Derisa Ramush Haradinaj po insiston që raporti i Bulliqit të mos minimizohet dhe të përfshihet në projekligjin për Demarkacionin, Fatmir Limaj thotë se për të është e rëndësishme vetëm deklarata e presidentëve, atij të Kosovës dhe Malit të Zi, përcjell Gazeta Metro.
Në një intervistë në RTV Dukagjin, Limaj ka theksuar se Mali i Zi ka bërë një hap të rëndësishëm, të vullnetit të mirë, për të bërë veprimin që është bërë javën e kaluar.
“Po mos të kishte problem, që na ka përcjellë ky demarkacion, për të shkuar puro, me ligj, me rregull, si duhet… ka qenë dashur të jetë vetëm marrëveshja, një nen, marrëveshja e 2015-s, dhe të ratifikohet”, është shprehur ai.
Ndër të tjera Limaj ka theksuar se situata e tanishme e demarkacionit është ndryshe nga ajo që ka qenë para tri viteve.
LEXO EDHE: Mospajtimi i Haradinajt me LDK’në që po e pamundëson kompromisin për Demarkacionin
“Nuk jemi në atë situatë. Që tri vjet s’jemi në atë situatë. Jemi në situatë krejt tjetër. Përveç asaj marrëveshjeje, ka dalë edhe një deklaratë e dy presidentëve”, ka shtuar ai.
“Dhe tash po flasim për një ligj përcjellës, unë kështu e shoh të paktën, që e ka marrëveshja e 2015-s, por e ka edhe deklaratën e presidentëve, që e rikonfirmon edhe njëherë, në mënyrë specifike, e zbërthen deri në fund, pikat problematike me të cilat kemi telashe, e që jep mundësi komisioneve të përbashkëta me rishiku aty ku ka pasur telashe dhe të korrigjohet”, është shprehur Limaj./Gazetametro.net