Loading…
Magjia e Ronaldinhos që u duartrokit edhe nga rivalët
  • Nga

  • SKYFTER BLAKAJ

  • 19/01/2018 | 15:51

...

Shkruan: Skyfter Blakaj

Ronaldinho Gaucho, njeri prej lojtarëve të vetëm në histori, që përveç momenteve të panumërta të magjisë,  i dhuroi botës së futbollit edhe buzëqeshje, më në fund është tërhequr nga futbolli aktiv.


Braziliani është larguar nga futbolli pas një karriere të jashtëzakonshme por talenti i tij nuk do të harrohet kurrë.

Vetëm ta përmendësh emrin e tij, menjëherë të ndritet fytyra me buzëqeshje.

Ndërkohë po të mendosh për gjërat që ai i bënte në fushë dhe mënyrën se si i bënte ato shpirti të buzëqesh.

Lojtari që në kulmin e karrierës e ngriti në këmbë tërë publikun e Santiago Bernabeut për ta aplauduar.

Derisa Sergio Ramos ishte i shtrirë në fushë, publiku ishte në këmbë duke duartrokitur golin e rivalit të përjetshëm, Barcelonës dhe gjeniut që e shënoi atë, Ronaldinhos.

Ndoshta do të mbahet në mend si lojtari i vetëm në histori që e shëndrronte lojën në kënaqësi për të gjithë tifozët.

E dua topin’ – ishte një prej fjalëve të tij që të lë të kuptosh se për çfarë lojtari bëhet fjalë.

Buzëqeshja nuk ishte në fytyrën e tij vetëm pasi që e kishte fituar kampionatin botëror, ligën e kampionëve, La Ligën dhe topin e artë.

Ajo buzëqeshje ishte në fytyrën e tij edhe derisa ai po i fitonte ato gara.

Lojtari që me elegancën e tij në fushë e nxiti ringjalljen e Barcelonës, që deri atëherë ishte duke kaluar nëpër një periudhe tepër të dobët.

Me ardhjen e brazilianit në Camp Nou u rikthye edhe loja e bukur apo ‘joga bonito’ siç njihet në vendlindjen shpirtërore të futbollit në Brazil.

Dhe natyrisht me ardhjen e Ronaldinhos në Camp Nou u rikthyen edhe rezultatet.

Sot, kur përmendet emri i Barcelonës është vështirë të paramendohet diçka tjetër përveç standardit të artë në botën e futbollit por para hiq më larg se 15 viteve situate në klubin katalunas ishte krejtësisht tjetër.

Pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve pas një edicioni tejet të dobët në La Liga dhe në borxhe të mëdha, bordi i sapoemëruar nuk kishte arritur që ta transferojë ndonjë emër të madh të futbollit dhe ishte shumë afër kolapsit total.

Në këtë fazë kur Lionel Messi ishte vetëm një lojtar premtues në La Masia, Barcelona, përkundër problemeve më të mëdha në dekadat e fundit, arriti që të e transferojë futbollistin më të rëndësishëm për klubin që prej vitit 1973 kur e kishte transferuar holandezin e famshëm Johan Cruyff.

Nën udhëheqjen e brazilianit në fushë Barcelona u shpall kampion i Spanjës dy herë radhazi me 2005 dhe 2006 dhe e fitoi titullin e dytë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit, 14 vjet pas golit të famshëm të Ronald Koeman kundër Sampdorisë në finalen e Uembllit.

Ronaldinho pati 207 paraqitje dhe shënoi 94 gola në 5 vitet sa ishte te Barcelona por ndoshta tepër më i rëndësishëm se sa golat e tij ishte ndikimi në ringjalljen e gjigantit katalunas.

Para Ronaldinhos, Barcelona ishte duke kaluar nëpër një periudhë kur mesi i tabelës ishte shëndrruar në gjë normale.

Prej vitit 2003 Barcelona është shpallur tetë herë kampion në Spanjë, e ka fituar ligën e Kampionëve 4 herë dhe kupën e mbretit 5 herë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë