Loading…
NASA publikon pamjet e rralla satelitore, pamje nga Tirana komuniste (Foto)
  • 05/09/2017 | 16:47

...

Satelitët e NASA-s kanë fotografuar që nga 1970-a imazhet e planetit, duke krijuar një arkivë me mbi 5 milionë imazhe satelitore.


Pamjet satelitore, nga 1984 deri në 2016, tregojnë se si nga një qytetet i vogël, Tirana u mbi popullua nga ndërtimet në vetëm dy dekada.

Tirana është një ndër qytetet me dendësinë më të lartë në rajon dhe në vend, ku është përqendruar thuajse një e treta e popullsisë së vendit. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në Tiranë numëroheshim 862,361 banorë. Popullsia më së shumti është e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, ku vetëm Tirana ka një dendësi prej 682 banorë/km2.

Vetëm në 15 vitet e fundit, qyteti Tiranës është shtuar me mbi 250 mijë banorë.

Tirana si ka qenë

Ashtu siç shumëkush i lindur para viteve ’80-85 mund ta mbajë mend, imazhet e vitit 1984 tregojnë se Tirana ishte e populluar në qendrën e saj, larg nga zona e liqenit që ishte e pyllëzuar, ndërsa periferia ishte kryesisht fusha. Brenda qytetit ndërtimet ishin të ulëta dhe dallohen hapësira të gjelbra.

Parku Kombëtar i Dajtit ishte tërësisht i gjelbëruar, ndërsa në zonën që sot njihet si Komuna e Parisit kishte sera.

Tirana si u bë

Që në vitin 1994, gjurma e Tiranës filloi të zgjerohej nga qendra drejt periferisë. Vetëm në 10 vjet, në vitin 2004, hartat tregojnë se qyteti ishte zgjeruar me shpejtësi, duke iu afruar liqenit dhe Parkut të Dajtit. Hapësirat e gjelbra, apo fushat ia kanë lënë vendin ndërtimeve të dendura,

12 vjet më vonë, në 2016-n, nga Tirana e dikurshme ka mbetur vetëm një kujtesë e bukur apo një foto sateliti, që sjell në vëmendje se si mund të shkatërrohet një qytet në vetëm dy dekada, për shkak të zgjerimit pa plan e të pastudiuar, që sot e vuan kushdo në mungesën e hapësirave të gjelbra, apo në rrugët plot trafik.

Fotot satelitore tregojnë se nga zona e liqenit Artificial ka mbetur vetëm liqeni dhe një hapësirë e vogël e gjelbëruar, ndërsa ai është rrethuar pa mëshirë nga ndërtime të shumta. Parku i Dajtit gjithashtu është pushtuar në zonën e poshtme. E njëjta gjë ka ndodhur në çdo cep periferik, por edhe brendia është shumë më e dendur se vetëm pak dekada më parë, shkruan monitor.

Tirana kush e di çfarë do të bëhet….?!

Edhe pse, siç duket dhe nga imazhet satelitore Tirana është e mbipopulluar nga ndërtimet, kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit të rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës.

Plani i ri rregullues i kryeqytetit nuk i specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve në vijim.

Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.

Por, si shpjegohet kjo rendje drejt betonit?! Ndërtimi është një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektorisesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë