Aktualisht në Kosovë nuk mund të importohet dhe të regjistrohet një veturë e cila është më e vjetër se 10 vjet. Por shumë shpejt kjo pritet të ndryshohet, duke u bërë e mundur që të importohen veturat deri në 15 vjet të vjetra.
Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik e ka miratuar këto projektligj i cili ndryshon Ligjin për Automjete, dhe tani ka mbetur që ai të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Këtë ndryshim të Ligjit për Automjetet po e përkrahin deputetët e pozitës, ndërsa po e kundërshton opozita, shoqëria civile, por edhe Zyra e BE’së në Kosovë.
Shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka thënë se është e zhgënjyer me këtë vendim, pasi sipas saj një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është qartë kundër objektivave të BE-së.
“Vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe në kundërshtim me Rezolutën e Asamblesë mbi Ndotjen e Ajrit, e miratuar në shkurt të këtij viti si një nga prioritetet më të larta në nivel kombëtar në atë kohë”, ka thënë Apostolova.
Qëndrim kundër këtij vendimi, ka shprehur edhe Agron Demi nga shoqëria civile, i cili këtë nismë të deputetëve e sheh më shumë të iniciuar për interesa ekonomike të kompanive me të cilët kanë lidhje politikanët, se sa si nismë për interesa të qytetarëve.
Demi thotë se motivimi i deputetëve është krejt tjetër, nga ajo që ata thonë.
“Me Ligjin që ka hy në fuqi nga janari 2018, janë importu 8.361 vetura më pak se sa në të njejtëm periudhë të vitit 2017. Kjo nënkupton se kompania e homologimit e cila e mban monopolin jashtëligjshëm qe 9 vjet ka pësu një humbje prej së paku 1 milionë euro në vit, apo rreth 40% e të hyrave nga homologimi. E deputetëve, fushatat e të cilëve financohen nga biznese të ndryshme, kjo u dhemb më shumë se sa gjepi i varfër i qytetarëve. Se nëse do e kishin parasyshë interesin qytetarë, nuk kishin leju që tani e një dekadë me pas monopol në homologim dhe me i pas çmimet më të shtrejta në Evropë”, ka thënë Demi. /gazetametro.net