Loading…
Mos merrni mësim nga hoxhallarë si Fatmir Latifi
  • Nga

  • KASTRIOT MUSLIU

  • 25/07/2018 | 16:24

...

Gjatë ditëve të fundit u përhap nëpër media një pjesë e një ligjërate të prej imamëve nga Mitrovica, i cili në një reagim ndaj festës së birrës në Mitrovicë, i quajti kafshë ata që e konsumojnë këtë pije.


Fjala është për imamin Fatmir Latifi, i cili i takon një forme ekstreme të Islamit që, meqë ra fjala, ka filluar të ketë goxha ndikim, sidomos tek të rinjtë, që nga paslufta e këtej.

Në lidhje me këtë, unë dua të marr shkas nga ky debat dhe t’i them nja dy-tre fjalë duke vënë në pah disa nga bindjet, të cilat padyshim mund të cilësohen si fashiste dhe që bien ndesh me vlerat fundamentale të një shoqërie të shëndosh dhe përparimtare, dhe me këtë të argumentoj pse nuk ia vlen të merren seriozisht këta klerikë apo mësimet e tyre.

Por, së pari, ia vlen të shtrojmë një pyetje në lidhje me cilësimin “kafshë” që ky klerik u bën atyre që zgjedhin të argëtohen edhe duke pirë ndonjë birrë. Çfarë nënkupton hoxha me atë se njerëzit e tillë janë kafshë? Kjo për arsye nëse shohim vendet e Perëndimit, të cilat janë vendet më të përparuara në çdo aspekt, shumica prej tyre pinë birra e madje pije alkoolike edhe më të forta, e megjithatë njerëzit e këtyre vendeve janë më përparimtarët në botë. Këtu përfshihen edhe shkencëtarët, të cilët përveç që njihen me humanizmin e tyre, ata njihen edhe për kontributin e tyre në shkencë, rrjedhimisht duke ua bërë njerëzve jetën më të mirë për të jetuar. Kjo, për për dallim nga vendet Islame, të cilat janë të prapambetura në çdo aspekt, përkundër faktit që gati shumica e popujve të këtyre vendeve nuk konsumojnë birrën e as alkoolin në përgjithësi. Pra, ky hoxhë ka një të kuptuar shumë të ngushtë të gjërave. Kjo gjithashtu do të thotë se të menduarit e tij operon vetëm brenda një kornize, shumë të ngushtë, të bindjeve përtej të cilave ai s’di të mendojë. Kjo ishte e para.

Gjëja tjetër që ia vlen të përmendet është se njerëzit janë të pajisur me arsye, me aftësinë për të menduar vetë. Rrjedhimisht, ne nuk kemi nevojë që një klerik të dalë dhe të na bërtas duke u bazuar në një libër nën justifikimin se ai është autoritet suprem, që të mos pijmë alkool sepse, ta zëmë, është i dëmshëm për shëndetin. Njerëzit kanë aftësi që vetë, duke u bazuar në arsye, të vijnë në përfundimin se alkooli është i dëmshëm e pastaj të zgjedhin nëse dëshirojnë ta konsumojnë apo jo. Një hoxhë mund të kundërpërgjigjet duke thënë se është me e arsyeshme të shikosh se ç’thotë feja, sepse ajo vije nga një qenie që është e Gjithëdijshme, dhe është më racionale t’i besosh dikujt që di më shumë, sidomos kur është fjala për Zotin. Problemi më këtë argument është se, paraprakisht, duhet të vërtetohet që Zoti të cilin feja, sikur kur dikush mundohet të na shtyej ushqimin në fyt me zor, mundohet të na imponojë, ekziston, dhe se ajo fe vije nga ai, që pastaj të mund të flasim për pranimin e këtyre mësimeve fetare. Dhe feja asnjëherë nuk ka mundur të vërtetojë se ai Zot ekziston, se lëre më diçka tjetër, por kjo është një temë tjetër.

Një argument tjetër kundër alkoolit që ky hoxhë e përmend me qëllim që të paraqes ndalesën fetare për alkoolin sa më bindëse, është edhe ai se si pasojë e konsumimit të alkoolit ndodhin aksidente. E vërtetë që si pasojë e konsumimit (të tepërt ama) të alkoolit ndodhin aksidente, por mendoj se ky është një argument (argument n’i thënçin) tejet i dobët kundër konsumimit të alkoolit në vetvete. Në këtë rast faji nuk është i alkoolit, por i atyre që vendosin të veprojnë në mënyrë jo të arsyeshme, të pinë alkool më shumë se ç’duhet dhe të vozisin në atë gjendje. T’i përdorësh aksidentet si argument kundër konsumimit të alkoolit është njëjtë si të thuash se nuk bën të konsumohet ushqimi, ose ushqimi i caktuar, sepse konsumimi i tij i tepërt është i dëmshëm e madje shkakton edhe obezitetin. Kjo pjesë ndoshta ishte një digresion, por megjithatë i nevojshëm, mendoj.

Më herët përmenda se njerëzit në Perëndim, duke përfshirë dhe shkencëtarët (po i përmendi shkencëtarët, po pse jo edhe filozofët, meqë këta janë njerëzit më inteligjentë të një shoqërie), janë njerëzit më përparimtarë në botë, sepse vendet e Perëndimit janë më përparimtare, siç dihet, dhe megjithatë ata konsumojnë alkool. Por për dikë me bindje si të Fatmir Latifit, Ekrem Avdiut, Enis Ramës, Shefqet Krasniqit, Enes Gogës, Mazllam Mazllamit, Irfan Salihut, etj, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i bindur ata se ata njerëz nuk janë kafshë. Pse? Sepse këta njerëz gjithashtu besojnë në lirinë e mendimit, të drejtën për ta shprehur lirshëm atë, se secili duhet të jetë i lirë të ketë çfarëdo bindje, të ketë seks me kë të dojë, etj. E për Latifin and Co, këto nuk janë të pranueshme. Këta janë njerëzit që besojnë se të mos jesh kafshë do të thotë të pranosh idenë se ai ose ajo që bën tradhti bashkëshortore duhet të futet disa metra në tokë e pastaj ta mbysin duke e gjuajtur me gurë si qenin deri sa të vdes në mënyrën më të mjerë; të pranosh idenë se në një vend ku sundon sheriati, ata që ofendojnë themeluesin e Islamit duhet të ekzekutohen; se ata që largohen nga Islami dhe zgjedhin ndonjë fe tjetër ose të mos besojnë fare, të ekzekutohen. Këto bindje janë ndër arsyet pse unë personalisht kam vendosur të largohem nga feja, para disa viteve.

Tani, të gjitha këto, dhe shumë të tjera që nuk i përmenda këtu, bien drejpërdrejt ndesh me vlerat fundamentale pa të cilat një shoqëri asnjëherë nuk mund të përparojë. Dikush që është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre vlerave, s’ka se si të mos jetë i vetëdijshëm edhe mbi atë se sa të rrezikshme janë bindjet e këtyre hoxhallarëve. Kjo sepse të vrasësh dikë vetëm pse lë Islamin, jo vetëm që është cenim i lirisë së tjetrit që të marrë bindjet që i duken më të kënaqshme, por edhe i vetë lirisë së shprehjes. Kur jemi këtu, dhe për të përforcuar argumentin për rëndësinë e lirisë së shprehjes, para se ta përfundoj, më duhet të përmend edhe një shembull, me qëllimin për të dëshmuar pse kjo vlerë është kaq e rëndësishme, dhe pse, njëkohësisht, bindje të tilla si ato të këtyre klerikëve janë të papranueshme.
Deri para disa viteve, problemet me stomakun si gastritisi dhe ulcera historikisht shiheshin si produkte apo pasojë e stresit. Në fund të viteve 70’ta, mjekët australianë, Robin Warren dhe Barry Marshall, dyshuan se, në fakt, problemet me stomakun ishin pasojë e infeksionit me bakteren Helicobacter pylori e jo e stresit. Pas shumë dëshmive shkencore, pas disa viteve dhe pas një kundërshtie kokëfortë të komunitetit mjeksor atëbotë, ata arritën të bindin shkencën se, në të vërtetë, këto probleme shkaktohen nga bakteri i lartpërmendur. Tani, imagjinoni për një moment sikur të ekzistonte ndonjë bindje fetare, e edhe sikur klerikët të ishin në pushtet, se këto probleme me stomakun shkaktohen nga stresi. Gjithashtu imagjinoni se për shkak të asaj bindjeje fetare dhe me arsyetimin se mësimet fetare janë të pakontestueshme, shteti nuk do të lejonte këta mjekë të shprehin lirshëm mendimin e tyre mbi shkaktarin e vërtetë të gastritisit dhe ulcerës. Si pasojë, njerëzit nuk do të dinin asnjëherë, ose kush e di edhe sa, për shkaktarin e vërtetë të sëmundjes e si rezultat nuk do të mund të gjenin as kurën e duhur për të, dhe do të vazhdonin të vuanin pa nevojë nga problemet e përmendura.

Ja pse liria e shprehjes është kyçe, dhe ja pse pa të nuk bën. Nuk bën, pasi pavarësisht fundamentalistëve fetarë të cilët mundohen të na bindin se ajo që thotë feja mjafton, me arsyetimin se ata kanë të vërtetën absolute në dorë, askush nuk di gjithçka, ne nuk dimë gjithçka, dhe për këtë arsye jemi të detyruar të hulumtojmë. Por për të shfrytëzuar frytet e hulumtimeve, neve na duhet të flasim për rezultatet e tyre, e kjo nuk mund të bëhet pa pasur mundësi të shprehemi.

Ashtu siç Christopher Hitchens kishte theksuar: “Mendimi im është i mjaftueshëm për mua, dhe unë e pretendoj të drejtën që ta mbroj atë kundër çdo konsensusi, çdo shumice, çdokund, në çdo vend, në çdo kohë. Dhe kushdo që nuk pajtohet me këtë mund të përzgjedh një numër, të futet në radhë, dhe të ma puth bythën”.

Prandaj, mos pranoni të merrni leksione nga ata që thonë se njerëzit që lënë Islamin duhet të ekzekutohen. Ky është fashizëm dhe armiqësi ndaj vlerave liberale e rrjedhimisht edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe, për më tepër, pikërisht për këtë arsye regjimi teokrat i Iranit po edhe teokracitë e tjera në vendet islame, duhet të bien.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë