Loading…
Masakra e Srebrenicës: Militantët grekë luftuan krah serbëve në Bosnjë
  • 12/07/2018 | 10:41

...

Të mërkurën u shënua 23 vjetori i masakrës së Srebrenicës, krimit më të madh në Europë në disa dekada. Vrasja e më shumë se 8 mijë burrave myslimanë të Bosnjës nga forcat serbe la një gjurmë të zezë të pashlyeshme në historinë njerëzore, shkruan Gazeta Metro.

Mirëpo, pjesëmarrës në këtë vrasje masive nuk ishin vetëm serbët, por edhe grekët. Rreth 100 luftëtarë grekë kishin marrë pjesë në luftën e Bosnjës duke luftuar në krah të Armatës së Republikës serbe të Bosnjës që udhëhiqej nga Ratko Mladic.

Të rekrutuar në Beograd, Athinë e Selanik, grekët kishin formuar një gardë vullnetarësh me bazë në Vlasenicë të Bosnjës. Nën kërkesën personale të Mladicit, ata kishin formuar Gardën Vullnetare Greke (GVG) në mars të vitit 1995.

Disa militantë grekë gjatë luftës në Bosnjë.

Kjo njësi konsistonte në rreth 100 grekë të trajnuar ushtarakisht të cilët kishin vendosur të mbështesnin ‘vëllezërit e tyre ortodoksë’ në luftën ndaj myslimanëve në Bosnjë.

Sipas asaj që kanë shkruar edhe mediat në Greqi, disa prej tyre kanë qenë anëtarë të partisë politike greke ‘Agimi i Artë’, formacion politik i së djathtës ekstreme.

Në videot dhe fotografitë që gjenden në internet dëshmohet pjesëmarrja e fortë e grekëve në Srebrenicë. Në këtë fotografi shihet komandanti i GVG’së, Antonis Mitkos, në shoqërinë e Mladicit, pikërisht më 11 korrik 1995, dita kur përkujtohet gjenocidi i Srebrenicës.

Komandanti i vullnetarëve grekë, Antonis Mitkos, dhe gjenerali serb, Ratko Mladic, Srebrenicë, 1995.

Lidhja e fortë e grekëve me serbët që luftonin në Bosnjë dëshmohet edhe me faktin që Radovan Karadzic, gjithashtu i dënuar nga Haga, kishte vizituar Athinën me ftesën e Kryepeshkopit Serafim më 1993. Më vonë, Karadzic kishte thënë: “Ne kemi vetëm një Zot dhe grekët në anën tonë”.

Karadzic gjatë vizitës në Athinë, 1993

Ndërsa, në këtë fotografi është kapur momenti kur vullnetarët grekë kishin hyrë bashkë me forcat serbe të Mladicit në Srebrenicë më 11 korrik 1995.

Militantët grekë hyjnë në Srebrenicë bashkë me serbët, 11 korrik 1995.

Në Srebrenicë ishin vrarë 8,373 boshnjakë ndërsa udhëheqësi i kësaj ofensive, Ratko Mladic, u dënua nga Tribunali i Hagës me 40 vjet burg. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë