Loading…
Lajmet e rreme dhe nevoja për reagim shoqëror
  • Nga

  • ALBAN ZENELI

  • 27/04/2018 | 10:44

...

Në fillim të këtij diskutimit dëshiroj të ju them që shumë gjëra që mund t’i themi tani në fund të takimit mund të mos jenë të vlefshme. Kjo gjë ndodhë thjeshtë për shkak të zhvillimeve shumë të shpejta në platformat e mediave të reja dhe sidomos në platforma që njihen si rrjete sociale. Prandaj, verifikimi i informatave që marrim çdo ditë është i domosdoshëm, para se të biem pre e ndonjë të pavërtete ose lajmi të rremë që mund të prodhohet për shumë arsye.

Sipas fjalorëve online kuptimi i fjalës “fake news”është një raportim i falsifikuar i një ngjarjeje që është shkruar dhe lexuar në ueb-faqe. Por me shumë gjasë ky është një përkufizim shumë i ngushtë i këtij problemi, së pari në gabim logjik, pasiqë nuk mund të jetë lajm një gjë e pavërtetë. Lajmi i rremë është fjala më e përdorur e vitit të kaluar në botë, por mendoj që gjeneza e këtij problemi është shumë më herët sesa kjo fjalë të bëhet e famshme. Sipas studiuesve eminent të kësaj fushe, propaganda është forma më e vjetër e lajmit të rremë që ka lindur thuajse në të njëjtën kohë me lajmin.

Përveç propagandës si formë e lajmit të rremë ka edhe shumë lloje të tjera të tij, të cilat do të provoj t’i përmbledh shkurtazi: forma e parë e lajmeve të rreme në internet është kur lidhja në mes të titullit, fotografisë e paralajmërimeve të tjera me përmbajtjen nuk ekziston, lajmi është i rremë edhe nëse vendoset në një kontekst tjetër pra kur konteksti i ngjarjes ose deklarimit është ndërruar. Një lloj tjetër i lajmit të rremë është kur përmbajtja e produktit medial, informacioni ose fotografia është e manipuluar.

Pastaj satira dhe parodia renditen si lajme të rreme në listimet për këtë problem, ky lloj i lajmit të rremë nuk ka për qëllim të shkaktoj dëm por është lloj i lajmit i cili potencialisht mund të shkaktoj lajthitje tek publiku. Një lloj tjetër i lajmit të rrem është lajmi me përmbajtje çorientuese i cili ka për qëllim të kornizoj apo kurdis raportimin për çështje apo individ. Lloji tjetër është lajmi me përmbajtje mashtruese në të cilin janë të përfshira burimet me emra të vërtetë por të cilët nuk i kanë dhënë ato informacione apo deklarata. Dhe lloji i fundit është kur e tërë përmbajtja është 100 % e pavërtetë e cila njihet si përmbajtje e fabrikuar e cila dizajnohet të gënjejë e mashtroj me qëllim për të shkaktuar dëm.

Si mundet shoqëria të mbrohet nga këto lloje të lajmeve të cilat nuk janë të vërteta?

Për t’u zvogëluar ndikimi dhe rritja e dezinformomi, mendoj që shoqëria kosovare duhet të ndërmarrë disa hapa në fushën e edukimit, rregullimit ose vetrregullimit të mediave dhe në rritjen e profesionalizmit të tyre.

Hapat të cilët do të ndihmonin që kjo situatë të përmirësohej duhet të fillonin nga shkollimi publik i fëmijëve tanë, me gjithë respektin për fushat tjera, aktualisht mendoj që është shumë më e nevojshme që edukimi për mediat të futet si lëndë në shkollimin e mesëm publik në Kosovë sesa disa lëndë të tjera, përmbajta e të cilave tashmë është e tejkaluar. Përveç nevojës shoqërorë që të rinjtë të mësojnë t’u rezistojnë mesazheve të mediumeve që mund të jenë të pavërteta, futja e edukimit për media në shkolla publike është edhe rekomandim i BE-së për vendet anëtare dhe vendet që pretendojnë anëtarësimin.

Po ashtu, shoqëria civile, grupet e studentëve, apo grupet tjera sociale, duhet të diskutojnë për këto probleme në forume të ndryshme, formale e jo-formale.

Në të njëjtin drejtim duhet të punojnë edhe mediet kredibile në vend. Ne e shohim shpesh që edhe mediumet kredibile në vendin tonëtundohen nga nevoja për klikime, por besueshmëria e publikut mendoj qëështë më e rëndësishme sesa klikimi. Mediet kredibile mund të luftojnë lajmet e rreme, atë që Stephan Rus-Mohl e quan shkrimi për gazetat ose mediumet tjera. Pra, mediat kredibile duhet të harxhojnë një energji shtesë për të demaskuar lajmet e pavërteta përmes teksteve të tyre të vërteta.

Komunitetit të mediave dhe gazetarëve në Kosovë do t’u shërbente shumë edhe një organ vet rregullues për mediat online, organ i cili fillimisht do të ishte një referencë morale për komunitetin, e pastaj do të shndërrohej edhe në referencë kredibiliteti shoqërorë për këto probleme.

Po ashtu, përdorimi i rrjeteve sociale si burim i informacionit për gazetarët është duke u rritur çdo ditë dhe kjo paraqet një sfidë të re për profesionistët. Duke u nisur nga një hulumtim i bërë pesë vite më parë me gazetarë të redaksive të mediave online në Kosovë, mund të them që përdorimi i këtij lloj të burimit është i pashmangshëm, por në të njëjtën kohë shkakton shumë probleme në raportimin e saktë.

Nga hulumtimi që kam bërë, del që 95 për qind të gazetarëve që kanë përdorur rrjetet sociale (postime në facebook) si burim për lajmet e tyre, iu ka ndodhur që së paku një deri në tre herë lajmi të iu del i rremë. Kjo gjë ndodhë kryesisht për shkak të mungesës së kohës së nevojshme për ta verifikuar këtë lajm. Për këtë çështje duhen që gazetarët të marrin disa masa: e para nga këto është verifikimi i informacioneve, e dyta balancimi i lajmeve edhe me palë të tjera të përfshira në ngjarje, dhe atë që e quaj unë “të marrin frymë” para se ta publikojnë.

Këto besoj që do të ishin masat e para që shoqëria jonë duhet t’i marrë në mënyrë që të zvogëlojnë ndikimin potencial të lajmeve të rreme e rrjedhimisht edhe keqinformimit e publikut nga mediume të caktuara.

(Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është pjesë nga diskutimi i autorit në debatin me temë: “Lajmet e rreme, identifikimi dhe mbrojtja prej tyre” që është mbajtur më 25prill në Fakultetin e Filologjisë.)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë