AAK ka inicuar një rezolutë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, deri sa të ndodhë liberalizimi i vizave. Por, AAK dhe Ramush Haradinaj kanë mundur ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi qysh para tre vjetësh dhe t’i nxjerrin qytetarët nga izolimi. Ndërkohë, përderisa partia e tij inicon të tilla rezoluta, kryeministri e mbështet pa kushte dialogun në krye me Hashim Thaçin
Deputetët e AAK’së kanë inicuar një rezolutë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë deri në liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas tyre, Kosova ka bërë shumë koncesione në këtë dialog e nuk ka marrë asgjë mbrapa.
Inicativa e deputetëve të partisë së Ramush Haradinajt ka ardhur pasi duket të jetë e qartë se kosovarët nuk do të mund të lëvizin lirshëm as sivjet në zonën Schengen, pavarësisht që qeveria e vendit pretendon të jenë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara. Por, janë pikërisht disa nga këta deputetë të cilët në kohën e Qeverisë Mustafa, me protesta të ashpra në rrugë e në Kuvend, kundërshtonin ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, për ta miratuar të njëjtën disa muaj më vonë, kur Haradinaj u bë kryeministër.
Në vend se të inicojë të tilla rezoluta, AAK është dashur të votojë me kohë demarkacionin me shtetin malazias, e jo ta shndërrojë këtë çështje në kauzë politike për të ardhur në pushtet.
Në vend se të inicojë të tilla rezoluta, AAK është dashur që qysh para tre e më shumë vjetësh ta marrë parasysh interesin e qytetarëve, duke dhënë kontribut në Kuvend. Iniciativa e tillë është veç hipokrizi, sa për t’u arsyetuar para qytetarëve se ata po brengosen për fatin e lëvizjes së lirë të tyre.
Ndërkohë, përderisa AAK inicon rezolutë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë deri në liberalizimin e vizave, qeveria e udhëhequr nga kryetari i kësaj partie përkrah pa kushte dialogun në krye me Hashim Thaçin.
Po ta ketë pasur seriozisht, atëherë Ramush Haradinaj është dashur që një qëndrim të tillë ta bëjë të ditur me kohë, e jo tash kur faza finale e dialogut me Serbinë ka filluar.
* * *
Po të ishte treguar vullnetmirë, Ramush Haradinaj do të mund të kishte kontribuar në liberalizimin e vizave qysh para tre vjetësh, atëherë kur procesi ishte bllokuar shkaku i protestave për, siç thuhej, humbjen e 8200 hektarëve tokë. Pretendimet e tij dhe të bashkëmendimtarëve të tij nuk u dëshmuan asnjëherë, demarkacioni kaloi sipas marrëveshjes së njëjtë të vtiti 2015, por qytetarët mbetën të izoluar si më parë dhe duket se izolimi do të zgjasë.
Por, nuk është Haradinaj përgjegjësi i vetëm për këtë situatë. Ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili e shante dhe e fajësonte opozitën për bllokim të procesit, në fakt ishte i bllokuar nga deputetë të partisë së tij. Ai nuk ishte në gjendje të bind grupin parlamentar të LDK’së që të votojë unanimisht për demarkacionin.
Rasti i lëshuar për liberalizim ishte ai i nëntorit të vitit 2016, kur u bë e qartë se qytetarët e Gjeorgjisë dhe Ukrainës do të mund të lëviznin të lirë, por jo edhe kosovarët që po binin pre e inateve dhe kauzave të rrejshme politike.
Momentumi i humbur nuk po mund të kompensohet ende dhe tash, kur vetë Haradinaj dhe udhëheqës të tjerë institucionalë thonë se liberalizimi do të ndodhë shpejt, duket se procesi do të zvarritet dhe më tej – pa një datë të saktë dhe pa asnjë garanci.
Kryeministri tash ka filluar të përmend vjeshtën si afat kur mund të merret vendimi, por kjo është veç një retorikë boshe si atëherë kur thoshte se liberalizimi do të ndodhte tre muaj pas ardhjes së tij në pushtet. Ashtu si retorika e Hashim Thaçit që premtonte liberalizim para gjashtë-shtatë vjetësh, si festimi me shampanjë i ish-ministrit të PDK’së, Bekim Çollaku dhe ekzaltimi i kolegut të tij nga LDK’ja, Arban Abrashi.
* * *
Po të kishte pak moral politik, Ramush Haradinaj do të duhej dhënë dorëheqje për mospërmbushje të premtimit për liberalizim vizash. Siç do të duhej të vepronte edhe Isa Mustafa, kur nuk po mund t’i bindte deputetët e vet që të votojnë pro. Por, në vend të këtyre vendimeve të vështira, ata zgjodhën alternativën më të lehtë – të shesin demagogji e hipokrizi.
Kryeministrit Haradinaj do të duhej besuar në ato çfarë thotë po të mbante fjalën për demarkacionin. Pas tre vjet kundërshtimi, ai u detyrua të pranojë të njëjtin version të nënshkruar nga Hashim Thaçi, të kamufluar me një raport kundërthënës dhe një deklaratë presidentësh.
Do të duhej besuar kryeministrit po të merrte përgjegjësinë që i takon për dialogun me Beogradin. Rezolutat e Kuvendit e obligojnë qeverinë që të udhëheq procesin. Edhe kushtetuta e përcakton qartë ndarjen e pushteteve dhe nuk parasheh që udhëheqja e procesit t’i “dhurohet” presidentit, sepse kryeministri paska mjaft punë për të kryer.
Këto veprime e nxjerrin Haradinajn lakuriq përballë premtimeve të pambajtura dhe obligimeve të papërmbushura. Gjithçka është veç demagogji. Veç hipokrizi.