Partitë politike në Kosovë po bëhen gati për zgjedhjet lokale që janë caktuar për datën 22 tetor. Subjektet politike tashmë janë në proces të caktimit të kandidatëve që do të garojnë nëpër komuna të ndryshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar katër emra për të kandiduar në Komunën e Prishtinës.
Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.
“Janë Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani, Arban Abrashi dhe Ismet Beqiri që janë dalë nga debati i pesë degëve të Prishtinës dhe grupmoshave tjera që janë pjesë e debatit të brendshëm e që përfshinë nëndegë degë dhe forumet e LDK-së”, deklaroi Haziri për Express.
Për garën në Prishtinë, vetëm Vetëvendosja dhe AAK’ja tashmë kanë zyrtarizuar kandidatët, me Shpend Ahmetin dhe Arbër Vllahiun që do të kërkojnë votën e elektoratit në muajin tetor. Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ende nuk ka kandidat zyrtar. Megjithatë, Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar se nuk do të jetë ai që do të synojë ta qeverisë Prishtinën nën emblemën e PDK’së. /gazetametro.net