Është dita e katërt që minatorët e Trepçës janë në grevë të përgjithshme në shenjë pakënaqësie me draft-statutin që ka nxjerrë Qeveria e Kosovës për kombinatin ‘Trepça’.
Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj ende nuk ka vizituar grevistët, minatorët janë shprehur të vendosur të vazhdojnë grevën derisa të merren parasysh dhe të plotësohen të gjitha kërkesat.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, njëherësh anëtar i Bordit, Shyqyri Sadiku, ka bërë të ditur se të gjitha punët në Trepçë janë ndërprerë, përveç vendeve kyçe ku po jepet kujdestari në mënyrë që të mos rrezikohet miniera dhe pikat vitale të saj.
Sipas tij, edhe minierat e Artanës dhe Kishnicës kanë ndërprerë punën në shenjë solidarizimi me minatorët e Stantërgut. Ai ka thënë për Gazetën Alo se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të shkojnë me nivelin tjetër të grevës, atë të ngujimit në zonat më të thella të Trepçës.
“ Ne kemi kërkuar që draft statusi që është punuar nga një komision i zhvillimit ekonomik të ndërrohet sepse është i papranueshëm për neve. Kërkesat dhe vërejtjet tona nuk janë fut në atë status dhe ku i kanë përjashtuar vendburimet përreth Trepçës dhe zonave të interesit të Trepçës. Ne kemi kërkuar që të gjitha vendburimet dhe zonat e interesit të Trepçës të futen në draft statut dhe kemi kërkuar që të bëhet një nen i veçantë që të gjitha asetet e Trepçës të futen atu sepse nuk janë pak 27 asete që kanë mbetur jashtë këtij statuti”, ka thënë Sadiku.
Mirëpo numri një i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku ka ‘kërcënuar’ se nëse Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kërkesat e minatorëve, këta të fundit do të ngujohen në minierat më të thella.
Sadiku thotë se institucionet do të duhej të reflektonin pasi që prodhimi i kombinatit ‘Trepça’, është ndal. Ai thotë se kjo mund të jetë e rrezikshme për vendin.
“ Punëtorët janë jashtë minierës duke mbajtur grevën por nuk përjashtohet mundësia që nëse nuk reflekton Qeveria që me marr masa të tjera kështu duku u ngujuar në miniera ose në protesta në rrugë. Besojmë që Qeveria duhet të reflektoj sepse është interes i përgjithshëm sepse prodhimi është ndal dhe kjo është e dëmshme për vendin”, ka thënë Sadikaj.
Gazeta Alo i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës në lidhje me kërkesat e minatorëve por që ende nuk ka marr përgjigje.
Ndryshe, minatorët gjatë muajit të kaluar kishin mbajtur për dy ditë rresht grevë njëorëshe, në shenjë pakënaqësie me draft-statutin e Trepçës dhe kërkesat tjera, si ligjin për pensionet me 70 për qind të pagës nga 50 deri 55 vjet, ligjin për invalidë, sigurimin shëndetësor, etj., duke paralajmëruar kështu grevë të përgjithshme në rast të mos përmbushjes së kërkesave.
Tutje Qeveria e Kosovës në fund të muajit Maj kishte miratuar propozimin e Bordit mbikëqyrës, për statutin e shoqërisë nacionale Trepça.
Statusi përcakton Qeverinë e Republikës së Kosovës pronare të 80% të aksioneve, kurse pronarë të 20 % të aksioneve do të janë punëtorët, sipas Ligjit për Trepçën. ,,TREPÇA” SH.A. themelohet me transformimin e njësive biznesore:
Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg
Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë
Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq.
Bazuar në studimin e qëndrueshmërisë dhe arsyetimin ekonomik e financiar, në përbërje të ,,TREPÇA” SH.A do të formohen edhe këto njësi biznesore:
Metalurgjia e Plumbit;
Metalurgjia e Zinkut;
Industria Kimike.