Loading…
‘Pjetërshani i Gjakovës po bëhet Amerikë e vogël’ |FOTO
  • 30/07/2018 | 15:32

...

Në Pjetërshan të Gjakovës, do të ndërtohet një Qendër e edukimit jo-formal për rini. Kjo po bëhet me financim të MKRS’së dhe OJQ’së ‘George Williams Youth Association in Kosovo’.


Sot në Pjetërshan të Gjakovës u vu gurthemeli i Qendrës së edukimit jo-formal për rini, si një qendër rekreative për fëmijë dhe të rinj, arritur sipas marrëveshjes në muajin maj, mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OJQ “George Williams Youth Association in Kosovo” (GWY).

Në ceremoninë e organizuar, ndër pjesëmarrësit e shumtë, mori pjesë edhe Ministri Kujtim Gashi. Në ndërtimin e kësaj qendre parashihet që MKRS-ja të investojë 150 mijë euro.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se ndërtimi i qendrës të cilës iu vendos gurthemeli sot është një projekt kapital i cili do të ofrojë kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve të të rinjve dhe edukimin e mëtejmë të tyre.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se “Ky gurthemel ka qenë një ëndërr e gjithë neve gjeneratave të kaluara. Kosova duhet të ketë një qendër nacionale të edukimit joformal, por asnjëherë nuk kemi arritur këtë deri sa janë bashkuar shume forca, palë, njerëz e mbi të gjitha persona të vullnetit të mirë”, tha Gashi.

“Me këtë investim bashkërisht me palët e përfshira në projekt ne po mundësojmë krijimin e një hapësire të re e moderne për të rinjtë e Kosovës. Ndjehem i lumtur që po realizojmë zotimin e ditëve më parë kur patëm nënshkruar një memorandum për këtë projekt. Dua të sigurojë të gjithë që bashkëpunimi i MKRS-së me organizata dhe partnerë që punojnë në aftësimin dhe edukimin e të rinjve do të jetë maksimal”, tha ministri.

“Ky projekt që po fillon sot, ka qenë një ide e YMCA dhe vullnetarëve dhe më duket që pas një ose dy muajve të mandatit që mora për udhëheqjeje në moment kur u prezantua ky projekt unë menjëherë kam thënë po”, shtoi Gashi, duke treguar se kampi do të jetë i një modeli amerikan duke e sjellë edhe përvojën amerikane në Kosovë.

“Pjetërshani po bëhet Amerikë e vogël brenda Kosovës në këtë kamp. Falënderoj banorët që kanë pranuar një kamp të tillë në hapësira të Pjetërshanit. Projekti është i ndarë në dy faza, objekti që do bëhet këtu dhe implementimi i programeve”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi, duke vënë theksin edhe te programet e edukimit të cilat do të fillojnë të implementohen në kamp nga viti ardhshëm i cili synon të jetë edhe nikoqir i të rinjve nga vende të ndryshme të botës.

“Si ministër dhe MKRS-ja, do ta mbështesim fuqizimin dhe aftësimin e të rinjve të Republikës së Kosovës si një ndër asetin më të çmuar që ka vendin ynë. Ne, në vazhdimësi e kemi rritur buxhetin për rininë, kemi rritur përkrahjen, kemi avancuar edhe legjislacionin dhe aspektin strategjik. Çdo vit, ministria përmes subvencioneve përkrah financiarisht organizatat rinore në projekte të ndryshme në ndërmarrësi, në sigurinë njerëzore, në edukimin shëndetësor, në edukimin jo-formal. Kemi ndërtuar qendra të rinisë nëpër lokacione të ndryshme anekënd Kosovës, siç po nis edhe ky projekt i sotshëm”, ka shpjeguar për fund ministri.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini tha se komuna dhe Kosova në përgjithësi ka përfituar nga ky projekt. Ai tha se ky vend është atraktiv edhe në sezonin dimëror. Ai shpreson që kampi do të ekzistojë për ndërtimin e solidaritetit mes njerëzve.

“Komuna ka marrë përsipër të ndërtojë rrugën deri këtu, rruga do të ndërtohet pas mbarimit të ndërtimit të objektit dhe është buxhetuar për vitin tjetër, ku shpresoj që vitin e ardhshëm do të jenë të gjitha gati”, tha Gjini.

Presidenti i Bordit të Drejtorëve të organizatës YMCA, Petrit Bejdoni falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret të cilët ndihmuan për këtë ditë të implementimit të këtij projekti për qendrën e të rinjve, që komuna e Gjakovës tani do ta ketë.

“Ditë historike për ne që kemi qenë pjesë e imagjinatës, dizajnimit dhe planit të kësaj qendre. Besoj që jemi duke bërë një hap përpara me ju dhe falënderimi i shkon Ministrisë së Kulturës me mbështetje të YMCA në SHBA dhe Finlande dhe Komunës së Gjakovës gjithashtu”, tha Bejdoni.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë