Loading…
Njëherë si tragjedi, pastaj si farsë!
  • 26/03/2018 | 22:20

...

(Reagim ndaj interpretimit të Agon Hamzës mbi zhvillimet e fundit në Vetëvendosje!).

Në shkrimin e tij të fundit – Njëherë si farsë, pastaj si komedi (Mbi atë që po ndodh në Vetëvendosje) – Agon Hamza komenton mbi serinë e gjatë të dorëheqjeve të fundit nga Lëvizja Vetëvendosje!.Në këtë elaborim, ndërmarrja e të dorëhequrve nga Vetëvendosje! është paraqitur jo thjesht sikur politikisht e pakuptueshme por esencialisht karnevaleske. Problemi qëndror, sipas Hamzës, është se rebelimi karnevalesk është impotent: ‘sikurse në Rio, ai rebelim dështon të ndryshojë terrenin ideologjik mbi të cilin ndërtohet vet performanca karnevaleske’. Preokupimi qëndror i këtij reagimi nuk është zbërthimi i motiveve personale të Hamzës për të bërë një apologji publike krejtësisht joparimore për Vetëvendosje!-n e Albin Kurtit. Në thelb, qëllimi kryesor i këtij artikulli është vetëm shpalosja e faktit qysh vetë Agon Hamza ka një botëkuptim tepër sipërfaqësor për ideologjinë në përgjithësi dhe qysh ai është totalisht dogmatik në interpretimin e ideologjik të VV-së në veçanti.

Për shkak të kufizimeve të këtij artikulli, këtu shkurtimisht do t’i adresoj vetëm elementet si vijon:

E para, Agon Hamza përdorë stilistikisht figurën e karnevalet si paralele për të përshkruar dorëheqjet sistematike nga Vetëvendosje!. Sipas tij, dallim i vetëm i dorëheqjeve prej karnevaleve të Rio De Janerios është se performanca e tyre është ‘(…)stilistikisht e pashije dhe konceptualisht e mërzitshme’. Për të qenë i shkurtër, nënvizimi i tre elementeve kryesore lidhur me këtë konstatim është i nevojshëm:

1) problemi nuk është se të dorëhequrit nga VV-ja nuk kanë pasur artikulime politike për dorëheqjet e tyre. Shpalosja e tyre varion nga kritika e autoritarizmit të brendshëm deri tek raporti (qoftë mosnjohës, qoftë thelbësisht pengues) i Vetëvendosje!-s me shtetësinë e Kosovës si të tillë. Por shqyrtimi i motiveve politike të dorëhequrëve nga ky subjekt s’është këtu fare me rëndësi. Këtu është domethënës vetëm fakti që Hamza përdorë figurën e karnevalit për të paravendosur që në fillim një kontekst negativ dhe madje ironizues për të dorëhequrit nga Vetëvendosje!. Pra, nuk është tema se se të dorëhequrit nga Vetëvendosje nuk kanë qëndrime politike në vetëvete, por konteksti i imponuar dhe projektimi i bërë nga Hamza i bën të duken sikur të tillë. Kjo është disfata e parë e Agon Hamzës në zbërthim më të gjerë ideo-politik të zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje;

2) Pavarësisht se Agon Hazma duket si një bashkëpunëtor i Zhizhek-ut, në thelb, ai është vetëm një impersonator i tij në gjestikulacione dhe një përcjellës tejet sipërfaqësor i tij në përmbajtje. Vetë Zhizhek-u, mes tjerash, insiston se diskursi i të drejtave humanitare që është dominues ditëve të sotme mbartë doza të theksuara ideologjike për shkak të ‘de-politizimit’ të subjekteve në fjalë.
Ndonëse në një rrafsh tjetër konceptual, ajo që bën Hamza është pikërisht ‘de-politizimi’ i dorëheqjeve për ta justifikuar politikisht Vetëvendosje-n. Në këtë variant, Hamza ose është njohës i cekët i problemeve të ideologjisë ose është aplikues i pjesshëm i kritikave ideologjike por assesi një autoritet kompetent për temat përkatëse. Kjo është disfata e dytë e Agon Hamzës për të dhënë një shpejgim ideologjik dhe politik për zhvillimet e vonshme brenda VV-së;

3) Hamza përdorë figurën e preferuar të Kurtit, performancën karnevaleske, për ta përshkruar situatën aktuale në Vetëvendosje!. Në kundër-përgjigje ndaj kritikave për përdorim të metodave të dhunshme, Kurti vijimësisht thotë se ‘protesta pa aksione është karneval’. Kësisoj, jo vetëm përmbajtja e shkrimit në mbrojtje të Vetëvendosje-s! por edhe simbolika e saj janë tregues i një përbrendësimi enorm të personalitetit të Kurtit nga ana e Hamzës. Këtu nuk është fjala thjeshtë edhe për imitimin e gjestikulacioneve personale sikurse ishin tërësisht të dukshme tek intervista e tij e fundit në KTV në emisionin Codex. Thelbi i çështjes konsiston tek fakti qysh Hamza reprodukton tërësisht diskursin e Kurtit në elaborim të tij. Kufiri i diskursit prodhues të Kurtit është kufiri i diskursit reprodukues të Hamzës. Në një moment në shkrimin e tij, Hamza thotë se pasaktësia teorike dhe absurditeti praktik i parullës ‘nuk ka babë, ka ide’ mund të provohet nga një leksion hyrës në psikanalizë. Megjithatë, vetë konstatime të tilla mund të bëhen prej personave që nuk kanë lexuar asnjë leksion hyrës në psikanalizë. Sfida kryesore është të ofrohet elaborimi përkatës për konstatimin në fjalë. Dhe, natyrisht, Hamza këtë nuk e ofron në artikullin e tij. Gjithsesi, do të ishte e këshillueshme nëse Hamza depërton në leksione psikanalitike për të zbërthyer gjenezën e reprodukimit ideor të autoritetit të dhënë politik. Kjo është disfata e tretë e Hamzës në interpretim më kompetent ideologjik dhe politik të temës të pretenduar.
Së dyti, Hamza argumenton se ‘(…) z. Kurti nuk ka pasur funksion formal në Lëvizje, dhe si i tillë nuk ka pasur pushtet në organet e Lëvizjes’. Një konstatim i tillë përveç që është tepër sipërfaqësor në identifikimin e pushtetit efektiv me strukturat formale është edhe mosnjohje teorike e idhullit të tij jetësor, Zhizhekut. Vetë Zhizhek-u, në serinë e eseve të tij të përkthyera në gjuhën shqipe, shkruan se anarkia nuk është e kundërta e autoritarizmit. Në fakt, mungesa e strukturave formale të pushtetit asnjëherë nuk e presupozon mungesën e ushtrimit efektiv të pushtetit. Një qasje e tillë gëzon një shembull ilustrativ empirik në Kosovë: Vetëvendosje! në periudhën kohore 2005-2011. Duke arsyetuar publikisht se ajo nuk udhëhiqet nëpërmes strukturave formale sepse aty të gjithë janë të barabartë, efektivisht është mundësuar ushtrimi efektiv i pushtetit autoritar nga ana e Kurtit. Mbase është sheshazi e qartë se Kurti ka qenë lider i Vetëvendosje edhe atëherë kur nuk është deklaruar i tillë. Për më shumë, Zhizhek-u, mes tjerash, thotë se paradoksi i figurës autoritare konsiston tek domosdoshmëria e vetë-kastrimit. Me fjalë të tjera, qëndrueshmëria më e lartë e një figure autoritare është kur ai nuk sillet sikur i tillë. Liderët me prirje autoritare – nga Chavezi, Erdogani e tutje – nuk kanë thjeshtë demonstrim të dukshëm të pushtetit por shfaqen si tepër popullor, modest dhe të thjeshtë në komunikimin me masat e gjera. Pra, saktësisht eskivimi nga struktura formale e ushtrimit të pushtetit është prej faktorëve që mundëson ngritjen autoritare të tyre. Në formë të ngjashme, një faktor me rëndësi në ngritje të Kurtit ka qenë pikërisht populizmi, modestia dhe aktrimi i vazhdueshëm i thjeshtësisë nga ana e tij. Kësisoj, Hamza shpërfaq një mosnjohje të thellë të idhullit të tij, Zhizhek-ut, në identifikim të strukturave formale të pushtetit me mundësinë e ushtrimit të autoritetit.
E treta, Hamza konstaton se ky cikël i gjatë dorëheqjesh nga Vetëvendosje! si jo parimore. Sidoqoftë, duke qenë thjeshtë në rol të gardianit politik të Vetëvendosje!-s në përgjithësi dhe Albin Kurtit në veçanti, Hamza merret (edhe ashtu duke i deformuar) vetëm me parimësinë e dorëheqjeve nga Vetëvendosje! dhe nuk ofron një gjykim më të përgjithshëm mbi parimësinë e zhvillimeve në Vetëvendosje!. Figurat që Vetëvendosje! i kishte kualifikuar si heronjë publik dhe gardianë vetëmohues të publikes e republikës, nga Ymeri, Molliqaj e Ahmeti e tutje, u bënë tradhëtarë, agjentë informative dhe dezertorë breda një nate. Për më shumë, një rast i veçantë është tepër relevant për të shpjeguar fenomenin në përgjithesi: dorëheqja e Shpend Ahmetit dhe raporti i Vetëvendosje-s me të. Personalisht, kur kam qenë kritik i disa segmenteve të qeverisë të Ahmetit në Prishtinë, jam fyer dhe linçuar prej mafisë kibernetike të Vetëvendosje!-s me argumentin që unë nuk jam thjesht kundër Kryetarit model të Prishtinës por jam edhe kundër eksportit të tij në krejt Kosovën. Pra, Ahmeti nuk ka qenë, sipas Vetëvendosje, një kryetar i zakontë por një model politik i përgjithshëm për Kosovën: shtylla qëndrore e diskursit publik i gjithë kryetarëve për kandidat të komunave nga ana e Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale ka qenë Shpend Ahmeti, përfshirë edhe kryetarin aktual të Komunës të Prizrenit, Mytaher Haskukën. Sidoqoftë, me të dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje!, Liburn Aliu dhe Albin Kurti filluan me një varg kritikash ndaj Ahmetit lidhur me performancën e tij. Kjo zbulon dy gjëra rreth parimësisë të Vetëvendosje! në përgjithësi dhe aftësisë të Hamzës për t’i zbërthyer ato në veçanti: 1) Kurti dhe Aliu thanë publikisht se ka kohë që kanë qenë disi të pakënaqur me Ahmetin, por këto çështje i kanë shprehur vetëm brenda organeve të partisë. Nga ana tjetër, deri në momentin e dorëheqjes të Ahmetit nga VV-ja, edhe Kurti edhe Aliu kanë lartësuar publikisht çdo segment të qeverisjes së tij. Kjo nuk do të thotë thjeshtë joparimësi dhe hipokrizi morale: në thelb, këtu fshihet logjika e prioritizimit të partisë (së paku, kështu vetë VV është regjistruar në KQZ!) mbi interesat publike në përgjithësi. Ajo ka qenë e pasinqertë me elektoratin prishtinas dhe ka kërkuar votë për një kauzë në të cilën nuk ka besuar as vetë; 2) momentiumi kur Kurti dhe Aliu i kanë bërë publike kritikat ndaj Ahmetit tregon që nuk kemi të bëjmë me vërejtje teknike mbi qeverisjen komunale, por me një fushatë diskredituese politike. Shpend Ahmeti u bë retroaktivisht figurë negative publike me të dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje!. Kjo tregon që ky subjekt nuk ka asnjë kriter tjetër për vlerësim të performancsë publike veç afirmimit të përkatësisë partiake. Për më shumë, teksa numronte aktivistët e dalluar që kanë kontribuuar në Prishtinë, Kurti përmendi vetëm Aliun, Sveçlën, Durmishin, Zybën e disa bashkë-aktivistë të tjerë aktualë. Pra, asnjë kompliment dhe meritë e dhënë për të dorëhequrit nga VV-ja pavarësisht se ata kanë qenë boshti i zhvillimeve në komunën e Prishtinës.
Kjo nuk tregon thjesht për mos-mirënjohje personale: ky është signal i qartë i një tendence për tjetërsim të historisë së zhvillimit të komunës bazuar në interesin momental egoist partiak. Në këtë kuptim, para se Hamza të ndërmerr gjykime mbi parimësinë personale të të dorëhequrve nga Vetëvendosje!, gjithsesi duhet të bëjë një vlerësim mbi (jo)parimësinë e Vetëvendosje!-s vis-à-vis këtyre zhvillimeve dhe (jo)parimësisë të tij në këto rrethana.
E katërta, Hamza kthen vëmendjen kritike tek të dorëhequrit nga Vetëvendosje! pikërisht ngaqë ata kanë pasur pushtetin brenda kësaj organizate. Sidoqoftë, ai nuk thotë asgjë për faktin që udhëheqësi i tanishëm i kësaj organizate, Albin Kurti, është zgjedhur me rreth 99% të votave dhe pa asnjë kundër-kandidat. Kësisoj, meqë tashmë të dorëhequrit janë pa pushtet, Hamza duhet ta këthen vëmendjen kritike tek vetë forma dhe përmbajtja e pushtetit të ri në Vetvendosje!. Si studiues i ideologjisë, Hamza do të duhej të reflektonte mbi klimën e brendshme ideo-politike që mundëson zgjidhjen e një kryetari me një shkallë votash më të lartë se Sami Lushtaku në Skenderaj në vitet e tij të arta. Si aktivist politik, Hamza do të duhej duhej megjithatë të ngritë ndonjë shqetësim rreth formës të qartë autoritare të udhëheqjes të këtij subjekti. Përkundrazi. Shkrimi i Hamzës në tërësi jo vetëm që është konceptualisht i zbrazët, por ai është në vazhdën e linçimeve, përbuzjeve dhe përqeshjeve publike të dorëhequrëve nga Vetëvendosje. Është pikërisht kjo qasje që pengon një trajtim të mirëfilltë politik të zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje. Për fund, vetë Agon Hamza është prej figurave të para që pas largimit nga Vetëvendosje! ka qenë subjekt linçimi nga ky subjekt jo vetëm mbi akuza të drejtëpëdrejta të panumërta personale, por edhe të rënda familjare mbi involvim në OZN-a dhe segmente të caktuara të strukturave të sigurimit jugosllav. Sikurse atëherë, edhe tash, është nevojë urgjente të largohen të gjitha këto forma të linçimit personal nga sfera publike. Sidoqoftë, për t’u rikuperuar para këtij presioni dhe për të rigjetur vetën në horizontet e reja të Kurtit, është tepër e dhimshme pse vetë Hamza tani bëhet pjesë e një ndërmarrje të tillë.

Qasja intelektuale dhe parimore e do ndryshe… Nejse! Nëse rrugëtimi i parë larg Vetëvendosje!-s i Hamzës kishte përmasa tragjike, rikthimi i tij i vonë tashmë duket veçse një farsë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë