Loading…
Ministri Lluka përgëzon Gent Begollin për punën në Telekom
  • 18/09/2018 | 13:04

...

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, së bashku me Kryetaren e Bordit të Drejtorëve, Besa Shatri-Berisha, sot kanë pritur në një takim pune ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në ndërmarrjen më të madhe publike në vend.

Në këtë takim, ministri është njoftuar për gjendjen aktuale në Telekomin e Kosovës si dhe masat e ndërmarra nga Menaxhmenti i ri, në koordinim me Bordin e Drejtorëve, për rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës.

Me këtë rast, është shqyrtuar mundësia e investimeve emergjente, ulja e shpenzimeve operative, partneritetit komercial ndër-institucional, inkasimi i borxheve të shumta, implementimi i ristrukturimit, si dhe ndërmarrja e masave të nevojshme për rritjen e të hyrave dhe stabilitetin financiar të kompanisë.

“Sot diskutuam me ministrin Lluka rreth investimeve të nevojshme në infrastrukturën e vjetëruar të Telekomit të Kosovës, që do të rezultojë me përkrahjen e produkteve të reja, të cilat do të shtojnë numrin e klientëve të rinj dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e të hyrave të përgjithshme”, tha Kryeshefi Ekzekutiv, Gent Begolli.

Sipas tij me një strategji të re dhe me një varg vendimesh e hapash të ndërmarrë, Telekomi i Kosovës ka arritur që ta përmirësojë dukshëm grafikonin e të hyrave në dy muajt e fundit.

“Si rezultat i përpjekjeve tona për të ndryshuar trendin biznesor të kompanisë, në muajin gusht të këtij viti të hyrat financiare kanë arritur në nivelin 8.7 milionë, ndërsa edhe muaji korrik ka qenë në këtë shkallë pozitive, që tregon se qytetarët, konsumatorët dhe bashkëatdhetarët tanë gjithnjë e më shumë janë duke përdorur shërbimet dhe produktet e Valës, sepse Vala është e Kosovës”, deklaroi mes të tjerash, Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli.

Ministri Lluka, nga ana e tij pohoi se që nga ardhja në krye të kompanisë të menaxhmentit dhe Bordit të ri, janë dakorduar dhe zotuar që të bashkëpunojnë ngushtë në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve zhvillimore të Telekomit të Kosovës.

“Jam këtu sot për të përgëzuar Kryeshefin Gent Begolli për punën e nisur dhe për punën e bërë dhe njëkohësisht për t’u njohur me zhvillimet, planet dhe strategjinë e re të menaxhmentit të ri të Telekomit të Kosovës, ku më gëzoi fakti se në dy muajt e fundit ka pasur të hyra rekord, që nuk e kanë arritur këtë nivel që nga viti 2009”, bëri të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Telekomi Kosovës, ndër vite, ka paguar qindra miliona euro në emër të dividendës për Qeverinë e Kosovës dhe ka qenë taksapaguesi më i madh i buxhetit të shtetit. Telekomi i Kosovës gjithashtu ka kaluar disa procese komplekse të përpjekjeve për privatizim dhe të ristrukturimeve të njëpasnjëshme.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë