Loading…
Ministri Hasani ndan 2 milionë për zonën ekonomike të Vitisë
  • 19/03/2018 | 16:57

...

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani sot ka nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, për ta financuar zonën ekonomike në këtë qytet që kap vlerën e rreth dy milionë eurove.


Hasani ka thënë se i tërë projekti do të financohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se kanë mbetur edhe disa detaje që projekti të nisë jetësimin.

“Sot së bashku me kryetarin e Komunës së Vitisë, z.SokolHaliti, nënshkruam marrëveshjen për financimin e Zonës Ekonomike nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe morëm për sipër që të gjithë financimin ta bëjë ministria që unë e drejtoj, sepse e kursyem komunën për shkak të buxhetit të vogël. Ne arritëm një marrëveshje kornizë që së shpejti do ta marrim dhe projektin të cilin e ka dorëzuar kryetari, ta bëjmë një revidim dhe t’i saktësojmë detajet e projektit që kap shumën e rreth dy milionë eurove”, ka thënë Hasani.

Ministri ka theksuar se janë të interesuar që sa më parë të jetësohet kjo zonë ekonomike, për shkak të interesit të bizneseve. Sipas Hasanit, kjo zonë ekonomike do ta ketë edhe një hapësirë të veçantë për investitorët e huaj që do të vijnë në Kosovë.

“Jemi të interesuar që ta jetësojmë sa më parë zonën ekonomike në Viti, për shkak se është interes edhe i biznesit, sepse po presim edhe investitorë nga jashtë, dhe do t’iu lëmë hapësirë të veçantë. Ju e dini që e kemi kaluar Ligjin për Investime Strategjike dhe kemi disa biznese që kanë aplikuar për investitorë strategjikë dhe po presim që të pozicionohet, pse jo edhe në zonën ekonomike të Vitisë”, ka thënë ministri.

Hasani i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, LutfiHaziri, që ta ndajë pronën për Zonë Ekonomike, duke parapa që të investohen mbi 5 milionë.

“Unë sot shfrytëzoj rastin që t’i bëjë thirrje edhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, z.LutfiHaziri, që të na e ndajë hapësirën sa më parë për të bërë investime edhe në Gjilan. Mendojmë që të bëjmë edhe në Gjilan një investim mbi 5 milionë euro, sepse është një zonë më e madhe. Kryetarit Haliti i uroj për këtë investim dhe besoj sa i përket komunës, kanë qenë të gatshëm dhe përfitimin e plotë të investimit, për shkak që i kanë kryer të gjitha procedurat me kohë dhe na kanë qëndruar gati në të gjitha kërkesat”, ka thënë ministri Hasani.

Ndërsa, kryetari  i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se kjo zonë ekonomike do t’i ndihmojë shumë bizneset që të operojnë dhe do të përfshijnë 3 qytetet që mund të gravitojnë.

“Jam i nderuar që e kam sot ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z.BajramHasani, bashkë me kabinetin e tij të shkëlqyer që po bënë një punë të mirë. Falënderoj ministrin për nënshkrimin e marrëveshjes për implementimin në tërësi të projektit shumë të dëshiruar dhe të nevojshëm, të zonës ekonomike, që përfshin magjistralen e Vitisë, Gjilanit dhe e lidh edhe Ferizajn. Vërtet është një zonë ekonomike që do t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik. I absorbon investimet e huaja dhe ato vendore, e sidomos të mërgatës. Besojmë që kjo zonë ekonomike do të jetë model i riorganizimit të investitorëve dhe natyrisht i rrumbullakimit të procesit prodhim-përpunim. Qëllimi ynë është të bëjmë zhvillimin ekonomik lokal dhe regjional”, ka thënë Haliti.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë