Loading…
Propozim për marrëveshje finale për normalizim
  • Nga

  • SHKODRAN RAMADANI

  • 30/09/2018 | 08:57

...

Pro Ahtisarit dhe Pro këmbimit. Pro vazhdimit të të drejtave të Ahtisarit dhe kundër privilegjeve të Ahtisarit.


Unë personalisht jam ndër përkrahësit më të flaktë të Pakos së Ahtisarit. I mbroj parimet e shkruara në të. Jam për shoqëri multi-etnike. Mendoj që është standardi më i lartë modern i shoqërive liberale e përparimtare. E kam mbrojtur dhe e mbroj këtë flamur të Kosovës me krenari. Jam zënë me fyesit e tij dhe me përbuzësit e himnit të Kosovës.

Ahtisari e ka dizajnuar këtë pako në mënyrën më të mirë të mundshme që kanë lejuar rrethanat. Ai ka dhënë pavarësi për Kosovën, ndërkohë që me të drejta dhe privilegje është munduar t’i integrojë serbët në Kosovë. Është munduar t’i pajtojë aspiratat e Kosovës për pavarësi dhe aspiratat e serbëve për shkëputje.

Është shpresuar dhe punuar nga ndërkombëtarët që Serbia ta pranojë Kosovën si shtet me këtë kompromis, por fatkeqësisht politika ndërkombëtare nuk është më në pozicion për të detyruar Serbinë që ta bëjë një gjë të tillë.

Ndërkohë që nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova mbetet pa ulëse në OKB dhe pa të ardhme në BE, për shkak të 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Pa marrëveshje me Serbinë, Kosova mbetet shtet i kontestuar, i stigmatizuar dhe i pranuar vetëm pjesërisht në nivel ndërkombëtar. Me një Kosovë pa njohje, një Veri të paintegruar, Kosova rrezikon të izolohet dhe të vlojë së brendshmi, me gjasë për shpërthim.

Pa njohje nga Serbia, konflikti mes neve dhe serbëve nuk zgjidhet. Mbetet një bombë e kurdisur që mund të shpërthejë nga çasti në çast.

Paqja e status quo-së deri tash ka qenë e mundur se në horizont ka pasur optimizëm për arritje të një marrëveshjeje të qëndrushme. Në rast të dështimit të dialogut, i tërë projekti multi-etnik i Ahtisarit rrezikon të bëhet pluhur.

Nuk mund të bëhem dogmatik që të kërkoj të mbrohen privilegjet e serbëve dhe Kosova të mbetet pa njohje, e kontestuar, e stigmatizuar, e margjinalizuar, e izoluar, pa perspektivë jashtë, e pa kontroll të brendshëm në Veri.

Unë jam për shkëmbim të territoreve nëse Kosova në këmbim merr njohje dhe ulëse në OKB.

Poashtu jam pro idesë që edhe pas këmbimit, komuniteteve joshqiptare tu mbeten të drejtat që ua jep Ahtisari, por t’u hiqet e drejta e vetos që ua mundëson atyre të bllokojnë ndryshimet kushtetuese dhe ligjet me interes vital. Nuk ka asgjë të keqe që të drejtat e Ahtisarit të mbesin.

Përkundrazi, është shumë mirë. Me këtë Kosova do të garantonte se komunitetet joshumicë do të gëzonin të drejta të mjaftueshme për të riprodhuar indet e tyre kulturore. Do të kishte përgjigje për frikën se po kthehet në lojë projekti etnik. Është krenari kombëtare kur shteti yt ofron kapacitete që mbrojnë komunitete të vogla nga fuqia asimiluese e komunitetit të madh.

Është krenari kur shteti yt i pajis me mekanizma institucionalë që mundësojnë përfaqësim të denjë politik për komunitetet më të vogla. Është krenari kur shteti yt bëhet gardian i diversitetit, pluralizmit dhe tolerancës. Por gjithashtu, forca politike e komuniteteve të vogla nuk duhet të shndërrohet në pykë që bllokon dhëmbëzorët e makinerisë shtetërore.

Një marrëveshje e tillë do të zbuste turbulencat e krijuara nga kërcënimi i modeleve etnikisht homogjene. Këmbimi i territoreve i përcjellur me njohje, me ulëse në OKB, me perspektivë evropiane bashkë me këto të drejta minus privilegjet me forcë asimetrike do të ofronin edhe stabilitet kombëtar, edhe afirmim ndërkombëtar.

Të gjitha këto së bashku, do të garantonin edhe subjektivitet të brendshëm, edhe të jashtëm. Vetëm kështu normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Vetëm kështu i gjithë rajoni mund të ketë paqe të qëndrueshme. Prandaj një marrëveshje që siguron këto parime është e nevojshme.

Më të fundit
...
  • 23/10/2018 | 07:24
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë