokracisë së vërtetë”.
Puna e tij shpesh shkakton stereotipe kulturore dhe struktura institucionale.
Edhe pse më herët i ka përfaqësuar Shqipërinë dhe Italinë në Venedik, pjesëmarrja e parë e Xhafës në këtë ngjarje ka qenë në vitin 1997, kur hyri “ilegalisht”. Xhafa hyri në Bienale dhe i vizitoi pavijonet kombëtare i veshur si anëtarë i përfaqësueses shqiptare të futbollit, duke e mbajtur në dorë një flamur të vogël shqiptar derisa emetonte incizimin e një loje futbolli në mes të Italisë dhe Shqipërisë.
Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 39 të Bienalit, duke dashur të tregojë kompleksitetin e përjashtimit dhe përfshirjes. “Clandestine Pavillion (Pavioni klandestin) është përmendore e fuqisë në lëvizje. Kultura jonë është në lëvizje”, thotë artisti i cili jeton në mes të Italisë dhe Nju Jorkut.
Ai thotë se është lehtë të përshtatesh në çdo mjedis, por prej shkuarjes nga Kosova kurrë nuk e ka nënçmuar dhe gjithmonë e ka përfillur vendin e vet.
“Ajo është diçka e shenjët për mua. Ajo mëhallë, ajo baltë nga vijë, është pasuri për mua dhe këtë pasuri dëshiroj të shndërroj dhe metabolizoj në diçka magjike, nëpër vendet dhe kohërat tjera”.
Puna e Xhafës do të mbetet e ekspozuar deri në fund të Bienalit, në nëntor.
(Botuar në Aljazzera – në shqip nga Gazeta Metro)