Loading…
Kur një mysliman shkodre niset me “sha” një katolik shkodre
  • Nga

  • TAULANT KOPLIKU

  • 05/09/2017 | 20:50

...

Gjithë sa shkruaj më poshtë është një histori e vërtetë dhe me personazhe reale…

Ka nja dy ditë që kam marrë qëndrim luftarak. Mendohem me u ul në tastierë e me t’iu shpërviel katolikëve e me i mbyt krejt, meqë bomba nuk jam i aftë me vu. Shumë prej nesh e kanë thy tastierën tashma. Edhe nga ana tjetër kanë ba llogoret e na janë turr. Po na thonë mongolë e talebanë.

Tash, thashë edhe unë si musliman, me babë Njazi dhe me gjysh Hamit, duhet me sha randshëm me thanë të drejtën.

Sa u ula, nisa me mendu se kush ka me e lexu. Mu kujtun’ direkt shokët e lagjes, ku jam rrit e kam kalu pjesën ma të bukur të jetës. Renato, Fredi, Andi, Denisi, Herjoni, Elton, Elvis, Oliver. Yyyyy sa shumë.

Dreq. I kam shokë prapë. Disa në Itali e disa në Shkodër. Mezi presim me u mbledh me pi ndonjë birrë a ndonjë ven. E flasim deri në sabah për tana marrinat e botës, perveçse për hoxhë e prift.

Përpushem me vedi e s’më del inati. Mendoj me djallëzi me i fshi për disa ditë prej miqësisë në fcb e mandej këtu jena, i kthej prapë.

Ulem gëzueshëm me shkru, kur me kujtohen do të tjerë, shokë të mirë fort, edhe pse ma të vonë.

Elvin, që sa herë kthehem në Shkoder, përfundojme te Elita e aty ulet me ne edhe Genti.

Të dy katolikë 24 karatesh. Kenaqena me biseda aty dy hapa prej kishës s’fretenve, e pak ma larg del diku njëra minaret, por birra me krikëll asht nam krejt.

Shkoj në Tirane e më pret Ylli, katolik rrethinash :-), që më con me zor te shpia diku andej nga Fresku. Ka raki super në shpi, se e ka gruan nga jugu (bektashi). ‘’Marrinat’’ tona nuk kanë fund, kur bahena edhe me Jemirin. Për fe? Po ngacmohena. Ai me shan katolikët, e unë myslimanët. Ata radikalët kuptohet.

The tower of Shkodër Cathedral, also known as St Stephen’s Catholic Cathedral, framed by two minarets of a neighborhing mosque, in Shkodër, Albania

Po shokët e TV Rozafës, Berti, Blerti, Çesari apo Dorian. Medet se u bana hor sonte.

Por e kam nda menjen. Nuk kam ça me i ba askujt.

Aty, me kompjuter në prehër, kthej sytë majtas e djathtas. Përkrah kam gruan, që ka babë Nikolinin e nanë Rozinën.

Asht edhe motra e Gjergjit.

Mandej janë dy fëmijët e mëdhenj. Ata janë mbesa e nipi i Margaritës e Marashit.

Ehhh, ça qenkam rrethu keq more njerëz. Po i bje me sha gjakun tem këshu a më duket.

Dal pak në ballkon me u qetësu e me bjen telefoni:

‘’Hë maj nan si po kalon? A keni dal ndopak si ditë e diel’’?

‘’Hë Kime….. (se unë jam fort ‘’modern’’ për ta thirr nanë dhe e thërras Kime). Ça bane? Si po kaloni?

‘’Hiç për zotin. Mirë. Na mblodhi Klara e na nxori një darkë për Bajram’’.

‘’Kush moj, kush’’?

‘’Klara mor. Gruja e Marinit, shoqja jeme e punës’’.

‘’Ajo ty? Për Bajram’’?

‘’Po pra. Na mblodhi në Velipojë, s’la kënd me pagu. E ka kryt mushkë’’!!!

U ktheva, e mbylla kompjuterin. Pshtunë katolikët prej meje.

Tan shans janë. A i pshtoj dreka e Klarës apo sa shkrujta ma sipër, hala nuk e kam vendos.

Nga Taulant Kopliku

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë