Loading…
Mimoza Ahmeti sjell një roman për dashurinë
  • 09/11/2018 | 17:41

...

Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, romani me titull “Tutori ” me autore shkrimtaren e njohur Mimoza Ahmeti.


Parathënia e këtij libri është shkruar nga Aurel Plasari. Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te ‘Tutori’ ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”.

Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores. Për ta shpënë në skaj këtë antirrëfim, edhe në këtë roman të ri Mimoza Ahmeti as që ka marrë mundimin të lypë ndihmë nga paralajmërimi tanimë tinëzar “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit”, shkruan Plasari. “Në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm. Në raportin e saj me dy burrave të dashurit imagjinar dhe atij real ajo zbulon një nga një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore. Nga ana tjetër do ta quaja dhe një libër politik, pasi në thelb kemi një individ produkt të këtij kaosi social e politik që jetojmë”, tha Alda Bardhyli.

Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është një poete e lindur, është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret. “Mimoza Ahmeti është polivalente dhe nganëjherë qortimi bën vlerë më shumë se sa lëvdata. Poezia e saj do të mbahet mend në mozaikun e letërsisë shqipe”, u shpeh Aliçka.  Vetë autorja e romanit ‘Tutori’, Mimoza Ahmeti u shpreh se ky libër fillon në vitin ’94 dhe mbaron në vitin 2017 dhe mbetet një çlirim shpirtëror sepse kontekstet kuptimore, duam apo sduam ne rëndojnë mbi shpirtin e njeriut. ”Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione.

Ky libër, ky roman është e tëra perceptive ku elementet e fiksionit, koshienca aty nuk dallon dot midis personazheve të kulturës, personazheve të jetës, personazheve të dëshirës, pra është një miks i virtualitetit ku jeton truri dhe e ka të vështirë që në realitet të bëjë dallimin e reales nga jo realja. Atëherë them që ajo poetika e këtij libri do ti japë jetë gjatësi këtij romani dhe besoj që ajo çka e sintetizon, është subjekti. Romanet tona janë romane të cilat horizontojnë sistemin dhe shkojnë krah për krah tij me disa diskurse të vogla subjektive. Kemi një tranzicion që s’po merr fund në vendin tonë, ka lënë pasoja të rënda në shpirtrat tanë, të cilat  duke shkruar dhe duke reflektuar them që ne do ti lehtësojmë dhe do të bashkohemi në atë pikë që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme”, tha Ahmeti.

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë