Loading…
Kujtohet regjisori i ‘Nëntorit të Dytë’
  • 16/06/2017 | 09:09

...

Viktor Gjika lindi më 23 qershor 1937 në Korçë dhe vdiq me 3 mars 2009, duke lënë kështu pas vetës një krijimtari të begatë artistike.


80-të vjetori i lindjes së Viktor Gjikës, një emri të rëndësishëm në historinë e kinematografisë shqiptare do të festohet më 23 qershor në Ministrinë e Kulturës. Ftesa mban emrin e Qëndrës Kombëtare e Kinematografisë dhe Forumit të Mbrojtjes së Autorëve të Audiovizualit. Gjatë aktivitetit do të shfaqet një Etyd i veprës artistike me vlerësime dhe kujtime të artistëve, miqve dhe kolegëve të regjisorit. Viktor Gjika lindi më 23 qershor 1937 në Korçë dhe vdiq me 3 mars 2009.

Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik “VGIK” në Moskë, për operator filmi. Është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Rezistencë”, “Gjeneral gramafoni” “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë”, “Vjeshtë e nxehtë e ’41-it”, “Njerëz në rrymë”, dokumentarët “Unë jam Ismail Qemali”, “Kur ikin korbat (Kosovë)”, “Gjuhë që nuk vdes”, “Arti shqiptar në shekuj”, “Enver Hoxha tungjatjeta”, “Rron o rron nuk vdes Fan Noli” etj. Gjatë gjithë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Në vitin 1977 i jepet titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”.

“Sa herë që emri i mjeshtrit Viktor Gjika shfaqet në film në cilësinë e regjisorit, spektatori duhet të jetë gati për të kundëruar një poezi ngjyrash, tingujsh e imazhesh të cilat e veçojnë plotësisht punën e tij nga regjisorë të tjerë. Ngrohtësia e Korçës nën dëborë gjatë « Përballimi » (1976), mandolinat, borgjezinë e dikurshme, rrugicat, kafenetë, pazarin edhe pse realiteti rural e cënon disi panoramën e përgjithshme qytetare apo tingujt e klarinetës magjepsëse të Bujar Lakos të cilat ndalojnë të qarat e fëmijës në dhimbjen e humbjes së gjyshit në protestë kundër monarkisë te « Gjeneral Gramafoni » (1978), shkruan aktuale.mk.

Mundësinë e një dashurie thellësisht shqiptare mes Bardhylit dhe Zanës si edhe peizazhi i jetës studentore te « Në çdo stinë » (1980), apo ndjenjat patriotike që marrin hov sa herë që shohim figurat e Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Luigj Gurakuqit te « nëntori i dytë » (1982), janë disa prej veprave të tij që kanë lënë shenjë të thellë në kujtesën tonë kolektive. E pikërisht, elementi emocional është ai që më tepër se çdo gjë tjetër përbën emëruesin e përbashkët të këtyre filmave. Në një farë mënyre mund të themi se arti i Gjikës zotëron veçanërisht pushtetin e ndjenjave mbi spektatorin, të dashurisë apo të revoltës, të manipulimit emotiv si mjet i ideologjisë totalitare. Por ky manipulim i kudo dhe i kurdondodhur në kinema si një fabrikë e magjisë në një pjesë të konsiderueshme të tij zhvishet nga kuptimi krejt instrumental i manipulimit vulgar politik, nga ai që quhet politizim i artit”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë