Loading…
Kujdes: Vezët e kontaminuara tashmë gjenden në 15 shtete të BE’së
  • 11/08/2017 | 19:36

...

Në pesëmbëdhjetë shtete të Bashkimit Europian po ashtu në Hong Kong dhe Zvicër ka mbërritur veza e kontaminuar me insekticidin fipronil, bën të ditur Komisioni Europian i cili do të mbajë një takim më 26 shtator.


Komisioneri Europian për Sigurinë e ushqimit Vytenis Andriukaitis ka kërkuar që vendet t’i japin fund fajësimit të njëri-tjetrit lidhur me skandalin e vezëve.

Sipas tij, ministrat europianë dhe rregullatorët e ushqimit duhet të takohen menjëherë për të diskutuar masat për këtë çështje. Vezë me prejardhje nga Holanda janë zbuluar se përmbajnë fipronil, një insekticid i rrezikshëm për njerëzit dhe gjithashtu një substancë e ndaluar nga Bashkimi Europian për përdorim në industrinë e ushqimit.

Mbikëqyrësi britanik i ushqimit deklaroi se rreth 700,000 vezë nga ferma të ndotura holandeze kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, përkundër një përllogaritjeje të mëhershme prej 21,000 vezësh.

Sidoqoftë, Agjensia e Standardit Ushqimor në Britani është shprehur se nuk ka gjasa që kjo situatë të shkaktojë rrezik për shëndetin publik. Ushqimet e përpunuara që përmbajnë vezë tashmë janë tërhequr nga dyqanet në disa qytete, ndërkohë që edhe supermarkete në Belgjikë, Holandë e Gjermani kanë tërhequr miliona vezë nga shitja.

Holanda është prodhuesi më i madh i vezëve në Europë dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të vezëve dhe produkteve të tyre në botë.

Më shumë se 100 pulari në vend janë mbyllur gjatë hetimit lidhur me këtë skandal. Kimikati fipronil që përdoret për të kuruar sëmundjet parazitare tek kafshët, mund të shkaktojë dëme në mëlçinë, veshkat dhe gjendrat tiroide të njerëzve nëse konsumohet në sasi të mëdha.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë