Loading…
Prokuroria kërkon dënim për Enver Hasanin dhe dy të tjerët
  • 13/10/2017 | 12:08

...

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ish-rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Enver Hasani dhe dy të akuzuarit e tjerë, Haki Veliu e Albert Rakipi, të shpallen fajtorë për veprën penale të mashtrimit në detyrë.


Këtë propozim e ka dhënë, prokurorja speciale Drita Hajdari, në seancën e së premtes, në të cilën është dhënë fjala përfundimtare në këtë proces gjyqësor, që ka filluar në korrik të vitit 2016.

Prokurorja Hajdari, gjithashtu ka kërkuar që Instituti për Studime Ndërkombëtare (ISN), të obligohet që UP-së t’ia kompensoi dëmin e shkaktuar, lidhur me kontratën që kishte fituar për përkthimin e teksteve nga gjuha angleze në atë shqipe.

“Me vlerësimin e provave nga ana e prokurorisë, rezulton se Enver Hasani ka qëndruar prapa lidhjes se kontratës fillestare me ISN-në si dhe ndryshimin e së njëjtës. Ndërsa, i akuzuari tjetër Haki Veliu del se çdo veprim e ka bërë duke u konsultuar me Hasanin”, ka thënë prokurorja Hajdari, e cila ka shtuar se “zyrtari i ulët është sakrifikuar për zyrtarin e lartë”.

“Këtu është vënë në pah tendenca e kriminalitetit e ashtuquajtur si “Jaka e bardhë”, e që në këtë rast zyrtari i ulët është sakrifikuar për zyrtarin e lartë”, ka deklaruar tutje Hajdari.

Sipas saj, PSRK-ja konsideron se në bazë të provave të administruara ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit me dashje direkte dhe sipas marrëveshjes paraprake kanë ndryshuar kontratën origjinale, respektivisht nenin 17 të saj. Ajo ka shtuar se në këtë mënyrë, ISN-së i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm.

Gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, prokurorja Hajdari ka thënë se do të ndjek procedurën ankimore lidhur me një vendim të marrë nga gjykata. Ky vendim kishte të bënte me korrospodencat elektronike, për të cilat gjykata kishte vendosur jashtë seancës që të mos trajtohen si prova të ligjshme në shqyrtim gjyqësor pasi që nuk janë siguruar konform dispozitave ligjore.

Kurse, mbrojtësi i Enver Hasanit, avokati Bajram Tmava, ka deklaruar se fjala përfundimtare e prokurorisë është paraqitur, sikur të mos ishin administruar provat fare. Tmava ka thënë se është manipuluar me dëshmitë e dëshmitarëve kyç Jorgji Qirjako dhe Marjan Dema.

Avokati Skender Musa, mbrojtës i të akuzuarit Haki Veliu, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se gjykata duhet të ketë parasysh se asnjë dëshmitar apo ndonjë ekspert nuk ka dëshmuar se buxheti i UP-së është dëmtuar me këtë proces të tenderimit.

Sipas avokatit Musa, i akuzuari Veliu, nuk ka përfituar, mirëpo as nuk ka mundësuar përfitim për personat e tretë.

Ndërkohë, shpallja e aktgjykimit në këtë rast, është caktuar më 18 tetor 2017, nga ora 13:00.

Ndryshe, në seancën e fundit të mbajtur më 10 tetor, ka dhënë dëshminë e tij rektori aktual i UP-së Marjan Dema. I njëjti ishte prorektor për financa, në kohën kur rektor i Universitetit Publik ishte Enver Hasani.

Dema gjatë seancës së kaluar ka deklaruar se Hasani, në kohën sa ishte rektor, ka pasur kontroll të plotë mbi kontratën për përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale, Drita Hajdari, nëse ka pasur njohuri në lidhje me kontratën për përkthime të teksteve, kontratë e cila është objekt i aktakuzës, Dema ka deklaruar se ajo kontratë ka qenë e iniciuar dhe mbikëqyrur ekskluzivisht nga Enver Hasani.

“Largimi i Kreshnik Gashit nga pozita e tij në zyrën e prokurimit, sjellja e Hakif Veliut në zyrën e prokurimit pa konkurs, afërsia e Enver Hasanit me Institutin për Studime Ndërkombëtare dhe fakti që Hasani më ka pyetur mbi 20 herë në lidhje me kontratën në fjalë, më kanë bërë të mendoj që e gjithë kjo kontratë ka qenë e kontrolluar nga Enver Hasani”, ka deklaruar Dema.

Ai në seancën e 10 tetorit tha se tenderi për përkthimin e teksteve kishte dështuar dy herë. Për herën e parë, Dema tha se ishte vendosur që të shkohet me tender një burimor.

Për këtë tender, Dema ka thënë se ishte vendosur gjatë një takimi në restorant “Pishat”, në të cilin kishin qenë pjesëmarrës, rektori i atëhershëm Enver Hasani, Marjan Dema si dhe dy zyrtarë të Agjencisë së Prokurimit, shkruan Betimi për Drejtësi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pretendon se Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Haki Veliu në cilësi të shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Ragipi në cilësi të drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale.

Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.65 euro.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë