Loading…
Oliver Jens Schmitt: Një vepër origjinale dhe jokonvencionale
  • 17/11/2018 | 16:39

...

Parathënia për librin nga: Oliver Jens Schmitt.


Libri “Shqiptarët dhe të tjerët: nga Madona e Zezë deri te Molla e Kuqe” i historianit Ylber Hysa do duhej të ishte libër i obligueshëm për të gjithë studentët shqiptarë të historisë.

Në shumë pika, Hysa shkruan ndryshe nga shkenca e zakonshme shqiptare Historiografia shqiptare në Evropën Juglindore njeh një rend temash të përhershme të cilin e ndjekin shumica e historianëve deri më sot.

Prandaj të befasuar marrim në dorë një libër që përpiqet të ecë rrugëve të reja dhe që qëllimisht rrok tema jokonvencionale. Ylber Hysa ka shkruar një vepër, e cila ofron një përzgjedhje interesante të trajtesave.

Ai merret me çështjen e herezisë dualiste dhe heterodoksisë në Shqipërinë mesjetare (të cilën flamurtarët e ateizmit në Shqipërinë e Enver Hoxhës me qejf e përmendin si argument historik për distancën e shqiptarëve ndaj dy kishave); vijon pastaj një punim për Stećci-n, (formë mesjetare e gurëve të varrit, v.j.), thelbi i veprës i kushtohet popullsisë me prejardhje afrikane të Ulqinit; mandej autori ndjek “gjurmët e ortodoksisë te shqiptarët e Maqedonisë”; “Sinan Pasha dhe shafrani në Kaçanik” përbën objektin e kapitullit pasues; dy kapitujt e fundit rrokin titullin e librit – “Madona e zezë në Kosovë” dhe “Molla e kuqe”.

Në fillim Hysa paraqet mendimet e tij metodologjike. Me këtë rast ai fillimisht i qaset prezantimit të historisë shqiptare nga ata historianë serbë dhe bullgarë, të cilët shqiptarët i shihnin kryesisht si malësorë pa histori, të cilët jetonin në katërkëndëshin e konstruktuar nga albanologu kroat Milan Shuflaj, Shkodër-Prizren-Ohër-Vlorë, përtej rrugëve të mëdha.

Lidhur me fjalinë se “çfarë është për grekët deti dhe për sllavët rrafshina, për shqiptarët janë malet”, Hysa flet për një pikëpamje “horizontale”. Paraqitja e hulumtimeve serbe është e diferencuar, pasi që Hysa nuk merr qëndrim vetëm kundër autorëve nacionalistë, por thekson edhe punimet e shkencëtarëve nga Ilarion Ruvarac deri te Olga Zirjoviq.

Një pikëpamje “vertikale” Hysa e konstaton në anën e historiografisë shqiptare, e cila, sipas tij, niset nga prania pothuaj e përhershme “metafizike” iliro-shqiptare në viset që sot banohen nga shqiptarët dhe “përtej tyre”.

Këtu ai përpiqet të qëmtojë elemente dinamike në imazhin statik të historisë. Në shumë pika, Hysa shkruan ndryshe nga shkenca e zakonshme shqiptare: kjo bëhet e qartë në shembullin e popullsisë zezake dhe shqipfolëse në portin e piratëve në Ulqin. Si duhet të kategorizohet ajo?

Nga njëra anë është krenaria mbi të kaluarën e qytetit, i cili në Epokën e re të hershme përbënte një qendër të pashembullt piratësh në Adriatik, nga ana tjetër paqartësia, e cila krijohet nga përkatësia kombëtare që bazohet në prejardhje, kur ajo përballet me fenomenin e afrikanëve albanofonë.

Fakti që një historian merret me të kaluarën osmane përtej kryengritjes dhe represionit po ashtu duhet të vihet në dukje: Hysa është njëri prej historianëve të parë shqiptarë që hulumton një temë të kulturës materiale, fjala është për shafranin e rëndësishëm në periudhën osmane dhe të njohur në mbarë Evropën juglindore, i cili mbillej në Kosovë.

Gjatë trajtimit të Stećci-t boshnjak, Hysa mban anën e atyre shkencëtarëve, të cilët ato nuk i shohin si dëshmi të Kishës Boshnjake, por si monumente të lashta ballkanike – më saktë ilire. Referencat ndaj mendimtarëve të njohur vërehen edhe gjatë trajtimit të ortodoksëve shqiptarë të ritit sllav.

Zakonisht në shkencën shqiptare dhe në historiografinë shqiptare ortodoksia kufizohet në Shqipërinë e sotme jugore, e cila deri në shekullin 20-të ka ndjekur ritin grek. Sa i përket Kosovës mesjetare, përkatësia e shqiptarëve ndaj ritit ortodoks hidhet poshtë me vërejtjen se të gjithë, ose shumica e shqiptarëve të krishterë paskëshin ndjekur ritin romak.

Edhe atëherë kur hulumtohet çështja e ortodoksëve albanofonë të ritit sllav (Pejë dhe Ohër), vështrimi jo përherë është i çliruar nga shtesat nacionale; thuhet se ky grup i ortodoksëve dalëngadalë edhe gjuhësisht i ishte përshtatur shumicës sllave, në rastin konkret asaj maqedonase, kështu që pastaj portat janë të hapura për teorinë se disa, shumë ose të gjithë – varësisht nga orientimi politik – ortodoksët maqedonas të një rajoni të caktuar qenkan “në fakt” ortodoksë të asimiluar albanofonë, ose edhe më mirë: shqiptarë ortodoksë.

Hysa sjell shembuj interesantë për shkrimin e shqipes me alfabet cirilik (shënim varri i Andçes, i biri i Duko-s, në Tetovë) dhe tërheq vëmendjen te publicisti Josif Bageri nga Reka, i cili ishte botues i revistës “Shqypeja e Shypënis/Albanski orel” në Sofje.

Për Hysën, asimilimi i shqiptarëve ortodoks është një “dëm kolateral” i krijimit të shtetësisë maqedonase dhe identitetit nacional maqedonas. Kësaj ai ia kundërvë traditën shqiptare të identitetit mbifetar. Grupin e ortodoksëve shqiptarë të maqedonizuar ai e sheh në fushën e tensionuar të “asimilimit të plotë ose ruajtjes së trikonfesionalitetit”. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë