Loading…
Në 38 komuna të Kosovës, vetëm dy nënkryetare
  • 13/01/2018 | 21:20

...

Nga 38 komuna sa ka Kosova, 25 nga to i kanë emëruar nënkryetarët, prej tyre vetëm dy janë gra. Suhareka dhe Zubin Potoku janë dy komunat që postin e nënkryetarit ua kanë besuar grave, raporton KTV.

Megjithatë, shoqëria civile nuk është e kënaqur me këtë përfaqësim, duke thënë që problemi qëndron te partitë politike, pasi ato politikat e brendshme nuk i kanë të orientuara kah barazia gjinore.

Roberta Osmani nga “Demokraci Plus” thotë se duhet të ketë numër më të madh të përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, jo pse kjo u garantohet me ligj, porse , sipas saj, gratë e kanë dëshmuar që mund të marrin përgjegjësi si në nivel lokal edhe në atë qendror.

Deputetja nga radhët e PDK’së, Xhevahire Izmaku, e cila para 10 vjetëve ka qenë nënkryetare në Komunën e Vushtrrisë, thotë se përvoja në nivelin lokal është shumë e rëndësishme, sidomos për gratë, por që, sipas saj, te ne ende politika po konsiderohet si një arenë e fuqisë.

Izmaku thotë se ka ende nevojë për trajnim për demokraci të brendshme te partitë politike.

Edhe nga Nisma për Kosovën thonë që nuk janë të kënaqur me përfaqësimin e grave në vendimmarrje.

Në disa komuna, gratë kanë arritur të zgjidhen kryesuese të kuvendeve Komunale sikurse në Ferizaj dhe Skenderaj.

Në mandatin e tashëm të Kuvendit të Kosovës, gratë përfaqësohen me 30 për qind, respektivisht nga gjithsej 120 deputetë, 38 janë gra.

Numër i ulët i grave është edhe në ekzekutiv, ku nga 21 ministri, vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë