Loading…
Paralajmëron Amerika: Kujdes, mund të ketë sulme në Kosovë
  • 14/01/2018 | 13:07

...

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që planifikojnë të vijnë në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore – Mitrovicë, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – që të jenë të kujdesshëm, thuhet në njoftimin e ri për udhëtime të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.


Kjo Ambasadë, që ka përcjellë paralajmërimin e DASH-it ku kërkohet nga qytetarët amerikanë që dëshirojnë të vijnë në Kosovë, kërkon kujdes të shtuar nga ta për shkak të trazirave të mundshme, por edhe të sulmeve të mundshme terroriste.

“Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në mbarë Ballkanin, përfshi edhe Kosovën. Terroristët munden që me paralajmërim të vogël apo pa asnjë paralajmërim, të sulmojnë lokacione turistësh, stacione autobusësh, tregje/qendra tregtare, ndërtesa të qeverisjes lokale, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive e kulturore, institucione edukative, aeroporte e hapësira tjera publike. Veç kësaj, në mbarë Kosovën ka dhunë të motivuar politikisht”, thuhet në paralajmërimin e DASH-it për qytetarët amerikanë që udhëtojnë për në Kosovë, raporton koha.net.

Megjithatë, DASH thotë se nëse qytetarët amerikanë vendosin të udhëtojnë në Kosovë, duhet t’i shmangin demonstratat, të jenë syçelë në vende që frekuentohen nga Perëndimorët, të monitorojnë mediet lokale për lajmet e fundit dhe t’i përshtatin planet e tyre bazuar në informacionet e reja.

“Regjistrohuni në Programin e Mençur të Udhëtimit (STEP) për të pranuar njoftimet dhe ta kemi më të lehtë t’ju gjejmë në raste emergjente. Ndiqeni Departamentin e Shtetit në Facebook dhe Twitter. Rishikojeni Raportin për Krim dhe Siguri në Kosovë. Qytetarët amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit duhet që gjithmonë të kenë një plan mbështetës për situata emergjente”, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në këtë paralajmërim, DASH thotë se pjesët që duhen shmangur në Kosovë janë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.
“Tensionet brenda dhe mes komuniteteve në veriun e Kosovës vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira tjera në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan. Ndonëse trazirat e fundit kanë qenë të ndërlidhura politikisht dhe nuk përfshijnë turistët apo pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar, kalimtarët e rastit mund të preken nëse ndodhin incidente të dhunshme”, shprehet DASH-i.

Në njoftim po ashtu thuhet se Qeveria Amerikane ka mundësi të limituara për të ofruar shërbime emergjente në veri të Kosovës pasi që “udhëtimi në Mitrovicën Veriore, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan është i kufizuar”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë