Loading…
Përfshihet edhe Enver Petrovci: I reagon regjisorit që e përmendi si ‘ndërmjetës’ që aktori serb ta marrë rolin e Adem Jasharit
  • 05/03/2018 | 18:16

...

Aktori Enver Petrovci ka refuzuar të tregojë nëse me të vërtetë kolegu i tij aktori Rade Serbedzija ka kërkuar nëpërmjet tij që të marrë rolin e Adem Jasharit në një film kushtuar komandantit legjendar të UÇK’së. Për më tepër, i nervozuar, Petrovci ka kërkuar që të mos i përmendet emri i tij në lajme të tilla, as nga mediat e as nga regjisori Luan Kryeziu. 


Enver Petrovcit hiq nuk po i intereson, siç e quan ai, “muhabeti” se aktori nga Serbia, me famë botërore,  Rade Serbedzija ka kërkuar nëpërmjet tij ta marrë rolin e Adem Jasharit.

Këtë gjë e ka pohuar regjisori dhe skenaristi i filmit që është ende në fazën fillestare të ideimit , Luan Kryeziu. Por, aktori Petrovci të hënën i ka thënë Gazetës Express se kolegu i tij ka gabuar që i ka përmendur emrin e tij.

Ai nuk ka mohuar e as pohuar deklarimet e skenaristit dhe regjisorit kosovar. Madje, krejt këtë e konsideron muhabet palidhje dhe joserioze.

“Çka po më intereson çka ka than Luani. Ka lajme ma te mira ma te mençura. Nëse ma ka përmend Luani emrin, ka gabu. Çka ka me ma përmend ai mu emrin. Palidhje”, ka thënë reaguar i nervozuar përmes telefoni, aktori i njohur kosovarë.

Tutje, ai ka këshilluar që të mos merren as mediat me të tilla raportime.

“Hiq s’po më intereson ky muhabet. Këto nuk janë lajme. Leni mos u merrni me këto lajme”, ka shtuar ai në një bisedë për Express, duke u shfryer për punën që bëjnë mediat kur raportojnë për të.

Ndryshe, të dielën, regjisori dhe skenaristi Luan Kryeziu, në një kronikë televizive tha se aktori serb Rade Serbedzija ka shprehur interesim që të luaj rolin e Adem Jasharit, në filmin që ai po mundohet ta krijojë për komandantin e UÇK’së dhe familjen e tij.

Sipas Kryeziut kërkesa e tij nuk është përfillur dhe se është e natyrshme që ai nuk mund ta pranojë një propozim të tillë.

Këtë kërkesë, sipas tij, Serbedzija e ka shprehur përmes aktorit kosovar Enver Petrovci dhe thotë se e ka arsyetuar propozimin e tij duke thënë se nëse një serb e pranon Adem Jasharin, atëherë e pranon e gjithë bota.

Por krejt histori ndryshe kanë publikuar mediat serbe të hënën. Sipas tyre, ka qenë aktori Serbedzija ai që ka refuzuar të luaj rolin e komandantit legjendar dhe themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

Rade Serbedzija është aktor i njohur serb, por që ka lindur në Kroaci, në një familje serbo-kroate. Përveçse si aktor, ai njihet edhe si regjisor dhe muzicient. Madje një këngë ai ia ka kushtuar Bekim Fehmiut, aktorit tjetër shqiptar nga Kosova me famë botërore. Fehmiu kishte kryer vetëvrasje në vitin 2010 në Beograd.

Serbedzija ka qenë një ndër aktorët më të famshëm në Jugosllavi, gjatë viteve 1970-80. Po ashtu, ai njihet edhe si aktor Hollyëood’i për rolet e tij në filmat “Harry Potter and the Deathly Hallows”, “Part 1”, “X-Men: First Class”, “The Saint” dhe “Mission: Impossible 2”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë