Loading…
Pse nuk po e durojmë më diasporën?
  • Nga

  • SHPEND GUDAQI

  • 02/08/2018 | 21:21

...

Rreth 700 milionë euro disapora shqiptare i harxhon në Kosovë për secilin vit. Buxheti i vitit 2018 i Qeverisë së Kosovës kap vlerën prej 1.8 miliardë eurosh. Me një përllogaritje të thjeshtë matematikore, e kupton se bashkëatdhetarët e mbushin pothuajse gjysmën e buxhetit të Kosovës, duke e bërë shtetin tonë tërësisht të varur ekonomikisht nga paratë e tyre.


Me një fjalë, disapora e paguan barrën e paqes sociale të shoqërisë tonë. Pa ndihmat e investimet disaporës, Kosova do të mbytej edhe më shume nga varfëria. Sot, pothuajse secila familje kosovare në ndërdijen e saj, llogaritë te bashkëfamiljarët në diasporë në rast se i paraqitet një nevojë urgjente për mjete financiare.

Edhe ndonjë familje që s’ka bashkëfamiljarë jashtë Kosovës, merr ndihma të tërthortë nga diaspora. Shembull më i mirë i kësaj janë rastet e bashkëqytetarëve me sëmundje të rënda, që për kurimin e tyre duhen shumë para dhe shpesh trajtim jashtë vendit. Paratë për shërimin e tyre, në masë të madhe e në të shumtën e rasteve mblidhen nga donacionet e shqiptarëve jashtë Kosovës. Shteti ynë, është thjesht i paaftë dhe shumë i pandergjegjshëm për t’u siguruar mjekim qytetarëve të vet.

Imagjinoni një situatë kur s’llogaritë dot te askush nëse të paraqitet nevoja urgjente për një shpenzim prej 500 eurosh përderisa mbijeton me një pagë 300-euroshe, ose më keq, je i papunësuar. Kjo situatë do të shkaktonte një ankth të papërballueshëm te secili qytetar, e do të nxiste revoltë e protestë ndaj pushtetit. Ndër tjerash, edhe për këtë arsye shoqëria jonë nuk arriti asnjëherë të organizojë protesta e revolta, që do të lëkundnin themelet e kësaj mendësie qeverisëse. Sepse, nevojat ekonomike të shumicës së familjeve kosovare mbulohen nga disapora. Shto këtu përvojën historike si një shoqëri e pashtet, ose më keq si një shoqëri që shtetin e shihte si armik (rasti në Jugosllavi).

Është kulturë e jona që të mos e shohim shtetin si zgjidhës të problemeve tona. Jemi të kënaqur me neutralitetin e tij ndaj nesh. Mjafton të mos na përndjekë, të mos na arrestojë e të na garantojë lirinë e fjalës së lirë dhe të lëvizjes. Por shteti nuk është vetëm kaq. Shteti është edhe mirëqenie, arsim, kulturë e shëndetësi. Është dinjitet më shumë se çkado tjetër. Në shtetet moderne e të përparuara, nuk jetohet më përmes bamirësisë e keqardhjes për njëri-tjetrin. Ka mekanizma shumë funksionalë që nuk e lënë askënd në lloq. Kështu nuk garantohet dinjiteti i askujt, por përbuzja e thyerja e fatkeqit që ka nevojë për ndihmë. E në rastin tonë, jemi pothuajse të gjithë fatkqinj.

Këtu edhe komplikohet raporti ynë me diasporën, bashkëfamiljarët tanë që jetojnë larg nesh. Viteve të fundit seç ka një irritim me ta që nuk e arsyetoj shpeshherë. Është situatë komplekse, prandaj edhe është vështirë të flitet për të në rrafsh të përgjithshëm, sepse secili rast ka ndonjë specifikë të re krahasuar me rastin tjetër. Ankesat më të shpeshta janë se kur bashkëatdhetarët vinë në Kosovë, kemi më shumë kaos, rrugë të bllokuara, aksidente më të shpeshta me fatalitet e radhë më të gjata në komunë. Por, kjo nuk është e vërteta. Me këto justifikime i maskojmë motivet e vërteta të padurueshmërisë që e kemi ndaj tyre. Çfarë na pengon në të vërtetë, janë veturat e tyre të shtrenjta dhe mundësia e tyre për të harxhuar shumëfish herë më shumë se ne para syve tanë. Çfarë na pengon në të vërtetë është fakti se duhet t’ua shtrijmë dorën për ndihmë.

Ndërkaq, për fat të keq kjo është pikërisht çfarë duan ata. Që ne të ndihemi inferiorë e ata superiorë. Duan me shumë pasion që ne t’u kërkojmë ndihmë dhe të çuditemi me pasurinë e zakonet e tyre të jetesës. Sepse kompleksi i superioritet është mekanizëm mbrojtës që e kompenzon kompleksin e inferioritetit. Veturat e tyre të shtrenjta (për ne) e mundësitë e tyre financiare, janë krejt normale në shtetet ku ata jetojnë. Në Zvicër ta zëmë, ata nuk janë shumë të pasur, siç janë në Kosovë, e as që mund ta impresionojnë dikë me begatitë e tyre. Diaspora jonë, në shumicë, është fatkeqe po sa ne që kemi mbetur këtu. Shumica e saj ka lënë Kosovën në një kohë të rëndë, e ka lënë Kosovën prej zori dhe ka nisur një jetë krejt të re, në shoqëri që s’i ka kuptuar asnjëherë, e zor që i kupton edhe sot. E ka pasur aq të pamundur integrimin, edhe për shkak të racizmit perëndimor, sa ka përfunduar në margjinat e shoqërive ku ka zënë vend, duke përjetuar përbuzje e nënçmim. Dhe fatkeqësisht, i vetmi vend ku ata kanë mundur ta performojnë superiorin ishte vendi i tyre i prejardhjes. Përkundër se situata ndryshon me gjeneratat që lindin atje, që sado-kudo arrijnë të integrohen, një pjesë e kësaj trashëgimie fatkeqe bartet edhe te gjeneratat e reja.

Por, duket se më nuk mund të performohet lehtësisht as në Kosovë. Gjeneratat e reja kanë vizione të reja dhe refuzojnë t’i nënshtrohen autoritet familjar që patronizon vetëm për faktin se ka më shumë para. Nuk e harxhojnë një vit të tërë duke e pritur të afërmin nga diaspora për t’u argëtuar nja dy javë me kokën ulur, por përkundër vështirësive ekonomike gjejnë aktivitete kreative që të mësojnë gjëra të reja dhe të argëtohen. Ky është trend i mirë dhe progresiv, por prej këtij fakti befasohen bashkëatdhetarët, të cilët janë mësuar që njerëzit e tyre në Kosovë t’i kenë në dispozicion të plotë për kënaqësinë e tyre gjatë pushimit.

Megjithatë, këtyre keqkuptimeve duhet t’i jepet fund, duke e respektuar njëri-tjetrin. Në fund të fundit, disapora është pjesë e jona. Ne, kosovarët, jemi diaspora. Ata nuk janë zviceranë, as gjermanë, as amerikanë. Disapora dhe ne të mbeturit këtu, jemi pasqyrë e njëri-tjetrit. Ne, së bashku kemi një të kaluar të rëndë, e duket se edhe të ardhmen do ta kemi të rëndë, po që se nuk bashkohemi për një shtet që funksionon. Kosova duhet ta shfrytëzojë strategjikisht potencialin ekonomik të diasporës, duke e bërë edhe më shumë pronare të saj, duke ia thjeshtëzuar rrugën për të investuar këtu, duke e rikthyer këtu. Remitencat nuk janë investime. Janë thjesht para që na mbajnë me bukë, që me ndërrimin e gjeneratave do të shkurtohen, sepse lidhjet familjare do të jenë më të largëta. Kushërinjt tanë të largët, në të ardhmen, në Kosovë do t’i nxiste të qëndroj vetëm leverdia ekonomike.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë