Loading…
Loja me Kurtzin dhe tarifa e z. Haradinaj
  • Nga

  • ARDIAN KASTRATI

  • 30/11/2018 | 14:21

...

Pas dështimit të pranimit të Kosovës në Interpol, Sloba i vogël (Ivica Daçiq), nga personaliteti i tij grotesk e hodhi pa maska në horizont tërë masën diabolike të koncentruar që nga koha kur në njërën anë me biberon dhe gjidhënie politike e ka ushqyer Lady Macbeth e Beogradit (Mira Milosheviq), ndërsa, në anën tjetër, burri i saj, Slobodan Milosheviq, i ka lexuar pjesë nga libri i tij “Godine Raspleta”. George Orwel thoshte: “Qëllimi i një shakaje nuk është ta degradojë njeriun, por t’i tregojë atij se tashmë i tillë është”.

Daçiqi tha afërsisht kështu: “Preko koga su hteli, tako su i prošli”, që në gjuhën shqipe do të thotë: “Nëpërmjet kujt deshën (pra përmes Kurtzit), ashtu edhe kaluan”. Në mënyrë metaforike iu referua lobimit për pranim në Interpol që delegacioni i Kosovës e ka bërë përmes kryeministrit austriak z. Kurtz, sepse ky mbiemër (Kurtz) në gjuhën serbe (Kurc) e ka kuptimin e organit mashkullor. Besoj se ata që nuk e dinë serbishten tani e kuptuan se cila është etika provinciale e primitive e komunikimit të ministrit të Jashtëm serb.

Nuk e vlen të trajtohet gjuha mesjetare e plot urrejtje e Daçiqit, megjithatë, në funksion të deshifrimit të raporteve aktuale politike Kosovë-Serbi do të vazhdojë edhe pak me nuanca të gjuhës së Daçiçit, në mënyrë që ta dekonstruktojmë lojën e tij me “Kurtzin”.

Nuk është hera e parë që Daçiqi luan me “Kurtza”. Së bashku me shefin e tij, Milosheviqin, kanë luajtur kështu me arrogancë edhe viteve ‘90, por ndërkohë kanë përfunduar me plot “kundër-kurtza” nga palët e tjera. Humbjet e tilla i shkojnë për shtati Daçiqit, sepse koincidentalisht mbiemri i tij që përfundon me “iq” korrespondon me mbiemra si “Kurçiq”, që në gjuhën serbe (kurcic) është sinonim për përmasat e vogla të organit gjenital mashkullor. Ka mundësi që duke vuajtur nga ky inferioritet politik Daçiqi ka tentuar të luajë, siç do të shpreheshin ata në gjuhën e tyre, “kurcevito” (po e përkthejmë më butë: pra ka dashur të na tregojë të fortin). Mirëpo, kësaj radhe Kosova po ashtu i dha një “kontrakurtz” të thellë (për t’u shprehur në gjuhën e tyre), ama jo klounit që e dha shfaqjen, por qytetarëve serbë në Serbi.

Meqenëse klouni Daçiq e mori në gojë shpesh “Kurtzin”, qëllimi ekskluziv i z. Haradinaj nuk ishte për një “kontrakurtz” të tillë. Vendimi i tij për tarifën 100% përbën një luftë të z. Haradinaj brenda mikroplanit politik të Kosovës, e më pak është sinjal për BE-në dhe për regjimin në Beograd. Pra, aktualisht, loja me “Kurtzin” dhe tarifa 100%, sa i përket konsumit të brendshëm politik, në njërën anë, politikisht i konvenon zëdhënësit të gjenocidit dhe të krimeve të luftës të viteve ‘90 dhe shefit të tij Vuçiq, dhe, në anën tjetër, z. Haradinaj. Përderisa kjo lojë e godet shumë qytetarin në Serbi dhe gjithsesi edhe qytetarin e Kosovës, të shkojmë me radhë.

Daçiqi, i njohur si një “gjeni” që iu këndon diplomatëve të huaj me turbo-folk në cilësinë e një  “Schlager” këngëtari (në serbisht: slager pevac), u fut në dëlir me metaforën e tij “përmes kurcit”, duke menduar që do të shkaktojë simpati dhe të qeshura të mëdha te qytetarët serbë. Megjithëse ky “humor” i tij i arriti lartësitë e “humorit” të Sheshelit të viteve ’90, që kishte pasoja gjenocidi, qytetarët serbë, shumica e të cilëve jetojnë vetëm me 200 euro në muaj, nuk është se janë aq të entuziazmuar me humorin e Slobës së vogël.

Sipas Entit Republikan për Statistika të Serbisë, rroga mesatare (neto) në gusht 2018 në Serbi ka qenë 421 euro, më e ulëta në raport me ish-republikat jugosllave (pa Kosovën dhe Maqedoninë) nëse krahasohet me Slloveninë (1082 euro), me Kroacinë (843 euro), me Bosnjë- Hercegovinën (448 euro) dhe me Malin e Zi (512 euro). Kësaj gjendjeje i kontribuoi “humori” i Daçiqit, duke provokuar vendimin për tarifën 100% nga ana e Qeverisë së Kosovës. Sipas statistikave të Odës Ekonomike në Serbi, shkëmbimi tregtar i Serbisë me Kosovën del të jetë pesëfish më i madh se me Rusinë (464 milionë euro, nga të cilat 440 milionë janë eksporte serbe në Kosovë).

Tani ky eksport është praktikisht i pezulluar për afro 3.000 kompani serbe, të cilat tregtojnë me Kosovën e që afërsisht i punësojnë rreth 30.000 punëtorë, e të cilët së bashku me anëtarë të familjeve të tyre mund të jenë rreth 100.000 qytetarë serbë që do ta ndiejnë tarifën e Qeverisë së Kosovës në “lëkurën” e tyre. Por, kjo është pikërisht çfarë do regjimi në Beograd, fitore personale për Daçiqin e Vuçiqin, duke i bërë ata “heronj” për Interpolin dhe duke marrë një disfatë momentale ekonomike për popullin serb, në këtë rast “të viktimizuar”, për shkak se vendimi për tarifën nga ana e Kosovës, sipas tyre, “përkrahet” edhe nga Perëndimi. Siç e kam thënë në një shkrim më herët, kjo i korrespondon tezës serbe të prodhimit të “heronjve individualë”, në këtë rast si Daçiqi e Vuçiqi dhe “heronjve të vërtetë”, që në këtë rast është populli “i viktimizuar” serb.

Kjo e vërteton se hipokrizia mbetet ligj në politikën e Serbisë. Pavarësisht dëmit për qytetarin serb, regjimi i Vuçiqit ka llogaritur se kjo mund të bëhet një “win-win” situatë për ta. Në njërën anë, do ta shfrytëzojnë këtë “viktimizim” të popullit serb në planin e brendshëm për t’ia trasuar rrugën aprovimit publik lidhur me “kompromisin final” për Kosovën, me justifikimin se Kosova e shtete të caktuara perëndimore tani, përveç tjerash, po i shkatërrojnë edhe ekonominë dhe ekzistencën e popullit serb në Veri, ndërsa, në anën tjetër, duke punuar që sa më afër marrëveshjes të jenë aq më shumë të ndërrohen faktet në terren (me bojkot masiv ndaj Prishtinës në Veri). Kjo është “win-win” edhe për Radojçiqët e Veselinoviqët, të cilët nuk do të ndiqen nga Interpoli dhe do t’i kontrabandojnë mallrat serbe në kufirin e gjelbër, ndoshta në raste të caktuara edhe me ndihmën e institucioneve të rëndësishme në Prishtinë.

Në anën tjetër, z. Haradinaj e sheh këtë vendim po ashtu si një “win-win” situatë për kalkulimet e tij politike. Në “Disneylandin” ku ne po jetojmë nuk dallojmë me fqinjët që na rrethojnë sa u përket reagimeve emocionale dhe populiste, sepse jemi afërsisht e njëjta proveniencë, pra vijmë nga e njëjta fasule.

Ky vendim në natyrën e tij është populist. Përmes vendimit për tarifën 100% z. Haradinaj ma kujton afërsisht personazhin e plakut Santiago te “Plaku dhe deti’ te Ernest Heminguej. Plaku Santiago i vetmuar në det lufton me peshkaqenët të cilët ia kapin prenë. Në fund plaku mposht peshkaqenin, por detyrohet të kthehet në breg vetëm me skeletin e peshkut të madh, sepse mishin ia kishte ngrënë peshkaqenët. Kjo është pra triumf në një betejë, por njëkohësisht edhe humbje. Ne fakt, vendimi për tarifën 100% paraqet vetëm majën e Ajsbergut për zhvillimet politike në vijim.

Vendimi për tarifën nuk ka asnjë analizë të politikave tregtare të Kosovës.  Pasojat kanë filluar të ndihen lidhur me importimin e lëndës së parë (rritja e çmimit të bukës, etj.). Kjo taksë e z. Haradinaj me lartësi të Ginisit është po ashtu vendim i drejtuar kundër idesë së “korrigjimit” me qëllim për të zbritur pazarin politik të z. Thaçi dhe për të rritur pazarin për vete, sepse orienton qytetarin në sentimentin nacionalist, i cili gjithmonë ka efekte në mobilizimin dhe homogjenizimin e masave. Pra, është në natyrë vendim populist, manipulues dhe jashtë mainstream-it politik. E dyta, vendimi sposton vëmendjen nga përgjegjësia për dështimin e Qeverisë Haradinaj në Interpol dhe është mbulesë për keqqeverisjen dhe masakrën e paparë që po i bëhet buxhetit të Kosovës. Pra, ky është një potez i duhur dhe në momentin e duhur për mbulesën e mutsihanës së keqqeverisjes në Kosovë. Arsyeja e fundit është se aritmetikat politike lidhur me rrëzimin e Qeverisë momentalisht punojnë për z. Haradinaj dhe ky i ka llogaritur mirë këto. Presidenti Thaçi për momentin nuk e rrëzon me deputetët e vet, sepse e di që Parlamenti i ardhshëm mund të jetë më agresiv ndaj tij sesa kjo përbërja e tanishme, kurse “Kolona e pestë” e Vuçiqit nuk e rrëzon pa koordinim me Vuçiqin, sepse ende ka shumë të paqarta lidhur me kahun që do të marrë dialogu. Në anën tjetër, opozita, edhe po ta rrëzojë me Listën Serbe në planin nacional për momentin z. Haradinaj, llogarit të dalë mirë, sepse në memorien e qytetarëve zënë vend më shumë vendimi i tarifës 100% sesa aferat e skandalet e kësaj Qeverie. Pavarësisht këtyre kalkulimeve, kjo qeveri nuk ka jetëgjatësi të trajnerit e as sukses të ekipit.

Në raport me Serbinë ky është një vendim (i përkohshëm) politik dhe i duhur për rrethana të jashtëzakonshme si këto, por nga aspekti i përfitimit ekonomik të Kosovës ky gjen miratim kryesisht në terren injorance, sepse ne fitojmë vetëm skeletin e peshkut. Reagimi adekuat do të duhej të ishte një qeverisje e mirë, e cila ndërton strategji të zhvillimit ekonomik që e rrit cilësinë e prodhimit të produkteve vendore e me këtë siguron treg dhe rrit eksportet në Serbi. Strategji e planifikime të ngjashme nuk bëhen me këta 70 zv.ministra e me “këshilltarë nacionalë” humoristë që janë më se të gatuar për revistën “The Onion”. Kjo nuk bëhet me afera e skandale, prandaj ne vazhdojmë të eksportojmë në Serbi 2-3 arka speca, 4-5 arka domate, edhe aty-këtu ndonjë lakër. Vështruar nga aspekti kumulativ, kjo qeveri ka punuar aq sa kanë bërë një vrimë në ujë dhe thjesht e kanë bërë leckë shtetin me të cilën ua fshijnë jashtëqitjet bashkëpartiakëve të tyre. Pra, sado që z. Haradinaj bëri gogolin lidhur me idetë rreth dialogut, tanimë drama e tij gradualisht po e humb tekstin. Vendimi për tarifën mund të shihet si një fitore brenda dështimit të një kori të akorduar në çakordimin e tij. Ky vendim është tentim për të prodhuar një filtër përmes të cilit të destilohet karta morale e kësaj qeverisjeje, sepse tiktaku i zgjedhjeve po afron. Z. Haradinaj po mundohet që përmes vendimeve të tilla të paraqitet para publikut përmes një “morali politik”, pra të një shteti që ka moral, mirëpo shikuar nga dialektika hegeliane, kjo nuk është e mundshme kur i njëjti përmes pushtetit të këtij shteti shpesh i mohon ato që Amartya Sen me të drejtë i quante liri instrumentale të qytetarit (si të drejtat e barabarta në punësime, konkurrencë, në arsim cilësor, etj.). E kundërta e kësaj do të ishte realizimi i këtyre lirive instrumentale duke mundësuar që ato të bëhen esenca e funksionimit të shtetit me moral.

Kjo nuk është as ajo që në botën moderne njihet si “connectivity war”. Sa për lexuesin, me “connectivity war” nënkuptojmë kur një shtet i caktuar në pozita më të forta përdor për shembull tregtinë, financat, migrimin, organizatat ndërkombëtare, etj. si “armatim” për të luftuar shtetin tjetër. Shembull është se si Erdogani kërcënon sigurinë e Evropës përmes lëshimit të një milion emigrantëve nga Turqia në drejtim të Evropës apo si Rusia reagoi me anulimin e fluturimeve charter për në Turqi, si dhe stopimin e importimit të mallrave turke pasi Turqia ia rrëzoi një avion në vitin 2015. Nëse është menduar kjo tarifë si e tillë, e mua më del që çdo gjë është e pamenduar përveç kalkulimit personal politik, atëherë imagjinoni çfarë pasojash do kishim ne sikur Serbia reagon me masa si: ndërtimi i hidrocentralit nga Ribariqi deri në Novi-Pazar përmes rezervuarëve për furnizim me ujë për Novi-Pazar dhe Rashkë duke marrë ujin nga Ibri (pjesa e epërme) apo edhe nga Ujmani, meqenëse graviteti i Ujmanit është 200 metra nën një ujëmbledhës të tillë potencial, etj. Përderisa me projekte të tilla Serbia e kthen ujin prapë në pellgun e njëjtë, kjo madje, sipas tyre, nuk do të ishte as shkelje e “Konventës për mbrojtjen dhe përdorimin e rrjedhave ujore ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare” (traktatet e UNECE’s) për arsye se Kosova nuk është as anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Pellgut të Danubit, etj. Të mos llogarisim potencialet e tjera destruktive në fushën e energjetikës apo edhe fusha të tjera, ku Serbia mund të ndërhyjë edhe më drejtpërdrejt. Natyrisht se nuk do të ketë “connectivity war”, sepse me presionin ndërkombëtar e sidomos atë amerikan kjo tarifë do të anulohet ose do të bjerë kjo Qeveri. Njëra do të ndodhë.

Thënë shkurt, me Interpolin dhe vendimin e tarifës 100% politikisht dhe për momentin kanë përfituar Daçiqi në anën tjetër dhe z. Haradinaj në anën tonë për konsum të brendshëm politik, por ka humbur Kosova. Vendimi 100% tani po shihet se i ka ndihmuar regjimit në Beograd që së paku për momentin të ndërrojë kursin duke mos ofruar opsione për bisedime, por duke filluar ndarjen e veriut, fillimisht duke rikthyer gjendjen para vitit 2011 përmes një bojkoti masiv të institucioneve të Kosovës, si dhe duke riaktivizuar kartën e tyre të vjetër të “viktimës” (para ndërkombëtarëve) përmes protestave ku mbizotërojnë mbishkrimet që populli serb në veri tani s’ka as bukë, as barna për fëmijë. Përveç nëse krejt këto lëvizje e vendime janë një koordinim në mes Haradinajt, Thaçit, Vuçiqit e ndërkombëtarëve që edhe fantazuesi më i madh e ka vështirë t’i paramendojë si të tilla.

Në situatën në të cilën gjendet Kosova, në mes të status quosë së padurueshme, mosnjohjes nga 5 shtetet e BE-së dhe 4 të NATO-s, subjektivitetit ndërkombëtar që tanimë ka statusin e krizës së përhershme, luftës agresive të Serbisë nëpër forumet ndërkombëtare duke trajtuar Kosovën si një “situatë ndërkombëtare” dhe jo si një shtet dhe bombës së tempuar brenda territorit të saj siç është veriu i Kosovës (së shpejti pa qasje të institucioneve të Republikës në të), natyrisht që SHBA-ja dhe shtete të fuqishme brenda BE-së kanë gatishmëri të konsumojnë ide edhe rreth opsioneve të tjera për të rregulluar situatën maksimalisht të tensionuar. Mirëpo, këto opsione nuk quhen as ‘korigjim e as ‘demarkim’ por mund të quhen -Marrëveshje Gjithëpërfshirëse- ose të themi –Marrëveshje e Paqes- etj, ku Kosova do duhej të njihej nga Serbia dhe të merr ulësen në OKB e në kuadër të saj demarkimi i kufirit me Serbinë, i mbështjellur me termin ‘korigjim’ po fundja edhe ‘shkëmbim territoresh” mes dy shteteve do të ishte krejt normale. Nëse Serbia me këtë lloj marrëveshjeje e njeh Kosovën, atëhere i hap rrugë njohjes nga 5 shtete të BE-së dhe 4 të NATO’s që nuk na kanë njohur ende, nëse edhe kjo nuk ndodh përmes ‘korigjimit’ hapet vetvetiu opsioni i unionit të Kosovës me Shqipërinë. Kosova këtu nuk humb asgjë, humb vetëm nëse vazhdon të jetoj në këtë status quo. Kjo është një rrugë me disa të panjohura, por kjo nuk bëhet nesër, sepse duhet ndërtuar debat pa diskualifikim në planin e brendshëm dhe me vizion strategjik me partnerët ndërkombëtarë që i konsiderojnë idetë e reja. Është e qartë që ne shqiptarët ende nuk i kemi konsumuar të gjitha idetë gjeopolitike. Megjithatë, për opsionin e ‘korrigjimit’ më gjerësisht dhe më në detaje në një shkrim të radhës.

Në përgjithësi, më sipër u dhanë vetëm disa nga arsyet pse loja me “Kurca” ka filluar. Bile unë do të thosha se kjo çfarë bëri dëliranti Daçiq është vetëm paraloja me “Kurcin”, sepse loja e vërtetë me  “Kurcin” tek po vjen. S’kemi parë gjë akoma. Shumë shpejt prandaj do të shohim tituj në gazetat serbe “Dacic primio Kurca” e që është vështirë për ta përkthyer pa përshtatje, prandaj po e lëmë kështu në gjuhën e këtij maskarai të vogël. Përkthimin e gjen lexuesi vetë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë