Në tregun e brendshëm në Kosovë, vërehet laramani çmimesh të produkteve të ndryshme, varësisht nga dyqani, lokacioni apo qyteti.
Në qendra të mëdha tregtare, madje është bërë e zakonshme që gjatë vikendit apo në prag të festave të ndryshme, të paraqesin oferta për zbritje çmimesh të produkteve.
Megjithatë, konsumatorët ankohen se në tregun kosovar çmimet janë të papërballueshme, karshi pagës që marrin, qoftë në sektorin publik apo atë privat.
Selvije Berisha, qytetare nga Prishtina, e cila gjatë vikendit kishte dalë për të blerë gjëra të nevojshme ushqimore, konsideron se çmimet janë shumë të larta. Madje, ajo thotë se çmimet ndryshojnë shumë nga dyqani në dyqan.
“Unë dal shumë shpesh nëpër dyqane dhe i përcjelli çmimet. Ka rritje të çmimeve. Kanë edhe produkte në aksion, por nuk janë çmime reale”, shprehet Selvija.
Se çmimet e produkteve qoftë vendore apo të importuara nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, janë të larta, e pohon edhe Bashkim Hetemi, punonjës në sektorin publik.
Bashkimi thotë se me një pagë në familje nuk ka mundësi që të përmbushen nevojat elementare për një familje:
“Çmimet janë shumë të larta, kurse pagat nuk janë rritur fare”.
Edhe në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve, thuhet se në muajin janar të këtij viti, çmimet janë më të larta për 1.7 për qind krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar.