Loading…
Pacolli e ngatërroi edhe më shumë Demarkacionin
  • Nga

  • BATON HAXHIU

  • 28/09/2017 | 11:04

...

E përcolla me kokëdhimbje sinqeritetin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit, në Podgoricë.


U mundua që ta ndërtojë një narracion me disa parime, duke shpresuar se mirësia e fjalive shkon me principet e munguara. Por, ishte e panevojshme dhe me rrezikshmëri politike që disa çështje – të cilat do të duhej të mbeteshin vetëm në tavolinën e takimit ndërmjet shteteve – të barteshin edhe në konference për media. Ato, shpeshherë, në përvoja të shumë shteteve dhe situatave të ngjashme, kanë pasoja të pakthyeshme në marrëdhënie ndërmjet vendeve.

Desha që në fillim ta kem një qëndrim të paluhatshëm për Kryeministrin Ramush Haradinaj, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Ministrin Behgjet Pacolli.

Vendimet shtetërore nuk janë mendime dhe as qëndrime personale. Sepse, duke e përdorur fjalinë “nuk jemi gati për demarkacionin e nënshkruar nga institucionet”, po shërojmë ambicie personale tonat. E vërteta nuk do jetë ndryshe nga ajo që është nënshkruar.

Mund të ndodhë edhe më keq: që fjalitë e Ministrit të Jashtëm të Kosovës një ditë NATO t’i quajë “pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër”.

Duhet të dallohet qartësisht vendimi dhe qëndrimi shtetëror prej atij opozitar. Vendimi shtetëror ka parime dhe pasoja ndërshtetërore, ndërkombëtare dhe diplomatike. Pasojat për opozitën kanë një dimension tjetër – kanë të bëjnë vetëm me votën, zgjedhjet dhe presionin ndaj organeve shtetërore që në çfarëdo negociate të nxirret maksimumi për çështje të caktuara.

Pas nënshkrimit dhe aprovimit duhen respektuar vendimet e marra nga organet shtetërore, të cilat njëkohësisht janë edhe obligim ndërkombëtar.

Kështu nuk ishte në konferencën për media të Pacollit dhe Darmanovicit, as me gjuhën e thënë, e as me përfundimin saj.

Po ndalem te konferenca e Ministrit Pacolli në Podgoricë.

Njeriu i parë i diplomacisë kosovare shkoi në Podgoricë për të kërkuar shtyrje të demarkacionit dhe për të ndërtuar parime të reja. Por, kishte harruar se për të tregtuar me principe, fillimisht duhet t’i bëjmë të mundura ato.

Ai shkoi në Podgoricë me dëshirën më të mirë për të sugjeruar diçka. Por, me qëndrimin e tij vuri në pikëpyetje institucionet dhe vendimet e nënshkruara nga liderë institucionesh. Bile, tregoi se duke mos qenë të gatshme për demarkacionin, institucionet tona dhanë shenja që kërkojnë territor ndaj një shteti tjetër.

Gjithashtu, Pacolli i vuri në pikëpyetje institucionet tona. Harroi faktin se për t’i vënë në pikëpyetje institucionet, fillimisht duhet t’i krijojmë ato, të jenë stabile, e vetëm pastaj mund të hyhet në bisedime për t’i ndryshuar paqartësitë që lindin me shtetin tjetër.

Në konferencën për media në Podgoricë u dha një mesazh që pa dashje mbart disa elemente të rënda.

Gjatë procesit të demarkacionit, sipas logjikës së Ministrit të Jashtëm Pacolli dhe dy liderëve të tjerë (Haradinaj dhe Veseli), shteti ynë ka pasur përfaqësues me veprime dhe elemente tradhtie dhe ka pasur një grup ekspertësh me padijeni të theksuar. Këtë padijeni e dërgoi edhe te grupet ndërkombëtare, që ishin monitoruese dhe aprovuese të këtij procesi.

Këto elemente të konferencës për media nuk u morën seriozisht.

Behgjet Pacolli, me dëshirën e mirë për të dalë nga situata në të cilën kemi ngecur, e në të cilën kemi hyrë me naivitet politik dhe personal, me dëshirën e mirë për t’i nxjerrë me fytyrë edhe institucionet e Kosovës – ka ngatërruar punë edhe më shumë.

Ai konkretizoi dyshimet që i kanë të tjerët për ne, sepse tregoi se ende pa filluar mirë ndërtimi i shtetit, vetë ai dhe të tjerët si ai kanë filluar të dyshojnë në të dhe në njerëzit që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës.

Kjo Qeveri e re duhet ta ketë parasysh se për të dyshuar në shtetin dhe në njerëzit që përfaqësojnë shtetin, fillimisht duhet ta kemi shtetin të formuar në kuptimin e plotë të fjalës.

Krejt në fund, më duhet të përsëris se ka një hendek të madh ndërmjet nesh dhe BE-së.

Në vend që të merremi me parimet e BE-së karshi Kosovës, duke i sfiduar me qëndrime dhe veprime shtetërore, institucionet tona ndërtojnë logjikën e mungesës së principeve dhe japin shembull se sfidohet gjithçka që është ndërtuar me pjesëmarrjen e BE-së dhe SHBA-së.

Merremi për tre vjet me radhë me demarkacionin, duke besuar në njerëz aventurierë që në pleqëri dëshirojnë të shënohen si patriotë, sepse në kohën e tyre ose s’kanë pasur fare patriotizëm, ose kanë pasur deficit të theksuar të tij.

Dallimet tona me Europën sot janë shumë më të vogla sesa para shumë vjetësh. Të gjitha dallimet që kemi pasur janë reduktuar në një: ligji, më konkretisht – mungesa e zbatimit të ligjit.

Institucionet tona dhe Ministri i Jashtëm duhet të dalin jashtë kësaj lëkure të kotë, duke i thënë Europës – ka edhe diçka që na dallon ndjeshëm neve dhe vendet tjera në Ballkan.

Komuniteti i BE-së di si të ofrojë shërbime për shtetndërtim, por ajo që nuk di është si të krijojë institucione vendore të vetëqëndrueshme.

Ka edhe diçka që na dallon te shtetndërtimi dhe te të kuptuarit e shtetit. Ne mesin e anëtarëve të BE-së nuk ka dakordim se çka është shteti i ri dhe si bëhet njohja dhe përcaktimi për jetën e tij.

Këto duhet të jenë kërkesat tona.

Këtu e kam fjalën për BE-në, e cila dëshiron të bëhet faktor përcaktues në ndërtimin e Kosovës dhe marrëdhënieve ballkanike dhe europiane. Për BE-në që dëshiron të na mësojë për principialitetin e shtetndërtimit, ndërsa në mesin e anëtarëve të saj nuk mund të merren vesh se çka është shteti, dhe pikërisht në rastin e Kosovës.

Mainstream-i politik evropian në periudhën e krijimit të Kosovës ishte parimor në qëllimet, programet dhe vizionet për ta ndërtuar një shtet të pranuar, integruar dhe krenar në të njëjtën kohë. Ky ka qenë një princip i qartë.

Por, kjo elitë europiane është po aq e gatshme në dyluftimin e mendjemadhësisë brenda anëtarësisë së saj dhe oportunizmit politik, duke i reduktuar këto principe në pakufi, e duke e çuar paqartësinë e saj deri të kufijtë e durimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ne kemi probleme serioze në këtë proces, që Ministri i Jashtëm duhet t’i adresojë.

Qytetarët serbë të Kosovës me konsistencë mohojnë legjitimitetin e institucioneve të shtetit të Kosovës, deri në momentin kur duhen marrë vendet kryesore në këto institucione. Këtu, principi ia lëshon vendin pagës shtetërore.

Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, në kohën sa ishin opozitarë, ishin principielë në mohimin e pakufishëm të çdo gjëje në emër të qytetarëve të pafuqishëm dhe të varfër.

Në këtë logjikë vihet dyshimi mbi qëllimin e tyre, sepse njëkohësisht luajtën edhe rolet e pengjeve të sistemit të cilin dëshironin ta rrënonin.

Demarkacioni i spektaklit nga realiteti bëhet çdo herë e më i pamundur në këto kohëra të fake-news. Megjithatë, tash kur Ramush Haradinaj është Kryeministër dhe Fatmir Limaj Zëvendëskryeministër, situata ka ndryshuar.

Kosova në këtë moment nuk mund t’ia lejojë vetës këtë luks. Para së gjithash, nuk mundet për shkak të gjendjes në Ballkan, e cila përsëri këtë regjion e bën vatër zjarri gjatë themelimit të rendit të ri të forcave ndërmjet fuqive të mëdha.

Ashtu si edhe vendet e tjera në regjion, Kosova është në situatë të bëhet fituese ose humbëse në këtë lojë të interesave ndërkombëtare, të cilat thyhen në mënyra që do t’i përkufizojnë dekadat para nesh.

Në analizën përfundimtare secili shtet që merret me ne e ka një konstatim të gatshëm; kufijtë janë në funksion të pushtetit.

Nëse nuk i mbroni, ato janë vetëm vija me pika.

Ne së shpejti do zbulojmë nëse llogaritja ishte e saktë.

Në qoftë se do të krijojmë melodramë politike, do të kthehemi në shekullin e 19-të dhe fuqitë e mëdha sërish do ta luajnë lojën e tyre të madhe me kufijtë e të tjerëve.

(Titulli i opinionit të ribotuar është i Gazetës Metro)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë