Kriza politike dhe ekonomike në Turqi, shkaktoi rekord negativ historik të vlerës së lirës turke në raport me dollarin amerikan, këtë të premte dhe rriti shqetesimet që kjo krizë në ekonominë turke do të shpërndahet në tregjet financiare, anembanë botës.
Po cila është origjina e krizës? Presidenti Erdogan ka dominuar në 15 vitet e fundit në jetën politike, ekonomike dhe kulturore në Turqi, në mes tjerash, duke marrë lavdata dhe përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar dhe investitorët e huaj, për drejtim të suksesshem të reformave ekonomike në vend, reduktim të inflacionit dhe rritje ekonomike rreth 60% në terma real. Por, pas dështimit të grushtshtetit, Erdogan filloi të ndryshoj drastikisht mënyren e udheheqjes së vendit, duke rritur presionin në çdo institucion të pavarur, përfshirë edhe atë që është më shqetësuesja për investitoret e huaj, te politikberesit e Bankës Qendërore Turke.
Për të arsyetuar ndryshimin radikal dhe udheheqjen autoritare, e vetmja rrugë e sigurtë ishte krijimi i kushteve për performancë të fuqishme ekonomike, prandaj Erdogan i shtyri bankat të kreditojnë më shumë ekonominë, ndersa bënte thirrje të vazhdueshme për Banken Qendërore të ul normat e interesit, për të rritur kërkesen për kredi të reja. Rezultati doli befasues. Inflacioni arriti në 16%, ndërsa Lira turke po shënon rekorde negative, me një trend te pandalshëm të rënies të vlerës.
A ka zgjidhje Turqia për të tejkaluar krizën?
Krizat si kjo nuk ndreqen me apele për nxjerrje të “arit nga jasteku”. Këto kriza zgjidhen me mjete konvencionale: qoftë me rritje të normës së interesit për kreditim (të cilën nuk do ta lejoj Erdogan), qoftë me një sasi të caktuar të dollarëve amerikan, që do të mundesonin të ndalnin renien e lires turke në tregjet ndërkombetare, por problemi qëndron në faktin që Turqia, rezervat e veta valutore nuk i mban në dollare, por i mban në ari, vlera e të cilit është në renie. Pra Erdoganit, i kanë mbetur pak opsione për këtë krizë. Kur politika perzihet në ekonomi, nuk të ndihmon as Zoti.
Kriza e valutes turke, nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë, do të ketë ndikime, sidomos në tregjet financiare në Evropë dhe klimën politike në Evropë. Kriza do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në marrëveshjen e Turqisë me vendet evropiane, për strehimin e refugjateve nga Siria. Me krizën në rritje, Turqia do ta ketë të pamundshme t’i ofroj kushte këtyre refugjateve, të cilet alternative do ta kenë Evropen.
(Autori është kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës)