Loading…
Në ambientet e Lidhjes së Prizrenit, Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor
  • 18/06/2018 | 12:51

...

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi dhe homologia e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro-Furxhi kanë nënshkruar kalendarin e përbashkët kulturor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.


Nënshkrimi është bërë në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndërsa, pas nënshkrimit, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se nënshkrimi i kalendarit vjetor kulturor, hap rrugë të reja të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në mes institucioneve të kulturës, të cilat do të përfitojnë nga kjo marrëveshje e nënshkruar.

“Ky është një moment ku dy institucionet tona marrin përgjegjësi ose janë në krye të organizimeve, pa dyshim që pa e prekur edhe atë pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Që nga dita e parë kur kemi filluar të bisedojmë për këtë kalendar, kemi qenë të vetëdijshëm që aktivitet të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, ky nuk është kalendar që po bëhet për herë të parë sepse këtë kalendar për çdo vit e ka përditësuar dy ministritë, por po besojmë se këtë vit është pak më i veçantë për shkak se jemi ndal në aktivitete specifike të cilat mendojmë se do t’i realizojmë bashkërisht gjatë këtij viti “, tha Gashi.

Edhe homologia e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro-Furxhi e pranoi se në këtë vit është një formalizim i një bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor, merita për të cilën në radhë të parë iu shkon njerëzve të kulturës, qoftë të institucioneve publike, qoftë të skenës së pavarur.

“Kufijtë janë administrativ, ne të kulturës nuk na shqetësojmë. Në konceptim tim kultura është si lumenjtë, lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nga një vend në tjetrin, nuk pyesin nëse ka kufi dhe as që kanë pasaportë për ta treguar, kështu që unë gjykoj që ne duhet ta krijojmë të njëjtin mjedis komunikimi për kulturën dhe jo vetëm për t’iu lejuar artistëve tanë të zgjerojnë audiencat e tyre“, tha ajo.

Të dy ministrat thanë se po angazhohen për bashkëpunime të ngjashme edhe me Maqedoninë, Malin e Zi dhe vende tjera.

Përndryshe, me këtë marrëveshje është paraparë që të gjitha institucionet e kulturës por duke përfshirë edhe ato të trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta në Kosovë dhe Shqipëri.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë