Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra.
Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se Komuna do të angazhohet për ta kthyer objektin e ish-Bibliotekës Hivzi Sulejmani në hapësirë kulturore për shfrytëzim si ekspozitë afatgjatë e koleksionit të artistit në fjalë, transmeton gazetametro.net.
Ndërkaq, aty do të bëhet projektimi dhe do të kryhen punimet e nevojshme ashtu që objekti të jetë i përshtatshëm për nevoja të muzeut.
Gjithashtu, Komuna do të caktojë kryesuesin e bordit nismëtar për themelimin e muzeut (bord që do të ketë edhe nga 2 anëtarë nga të dyja palët), si dhe do të ndihmojnë organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike.
Fondacioni “Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vite, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë të cilin do ta ketë në dispozicion muzeu.
Ahmeti tha se janë pajtuar që muzeu “Ibrahim Kodra” të menaxhohet nga Muzeu i Prishtinës./gazetametro.net