Loading…
Misteret dhe sukseset në Kanada të vajzës nga Kosova (Video)
  • 13/11/2016 | 11:20

...

Vjen nga Prishtina. E do natyrën dhe është e hipnotizuar nga misteret e jetës. Është gjithnjë kureshtare dhe e etur për të mësuar e kuptuar gjëra të reja. I pëlqen spiritualiteti dhe bisedat rreth temave të thella e kuptimplote. E mundon dhe e zemëron shumë padrejtësia, injoranca dhe lakmia.


Është kjo këngëtarja dhe tekstshkruesja kosovare Mimoza Hajdini, e cila tash e gjashtë vite jeton në Montreal të Kanadasë. Ndërlidhja me jetën private e shtyri të shtegtoi atë në këtë vend mijëra kilometra larg Prishtinës. Ka kaluar dy kontinente dhe ka jetuar në tre shtete. Ka përjetuar dhe luftën në Kosovë. Rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë, por ajo ka gjetur një mënyrë se si ta sjellë rrëfimin e saj, e kjo është përmes muzikës. Ka një mënyrë interesante të shpalosjes së përvojave të saj. I pëlqen të mbajë mistere  të vogla e të mos shpjegoj kuptimin e krijimeve të saja. Thotë se gjithsecili ka mënyrën e vet se si i përjeton dhe shpjegon gjërat që i ndodhin në jetë. Padyshim se muzika dhe tekstet misterioze janë mënyra e saj. Mirëpo, ajo që del në pah nga krijimtaria e saj është shpirtërorja dhe urgjenca për të shprehur përjetimet kaotike përmes këngëve.

“Kam një natyrë të rezervuar dhe ndonjëherë kam vështirësi të shprehem, prandaj përmes muzikës gjej mënyrën për të bërtitur dhimbjet, e gjithashtu për të ndjell shpresën dhe harenë për jetë”, thotë Mimoza në një intervistë për gazetënmetro.net.

Ajo provoi të ndiqte ëndrrën  dhe të filloi karrierë në Kosovë, por qëllimet i kishte më të mëdha. Në vendin ku jeton tash e gjashtë vite ajo gjeti hapësirën për të krijuar dhe vendosi që këtu të “shpaketoj valixhet” dhe të futet në botën artistike.

“Në Montreal gjeta hapësirën për të krijuar dhe vendosa që këtu të ‘shpaketoj valixhet’ dhe të zhytem në kreativitet. Ky është projekti im i parë dhe ka marrë plot katër vite për tu realizuar. Rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë dhe vazhdon të jetë sfidë e përditshme ngase arti kërkon një vetë-përkushtim të madh, e sidomos kur je artist i pavarur”, thotë ajo për gazetametro.net.

Suksesin e arriti në momentin që publikoi këngën “The Wild Woman” të cilës i bashkëngjiti edhe videoklip. Kjo është kënga a parë nga mini-albumi i saj debutues “Uproot”.

“Sa isha duke qëndruar në Los Angeles ku punoja në përfundimin e albumit, së bashku me partnerin tim i cili është regjisor filmi, vendosëm të gjejmë mundësi për të xhiruar videoklipin e këngës sepse natyra përrallore e këtij qyteti ishte frymëzuese dhe vendi i duhur për të përshkruar emocionin e kësaj kënge. Atje patëm fatin të njihemi me artistë të kinematografisë të cilët e pëlqyen idenë dhe na ndihmuan shumë rreth produksionit dhe realizimit të kësaj ëndrre”, vazhdon rrëfimin Mimoza.

a

Ajo thotë se qysh nga dita e parë, videoklipi ka marrë reagime shumë pozitive dhe falë të gjithë atyre që e pëlqyen dhe e shpërndanë në rrjetet e tyre, sipas saj, kjo këngë ka shtegtuar dhe vazhdon të gjej folenë në zemrat e atyre që e adhurojnë këtë lloj muzike.

“Një përkrahje të veçantë kam marrë nga vendasit shqiptarë gjë që më ka gëzuar veçanërisht”, vazhdon ajo.

Shumica e këngëve të albumit kanë lind nga vetë Mimoza. Ato fillimisht kanë qenë pjesëza muzikore, melodi e ide eksperimentuese të cilat ajo i ka punuar me muzikantë nga Montreali si dhe nga Los Angeles-i.

“Disa kanë lindë nga momenti gjatë procesit të bashkëpunimit në album. Në këtë opus, secili prej nesh kemi dhënë ngjyrat, shijen, si dhe mjeshtërinë dhe lirinë e interpretimit. Por sa i përket estetikës, aranzhmaneve dhe produksionit, unë mora përgjegjësinë dhe lirinë e plotë rreth eksperimentimit, përpunimit, dhe redaktimit deri në momentin kur jam ndier e gatshme që ta liroj nga gjiri. Albumi është tërësisht i vet- financuar, producent i të cilit jemi unë dhe partneri”, tregon tutje Mimoza për gazetënmetro.net.  Promovimi i këtij albumi, momentalisht është prioriteti i saj. Por krahas kësaj, ajo shpreson që së shpejti të gjejë kohë dhe të mbajë një koncert në Kosovë.

“Kemi filluar planifikimet rreth kësaj pune ngase kohëve të fundit sa vijnë e shtohen kërkesat nga publiku dhe artdashësit. Kam shumë dëshirë t’i takoj së afërmi dhe të performoj për të gjithë këta adhurues të muzikës. Shpresoj që mundësia do të vije së shpejti”, thotë Mimoza, e cila tregon se tashmë ka mbledhur material për albumin e ri. Për dallim nga albumi i parë, ajo premton se i dyti do të jetë më ndryshe. “Kam të grumbulluar një material të ri dhe pres momentin e duhur për t’u zhytur në punë me këto krijime të reja. Mund të them se këto këngë do të jenë diçka më ndryshe nga të parat, bile mund të ketë diçka ndoshta edhe në shqip”, përfundon ajo.

Më poshtë gjeni linqet:

https://mimozahmusic.bandcamp.com/

https://web.facebook.com/mimozahmusic/?__mref=message_bubble

http://www.mimozahmusic.com/

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë