Loading…
Për Albin Kurtin dhe akuzat ndaj medias
  • Nga

  • FLUTURA KUSARI

  • 19/04/2017 | 15:42

...

Në seancën e të mërkurës, deputeti Albin Kurti, duke e keqpërdorë foltoren e Kuvendit të Kosovës ka sulmuar rëndë televizionin Klan Kosova duke e quajtur atë “fabrikë virtuele televizive për amortizimin e pakënqësisë së qytetarëve”.

Logjika e tij që të sulmojë mediat në këtë mënyrë nuk dallon nga ajo e Donald Trump-it i cili me sloganin “lajmet e rrejshme” vazhdimisht sulmon mediat në ShBA. Në fjalimin e tij, deputeti Kurti qenka bazuar në praktikat në ShBA dhe si duket e konsideron Trump-in si shembull në raportin e tij me mediat, gjë që nuk është ashtu.

Në fakt, në sulmin që Lëvizja Vetëvendosje! (VV) paska organizuar ndaj televizionit Klan Kosova ka pak vend për t’u çuditur pasi që VV-ja tashmë e ka dëshmuar që beson në zbatim të njëanshëm të të drejtës së lirisë së shprehjes. Sipas tyre, kjo e drejtë duhet të vlejë vetëm për ata që pajtohen me qëndrimet e VV-së, ndërsa kritikuesit e saj nuk duhet të gëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes.

Ka disa vjet që këtë mendësi VV-ja dhe anëtarët e saj mundohen të na e bëjnë të qartë përmes disa veprimeve konkrete:

1) Duke kërkuar nga mediumet që gazetarë të caktuar, raportimet e të cilëve nuk u pëlqejnë, të mos ndjekin ngjarjet e tyre;
2) Duke refuzuar të ofrojnë informata dhe duke shkëputur bashkëpunimin me mediume që janë kritike ndaj politikave të tyre;
3) Duke u premtuar publikisht gazetarëve që nëse vijnë në pushtet do t’i tërheqin zvarrë e do t’i dërgojnë në burg (kërcënim ky që është ‘tërhequr’)
4) Duke linçuar gazetarët që janë kritikë ndaj tyre, përmes aktivizimit të ‘armatës’ së njerëzve online me shpresen e pashpresë që do t’i bëjnë të heshtin

VV-ja është e obliguar që të bashkëpunojë me të gjitha mediumet dhe të ofrojë informacione. Disa mediume do të raportojnë saktë e disa mediume nuk do të raportojnë saktë, mirëpo kjo nuk ia jep të drejtën VV-së që informatat t’i plasojë vetëm në mediumet që zgjedhë ajo ose të mos i plasojë fare. Biles, edhe vetë Trumpi nuk ka shkuar aq larg sa të shkëpusë tërësisht bashkëpunimin me gazetarët e CNN-it dhe New York Times-it të cilët ende kanë të drejtë të raportojnë nga Shtëpia e Bardhë, ndonëse nuk pajtohet me politikat redaktoriale të tyre.

Në krahasim më partite tjera politike VV-ja dukshëm dallon për të mirë nga subjektet tjera politike dhe një gjë e tillë është reflektuar në media falë punës së gazetarëve.
Mirëpo VV-ja duhe ta kuptojë që puna e gazetarëve nuk është ta lavdërojnë atë për punët e kryera por ta mbajnë atë përgjegjës dhe t’i kërkojnë llogari për punët e pakryera.

Politikën redaktoriale të Klan Kosovës dhe të mediumeve tjera nuk e vendosë VV-ja por gazetarët e saj. Pakënaqësitë e saj eventuale ndaj mediave VV-ja mund t’i shprehë vetëm përmes ankesave e padive e jo duke i sulmuar ato njëanshëm nga Kuvendi i Kosovës.

Siç kanë thënë gjykatësit në Strasburg, e drejta e lirisë së shprehjes nuk mbron vetëm informacionet ose idetë e pranueshme nga publiku dhe ato që konsiderohen jo-ofenduese, por mbron edhe informacionet ose idetë që fyejnë, trondisin ose shqetësojnë; të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur, pa të cilat nuk mund të ketë një shoqëri demokratike.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK duhet të reagojë për këtë rast, të dënojë sulmin e VV-së ndaj televizionit Klan Kosova dhe t’i dalë në mbrojtje gazetarëve! Njëjtë duhet të bëjë edhe EFJ-ja.

(Autorja është Juriste e të Drejtës së Medias. Këto qëndrime janë shprehur në Facebook).

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë