Reshjet e shiut dhe breshrit që filluan pasditen e 14 qershorit, kanë shkaktuar miliona euro dëme në qytetin e Rahovecit dhe fshatrat përreth. Për të përballuar dëmet, nevojitet ndihma e Qeverisë, pasi që buxheti i kësaj komune nuk ka fonde të mjaftueshme.
Përveç dëmeve në vreshta dhe kultura bujqësore të shkaktuara nga breshëri dhe shiu i madh, ka pasur dëme edhe në amvisëri dhe biznese.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, deklaroi për KosovaPress se për të sanuar gjendjen është bërë krejt çka ka qenë e mundur nga ana e komunës, duke formuar shtabin për menaxhimin e krizës, ku pjesë e tij janë të gjitha instrumentet e pushtetit lokal. Porse ka theksuar se urgjentisht nevojitet fondi për investime të dëmeve dhe sistemi raketor antibreshër.
“Realisht komuna jonë është goditur jashtëzakonisht shumë nga këto reshje që kanë filluar me 14 qershor, kanë vazhduar më 15 qershor e madje edhe ditën e djeshme. Ne hapin e parë e kemi bërë sigurt. Si institucione iu kemi dalë në ndihmë edhe qytetarëve, edhe fermerëve, edhe pronarëve, familjarëve, të cilët realisht kanë qenë të rrezikuar sepse kanë pasur ujë nëpër shtëpitë e tyre dhe janë dëmtuar amvisëritë. Nesër kemi seancë urgjente dhe aty do të kërkoj nga Kuvendi që të na lejohet përdorimi i një fondi emergjent, i cili ka të bëjë më shumë me intervenime emergjente, si sanim i pasojave të rënda, të cilat i kanë shkaktuar reshjet e fundit. Gjithashtu, do të bëjmë një thirrje drejtuar kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrive të linjës që të na përkrahin direkt përmes një fondi”, tha ai.
Si pasojë e motit të lig, bujqësia në komunën e Rahovecit është goditur aq shumë sa që nuk dihet se si do të mbijetojnë fermerët të cilët kanë toka me qira, puna e të cilëve siç thotë kryetari Latifi pothuajse ka shkuar e tëra dëm.