Loading…
Njihuni me vajzën shqiptare që dikur u largua me lot në sy ndërsa sot shkëlqen në Angli
  • 09/11/2018 | 09:39

...

Nuk janë të paktë shqiptarët të cilët janë larguar nga vendi i tyre, por t’u integruar më pas në vendet e huaja duke u kthyer në një model suksesi.


I tillë është rasti i Sindi Selmanit, e cila ishte vetëm 7 vjeçe kur iu desh të largohej nga Vlora, duke lënë lojërat e fëmijërisë.

“Isha një vajzë tepër e vogël për të patur ëndrra apo shpresë për të ardhmen time. Si e vogël që isha e kisha mendjen të luaja dhe të mësoja. Më kujtohet kur lexoja Abetaren dhe mësoja shkronjën “A” e madhe e shtypit dhe “a” e vogël e shtypit. Më kujtohet kur mësoja tabelën e shumëzimit dhe mësoja anglisht. Ana ekonomike e shtëpisë time ishte shumë e dobët dhe prindërit e mi emigruan në Angli. I kujtoj vitet e para në Londër me shumë tmerr. Kisha një mall të paparë për atdheun tim. Më mungonte familja, më mungonte shoqëria, familja, ushqimi shqiptar dhe ambient. Londra nuk më dukej vendi që unë shihja në filma apo lexoja nëpër libra. Kisha shumë frikë kur ecja në rrugët e Londrës dhe ndjeja të gjithë peshën e familjes sime në supet e mia. Nuk e di përse ndodhi kjo gjë. Mbase dija shumë pak, dija shumë pak anglisht dhe familja u mbështet komplet tek unë. Shkonim te qendrat sociale që unë të përktheja, te doktori që të përktheja, tek avokati që të përktheja dhe isha shumë e stresuar. Ra e gjithë pesha mbi shpatullat e mija”, – tregon ajo.

Sindi rrëfen edhe ditën e parë të shkollës, përjetimi i së cilës nuk ishte siç ëndërrojnë fëmijët e tjerë.

“E mbaj mend ditën e parë të shkollës. Nuk flisja aspak mirë anglisht. Isha e huaj, nuk mund të komunikoja me nxënësit, me mësueset. Mbaj mënd disa nxënës që ishin në klasë dhe më thanë: shko, kthehu mbrapsht nga ke ardhur, në vendin tënd. Si fëmijë 7 vjeçe që isha m’u ulën të gjitha vlerat. Ndjehesha sikur unë nuk kisha të drejtë të isha në atë vend, por jeta vazhdoi”, – tregon Sindi.

Më tej, ajo rrëfen si ra në kontakt me punën si këshilltare për kabinetin qeveritar.

“Rastësisht pashë një punë si këshilltare për një ministër. E pashë këtë punë dhe qesha. Edhe sot qesh me vete. Thashë nuk ka mundësi që unë ta marr këtë punë, jam akoma e vogël. Isha 21 vjeçe. E bëra aplikimin dhe e harrova. Nuk e kisha mendjen tek aplikimi. Një ditë më ftuan që të kaloja në fazën e parë. E kalova fazën e parë, edhe të dytën dhe në fazën e tretë në dhomë na vëzhgonin këshilltarë të tjerë dhe deputetë. Ata donin të dinin si reagoja unë ndaj situatave të ndryshme, si komunikoja. E kalova dhe këtë fazë dhe më ftuan në intervistë. Më pas më intervistuan 3 femra, ku 2 punonin në kabinetin e ish-kryeministrit David Cameron dhe njëra për një deputet”, – tregon Sindi.

“Më pas më erdhi një zarf në shtëpi. E hapa zarfin dhe letra ishte nga kabineti dhe më thanë që më kishin ofruar vendin e punës. Më rrënqethet mishi kur e kujtoj. Më duket sikur ka ndodhur dje”, – tregoi Sindi.

Ndoshta nuk do ta kishte menduar kurrë se një ditë ajo do të punonte në Kryeministri, në “10 Downing Street”, ku do të përgatiste fjalimet e ministrave britanikë.

Selmani shërben sot si këshilltare ligjore në Home Office. Ajo po shërben si një ambasadore e vërtetë e Shqipërisë dhe thotë se një ditë dëshiron të kthehet në Vlorë, për t’i shërbyer vendit të saj të zemrës. Sindi Selmani ka emigruar së bashku me familjen e saj në 1991.

Rasti është bërë i ditur nga ministri për Diasporën, Pandeli Majko përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë