Loading…
Në mbrojtje të Rambujesë
  • Nga

  • SHKODRAN RAMADANI

  • 25/03/2018 | 23:50

...

Interpretimi më i dobët i Marrëveshjes së Rambujesë është ai që thotë se Millosheviçi ka bërë gabim që nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse me të do të fitonte shumë. Epo nuk është bash kështu.


Kjo sepse arsyet për të mos nënshkruar kanë qenë më të fuqishme sesa arsyet për të nënshkruar. Kundërshtarët e Rambujesë harrojnë që Marrëveshja e përpiluar nga NATO-ja ishte dizajnuar në atë mënyrë që të mos pranohej nga Millosheviçi.

Arsyet janë:

Akordet e Marrëveshjes përmbanin obligime të cilat do ta detyronin gjithë Jugosllavinë që të pranonte okupimin nga ana e NATO-s. Interpretimi zyrtar e përsëriste idenë se bërthama e Marrëveshjes ishte autonomia e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cila do të mundësohej një “forcë paqeruajtëse” në Kosovë.

Megjithatë, Apendiksi (Shtojca) B i Marrëveshjes i jepte NATO-s liri të lëvizjes “në gjithë territorin e Jugosllavisë,” domethënë në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë.

Artikulli 8 i kësaj shtojce thotë: “Personeli i NATO-s, me gjithë automjetet, anijet, avionët dhe të gjitha pajisjet tjera, do të kenë fuqinë që të lëvizë lirshëm dhe pa pengesa, si dhe do të kenë qasje pa asnjë pengesë në gjithë Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), përfshirë hapësirën ajrore dhe ujore.”

Përveç kësaj, por jo vetëm kaq, NATO-ja kishte të drejtë të ndërtonte kampe ushtarake, të kryente manovra ushtarake dhe të shfrytëzonte të gjitha hapësirat dhe mjetet e nevojshme në RFJ për të kryer operacionet e parapara nga NATO-ja.

Artikulli 6 u garanton forcave okupuese imunitet të plotë: “Personeli i NATO-s, në të gjitha rrethanat dhe në të gjitha kohët, do të jetë imun prej institucioneve jugosllave gjyqësore, të cilat nuk kanë të drejtë që të denoncojnë asnjë shkelje të personelit të NATO-s, qofshin shkelje civile, administrative, kriminale apo disiplinore”.

Artikulli 9 e lironte NATO-n nga çdo taksë apo gjobë dhe nga çdo inspektim që autoritetet jugosllave mund t’ia bënin për ndonjë dokument.

Artikulli 10 i siguron NATO-s përdorimin pa pagesë të të gjitha rrugëve, aeroporteve dhe porteve jugosllave.

Artikulli 11 thotë se NATO-ja mund të përdorë çdo aeroport, rrugë, hekurudhë apo port pa asnjë pagesë.

Artikulli 14 ia mundësonte NATO-s që të importonte dhe eksportonte të gjitha gjërat që ata i konsideronin si të nevojshme për të vazhduar operacioni.

Nëse qeveria Jugosllave do ta nënshkruante Marrëveshjen, ata do të hiqnin dorë nga sovraniteti i vet shtetëror.

Siç tregojnë referenca të ndryshme, gazeta gjermane Berliner Zeitung në atë kohë shkruante: “kjo marrëveshje tingëllon sikur një traktat dorëzimi pasi që humbet lufta… fakti që Millosheviçi nuk e nënshkroi është e kuptueshme.”

Millosheviçi e dinte se po të pranonte Marrëveshjen do të prodhohej një realitet krejt i ri dhe se nuk do të kishte më asgjë në dorën e tij pasi NATO-ja të futej në gjithë territorin e Jugosllavisë.

Marrëveshja më shumë se propozim i pranueshëm ishte ultimatum i ashpër dhe kjo kishte ngritur dyshimet se NATO-ja po kërkonte një pretekst për të sulmuar ushtarakisht Jugosllavinë.

“Një akord i tillë nuk mund të nënshkruhet nga drejtuesit e një shteti Sovran,” shkruante gazeta gjermane Taz. “Nëse bisedimet kanë pasur synim që të arrijnë një marrëveshje dhe jo thjesht që të binden skepktikët se NATO-ja po kërkon luftë, atëherë teksti i Akordeve është i pakuptueshëm.”

Propozimi fillestar i Grupit të Kontaktit (ShBA, Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia), që shërbente si bazë për Konferencën e Rambujesë, nuk përmbante këto paragrafe. Fillimisht negociatat ishin planifikuar të merreshin me autonominë e Kosovës dhe vetëm pasi të bëhej kjo mund të flitej për çështjen e masave ushtarake që duhej të kryheshin për implementimin e saj. Ky ishte edhe kushti i qeverisë Jugosllave që të merrte pjesë në konferencë.

Gjatë kohës sa mbaheshin negociatat, nga 6 deri 23 shkurt, 5 shtetet perëndimore të Grupit të Kontaktit mbronin hapur qëndrimin e palës kosovare që insistonte në stacionimin e trupave të NATO-s brenda Kosovës. Në ditën e fundit të Konferencës ishte prezentuar drafti final i Marrëveshjes që përmbante Shtojcën B.

Nga ai moment e tutje dokumentet që i referoheshin autonomisë së Kosovës – për të cilën pala Jugosllave ishte pajtuar – dhe propozimet për stacionimin e trupave të NATO-s brenda Kosovës, konsideroheshin si dy kushte të panegocueshëm dhe të pandashëm nga njëri-tjetri.

Në muajin shkurt, ende pa vendosur palët, NATO-ja veç kishte filluar të tregonte muskujt ushtarakë që të çonte mesazh se përdorimi i forcës ishte alternativë reale. Këto përgatitje bëheshin në Ballkan dhe në fund të shkurtit NATO-ja ishte në gjendje që të fillonte me sulme. Më 20 shkurt ShBA-ja, si faktori kryesor ushtarak e politik, bëri gati 51 aeroplanë të luftës, përfshirë 12 luftarakë F-117A, 25 avionë KC-135 dhe 10 aeroplanë radarbllokues dhe i dërgoi në Evropë, ku veçse i kishte të stacionuar 260 aeroplanë tjerë luftarakë. 5 anije të luftës dhe 2 nëndetëse i kishte lëshuar në Mesdhe dhe Adriatik për të lansuar raketa në drejtim të Jugosllavisë.

Sinjali ishte i qartë dhe Jugosllavia ishte në hall. Ajo menjëherë dërgoi një ankesë në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se veprimet e fundit të NATO-s ishin kërcënim i pastërt për bombardime dhe për agresion mbi sovranitetin e saj shtetëror dhe kërkoi një seancë emergjente të Këshillit.

Delegacionit Jugosllav i ishte bërë me dije që nuk mund të pranonin vetëm njërin nga kushtet. NATO-ja i kishte dhënë Jugosllavisë ultimatum që ose të pranonin ose të refuzonin marrëveshjen në tërësi. Jugosllavia refuzoi.

Për çudi, edhe pala kosovare refuzoi që ta nënshkruajë atë. Konferenca ishte shtyer, deri kur kosovarët nënshkruan draftin e dytë të Marrëveshjes së propozuar me 18 mars.

NATO-ja tash kishte fituar pretekstin që deshi për të nisur sulmin e saj mbi Jugosllavi. Më 24 mars bombat e para ishin lëshuar.

Gazeta gjermane Taz kishte analizuar Minstrinë e Jashtme Gjermane dhe kishte gjetur se dy nga tre zyrtarët më të lartë shtetëror – Ministri i Shtetit, Gunther Verheugen dhe Ludger Volmer – ishin tërësisht të befasuar. Ata kishin pohuar se Artikujt në Shtojcën B ishin “krejtësisht të rinjë” për ta. Zyrtari i tretë – Sekretari Permanent Wolfgang Ischinger – kishte thënë se pasazhet bazoheshin në një version më të hershëm të marrëveshjes, por kjo nuk mund të vërtetohej.

Artikulli i Taz pyet: “A e ka mbajtur qeveria gjermane qëllimisht larg syve të publikut këtë marrëveshje?” Shumë deputetë në Gjermani ishin mllefosur me lojën e qeverisë. Teksti i Marrëveshjes ishte prezentuar në parlamentin gjerman vetëm dy javë pasi që kishin filluar bombardimet, duke i bërë diskutimet të panevojshme.

Angelika Beer i kishte shkruar kolegut të saj të Partisë së Gjelbër, Joschka Fischer, se po ta dinte përmbajtjen e Marrëveshjes nga fillimi, ajo do të kundërshtonte bombardimet e NATO-s. Deputeti i Partisë Social Demokrate Hermann Scheer kishte thënë: “nëse do të na ishte prezentuar marrëveshja atëherë kur është përpiluar, argumenti se të gjitha mjetet diplomatike dhe politike janë shterur dhe se bombardimet ishin të pashmangshme, nuk do të ishte i qëndrueshëm.” Scheer poashtu akuzon qeverinë gjermane se kishte rënë komplet në ndikimin e ShBA-së në çështjet e NATO-s.

Është pikërisht Shtojca B ajo që e bëri të papranueshme marrëveshjen e Rambujesë për palën jugosllave. Denoncuesit e kësaj marrëveshje thonë që bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi kanë ardhur si pasojë e dështimit të Rambujesë e jo si pasojë e suksesit të saj. Ky interpretim është shumë sipërfaqësor sepse e injoron faktin që Marrëveshja e Rambujesë ka qenë e dizajnuar që të dështojë. Palës Jugosllave qëllimisht i ishte vendosur në tavolinë një marrëveshje që nuk mund të pranohej.

Politikisht, përpiluesit e Marrëveshjes së Rambujesë kanë synuar që nga fillimi që të bombardojnë Jugosllavinë, që të largojnë të gjitha trupat ushtarake dhe adminstrative jugosllave nga Kosova dhe të krijojnë kushte për një protektorat ndërkombëtar që do të respektonte “vullnetin e popullit” të Kosovës.

Këtë interpretim e mbron edhe diplomati amerikan, Henry Kissinger, që thotë se marrëveshja e detyronte Jugosllavinë që të pranonte nënshtrim ndaj NATO-s. Ai poashtu shton se këtë marrëveshje nuk do ta pranonte as serbi më engjëllor, e lë më Millosheviçi.

Juridikisht, teksti ishte ambivalent, por interpretimi i tij do të bëhej në përshtatje me realitetin e ri që do të krijohej në Kosovën që de-facto do të ishte e pavarur nga Jugosllavia. Jo më kot futja e trupave të NATO-s në Kosovë konsiderohet si dita e çlirimit që krijoi rrugën për shpalljen e pavarësisë.

Sepse edhe ashtu ishte.

Sepse ashtu synonte marrëveshja që nga fillimi.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë