Loading…
Për falimentimin e Telekomit të Kosovës
  • Nga

  • VEGIM KRAJA

  • 04/05/2018 | 14:38

...

Ditëve të fundit u raportua në media, se ndërmarrje publike Telekomi i Kosovës është buzë falimentimit, si rezultat i humbjeve gjatë tremujorit të parë të këtij viti, si pasojë e rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve. Me këtë rast kreu i Qeverisë së Kosovës, përkundër shqetësimeve të ngritura për këtë krizë, përjashtoi mundësinë e pagesës së borxheve, ose mbulimin e humbjeve nga Qeveria, e cila ushtron rolin e aksionarit në bazë të nenit 5 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike të Republikës së Kosovës.

Zotimi i Qeverisë së Kosovës për të mos mbuluar humbjet e kësaj ndërmarrjeje publike, me paratë e taksapaguesve është i arsyeshëm në një vend normal dhe për një ndërmarrje si kjo, e cila ka më shumë se 56% të tregut të telefonisë mobile në Kosovë, sipas raportit të fundit të AKREP-së. Po ashtu, para se të financohen humbjet me paratë e qytetarëve, nëse vendoset një gjë e tillë nga ana e Qeverisë së Kosovës, duhet që në mënyre të hollësishme të kërkohet llogari nga menaxhmenti i tashëm dhe paraprak i kësaj ndërmarrje, e cila në vitin 2010 ka shpërndarë dividenda në vlerë prej 80 milionë euro.

Pra, sikundër mund të shihet, është më se e qartë se humbjet e shkaktuara janë rezultat i keqmenaxhimit dhe numrit të madh të punëtorëve, i cili ka arritur numrin prej 2,394 punëtorësh, sipas të dhënave të fundit të publikuara më 2012 nga ana e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Nuk ka informacion zyrtar nëse ky numër është rritur apo është zvogëluar, por një gjë është e qartë: kjo ndërmarrje është duke shkuar drejt falimentimit, si rezultat i keqmanaxhimit, të mbipopullimit me punëtorë dhe rrogave të tyre në shpërpjesëtim me të hyrat e kompanisë. Shihet qartazi se ky mbipopullim ishte i panevojshëm, nëse krahasohet numri i punëtorëve në Telekomin e Kosovës me konkurrentin e tij kryesor, IPKO-n, e cila, sipas të dhënave në ARBK, punëson 367 punëtorë, ndonëse ofron shërbime të njëjta ose identike.

Mirëpo, edhe përkundër problemeve me të cilat përballet Qeveria e Kosovës, si ushtruese e të drejtave të aksionarit në këtë ndërmarrje, Qeveria gjendet në një rrugë qorre, sa i përket falimentimit të Telekomit të Kosovës, meqë, edhe nëse dëshiron ta falimentojë, nuk ka infrastrukturë ligjore për ta bërë këtë, pasi që, sipas nenit 2 të Ligjit Nr. 05/L-83 “Për falimentimin”, dispozitat e këtij ligji nuk vlejnë për ndërmarrjet publike të themeluara sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Nga kjo rrugë qorre, ku gjendet Qeveria e Kosovës, mund të dilet vetëm nëse Qeveria e procedon në Kuvendin një ligj të veçantë për falimentimin e ndërmarrjeve publike, ose e ndryshon neni 2 të ligjit aktual për falimentimin. Është e çuditshme pse ligjvënësi, përkatësisht Kuvendi i Kosovës ka përjashtuar mundësinë që me ligjin ekzistues për falimentim të administrohet edhe falimentimi i ndërmarrjeve publike.

Por, a është falimentimi i PTK-së zgjidhje, apo ka zgjidhje shpëtuese për PTK? Ekzistojnë dy mundësi të tilla:

  1. Ndihma shtetërore

Qeveria mund t’i ofrojë ndihmë financiare shtetërore qoftë përmes kredive të buta, apo subvencioneve në forma të tjera, por kjo ndihmë duhet të jepet në pajtim me Ligjin për Ndihmën Shtetërore, i cili nuk jam në dijeni nëse është përfillur nga organet shtetërore, pasi dhënia e një ndihme të tillë mund të konsiderohet e dëmshme dhe të pengojë konkurrencën e lirë. Po ashtu, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh që këtë (pako) ndihme mund ta japë në pajtim me frymën e rregullativës evropiane, duke pasur parasysh se një obligim të tillë e ka marr përsipër me Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim, meqë një ndihmë e tillë që e favorizon një subjekt apo një produkt mund të ndikojë në prishjen e konkurrencës.

Përveç ligjshmërisë së ndihmës eventuale të Qeverisë së Kosovës me anë të parasë publike, kjo ndihmë duhet të legjitimohet para publikut dhe taksapaguesve, se është ndihmë në të mirë të publikut dhe jo të shfrytëzohet për pagat e enorme të menaxhmentit të kësaj ndërmarrje dhe për bonuset e tyre, të cilat vazhdojnë t’i vjelin, edhe pse e kanë çuar ndërmarrjen e tyre në falimentim. Më rastisi të shoh në njërin nga programet televizive ministrin e zhvillimit ekonomik, i cili i ka nën mbikëqyrje ndërmarrjet publike qendrore, me ç’rast ai deklaroi se paga mesatare në Telekom, në të cilin edhe më tej vazhdojnë punësimet, është 1,100.00 EUR, që është tri herë më e lartë se paga mestare në vend.

Prandaj, ndihma eventuale me paratë publike duhet të legjitimohet në tri mënyra: së pari, të jepet llogari ligjore nga ata të cilët shkaktuan këtë situatë; së dyti, të rishikohen biznes-planet dhe kontratat e kësaj ndërmarrje, veçanërisht ato të marketingut, të cilat janë astronomike për tregun e Kosovës; dhe, së treti, që edhe më e rëndësishmja, rishikimi i politikave të punësimit.

  1. Privatizimi i mundshëm

Futja e kapitalit privat, qoftë përmes privatizimit të Telekomit të Kosovës apo emetimit të letrave me vlerë (përfshirë edhe aksionet e reja) është zgjidhje gati se e pamundur në këtë fazë, pasi që askush nuk e ndërmerr një rrezik të tillë, për të futur paratë e veta në një ndërmarrje pranë falimentimit.

Përfundimisht, zgjidhja e vetme e cila mund të merret në konsideratë, është shpëtimi i kësaj ndërmarrjeje publike përmes dhënies së një pako të ndihmës shtetërore, në pajtim me instrumentet ligjore të theksuara më lartë, duke implementuar një plan biznesi në mënyrë strike, përfshirë edhe reformat, të cilat mund të jenë të dhimbshme dhe jo popullore për sigurimin e votave për klasën politike, përkatësisht një ristrukturim i thellë i kësaj ndërmarrje, që mund të çojë në largimin e më shumë se gjysmës së punëtorëve, në pajtim me nevojat e saj operacionale.

Dhe nëse kjo ndikon në shpëtimin e kësaj ndërmarrjeje të procedohet menjëherë me privatizimin e saj, pasi që modeli i ndërmarrjeve publike është të treguar jo fitimprurëse dhe shpeshherë barrë për Kosovën. Modeli i këtyre ndërmarrjeve është kallëzuar i pasuksesshëm edhe në Slloveni, e cila ka filluar të ti kërkojë blerësit për ndërmarrjet e saja, duke filluar nga Telekomi deri në furrat e bukës.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë