Loading…
Lufta brenda sojit në Drenas
  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • Dhj 3, 2016 | 17:33

...

Të gjithë vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Drenasi dikur bastion i PDK’së, të dielën pritet të vërtetohet se a do të jetë bastion i vërtetë. Për fitore me, apo pa balotazh.


Kryeqyteti i ‘Drenicës së Pashës’ është Drenasi, që për ‘Drenicën e Kuqe’ dhe komandantët që vijnë nga atje, si vendet Prekaz e Skenderaj, gjithmonë është konsideruar si më e butë dhe jo bash ‘Drenicë Tipike’ e kuqe prej gjakut.

Tipke në kuptimin e luftëtarisë, burrërisë dhe ‘prejardhjes së pastër drenicake heroike’. Pak romantike sigurisht, por për shumicën që nuk e njohin mirë Drenicën, duhet ta dijnë se ky eptitet është ende i gjallë në odat e tyre plotë mesele, cinizëm e satirë.

Drenica e Pashës quhet kështu sepse i paguante tatimet, për dallim nga pjesa tjetër e Drenicës në kohë të Osmanëve dhe kishte më pak cuba se ajo e Kuqja. Kështu historikisht ky epitet u përcjell me gjenerata deri më sot.

Me gjasë për këto 16 vite mandat të PDK’së në këtë komunë, pothuajse ky mentalitet e ka përcjell Drenasin nga shefat e ‘Drenicës së Kuqe’, si në trajtim, ashtu edhe në investime dhe ndarje të përgjegjësive dhe pushtetit, qoftë në qendër, qoftë në komunë.

Këtë përshtypje së paku e kanë ata që jetojnë në Drenas, e që ndihen të anashkaluar nga PDK’ja kur krahasohet me ato, që partia e tyre i bëri për Skenderajin, që duket në gjendje më të mirë se kurrë, e posaqërisht nëse krahasohet me Drenasin, ku janë dhe ku ishin në vitin 2000, kur PDK i fitoi këto dy komuna dhe nuk i humbi më kurrë.

Pra, në esencë zgjedhjet në Drenas të dielen, nuk janë një garë ku pritet të humb PDK’ja. Por është një garë brenda sojit të Drenicës, Komandantëve dhe Partisë.

Nuk është lehtë të jesh drenicak dhe të jesh në një parti tjetër që s’është PDK. Sepse në bazë të përvojave të drenicakëve ata lehtë mund të llogariten si ‘mish i gjallë’ në sytë partive të tjera. Sidomos për shefat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Aleancës për Kosovën e Re (AKR) të Behgjet Pacollit, që përafërsisht votuesit e tyre vijnë nga e njëjta gjenezë, si pacifistë ose ish komunistë jugosllavë, e që në Drenicë nuk preferohet fort kjo. Bile, kanë stile dhe preferojnë të tallen nga pak me ta.

Pra, për një drenicak qoftë të Pashës, qoftë të Kuqës, më rehat është të defilojnë dhe militojnë në PDK, dhe kjo pak a shumë e definon rezultatin në Drenas. Por çështja mbetet, a do të fitojnë me, apo pa balotazh. Dhe kjo pritet të vendoset të dielen.

Kandidatët e Drenasit

Të gjithë kandidatët, vijnë nga PDK. Përveç kandidatit Bedri Nika të LDK’së që partia e tij për 16 vjet nuk arriti kurrë ta këndellë dhe rimobilizojë votuesin e tyre në Drenicë. Të tjerët dihen prej nga vijnë. Nga UÇK’ja dhe PDK’ja.

I pari është Ramiz Lladrovci, favoriti i këtyre zgjedhjeve, që ka të gjithë mbështetjen e lidershipit të PDK. Por ai i ngjason më shumë atyre komandantëve të ‘Drenicës së Kuqe’, dhe nuk është tipi i butë i ‘Drenicës së Pashës’.

Reagime të shumta pati për emërimin e tij në Drenicë, brenda partisë, brenda odave e tubimeve, pra brenda sojit të tyre. Kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj poashtu merr vota nga soji i PDK prej nga e kanë origjinën, dhe kjo e rrezikon bastionin e vjetër në Drenas. Jo në kuptimin e humbjes, por në kuptimin e përsëritjes së garës me balotazh.

Për fund

Dhe përfundimisht, në përmbyllje të fushatës e patë që gati se e gjithë Kryesia e PDK’së gjendej në sallën në Drenas, që donte të tregonte përkushtimin e tyre të plotë për këtë komunë. Por, pse?

Me gjasë, Drenasi duhet të fitohet me shumicë dhe pa balotazh që të konfirmohet sukses i plotë. Përndryshe nëse Drenasi mbetet në balotazh, kjo nuk paraqet probleme për ta fituar komunën e Drenasit, por frika e PDK qëndron diku tjetër.

Qëndron në komunat tjera të PDK’së në Kosovë. Një fitore e zbehtë në Drenas, si do të mund të reflektonte nesër, në Prizren, Ferizaj e Mitrovicë, ku nuk ka shumë drenicakë dhe atje gara brenda dhe jashtë sojit, do të mund të jetë një fillim i dobësimit të partisë më të madhe në vend. Ta presim rezultatin të dielen.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë