Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë, organizon sonte një ceremoni me rastin e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina”, të cilin, ka vendosur t’ia ndaj gazetarit Marin Mema.
Ceremonia mbahet në sheshin 21, në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Marin Mema, si gazetar i Televizionit “Top-Channel”, me emisionin e tij ”Gjurmë shqiptare” ka realizuar me sukses tema shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve në trojet e tyre shekullore. Mema, kaloi të gjitha pengesat e vëna nga regjimet e Shkupit, Athinës, Beogradit, duke realizuar dhjetëra dokumentarë mbi historinë shqiptare të Çamërisë, Maqedonisë dhe viseve shqiptare të mbetura nën Serbi.
“Marin Mema është realizuesi i një sërë dokumentarësh për shqiptarët në Sanxhakun e Serbisë, Gjurmët e historisë për zonat dhe fshatrat e shqiptarëve në Greqi (Çameri), Maqedoni, Sarajevë, Bosnje, Ulqin, Plavë dhe Guci, Rekë, Dibra e Madhe, nga komunitetet shqiptare në SHBA, Itali, Greqi, Maqedoni, Mal të zi, Serbi, Turqi. Në fokus të dokumentarëve dhe reportazheve kanë qenë këto tema, nëpërmjet të cilave, Mema ka arritur që të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, në ndalimin e asimilimit dhe ikjes së metjeme të shqiptarëve nga trojet e robëruara dhe zbardhjen e historisë shpesh të dhimbshme por krenare të shqiptarëve në viset tona. Marin Mema ka arritur gjithashtu që të zbardhë dokumente nga arkiva të ndryshme për heronj e veprimtarë të ndryshëm shqiptarë të kohëve të ndryshme.
Motivet e fuqishme kombëtare, humane e fisnike të Memas, karakteri i tij fisnik dhe i pandalshëm përball pengesave nga shtetet fqinje, e bëjnë një prej figurave më të fuqishme në gazetarinë shqiptare sot. Duke u bazuar në të gjitha sa u cekën më lartë, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shprëngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë, Marian Mema, e ngrit në vendin më të lartë të mbrojtjes së historisë dhe vlerave tona kombëtare duke i ndarë çmimin ”HASAN PRISHTINA”, thuhet në arsyetimin e shoqatës./gazetametro.net